Brajan Gruda ka marrë dhuratë të veçantë nga njëri prej lojtarëve më të mirë në histori, Lionel Messi.
22-vjeçari, mesfushori me tipare sulmuese i Leipzigut, mori një palë atlete me nënshkrimin e tetë herë fituesit të “Topit të Artë”.
“Për shkak të 208 paraqitjeve me fanellën e Argjentinës, vetëm 208 palë atlete u prodhuan gjithsej. Një palë i mbajti Lionel Messi në ndeshjen përshëndetëse kundër Beninit”, ka thënë zëdhënësi i firmës Adidas, Oliver Bruggen, për mediumin gjerman Bild.
Atletet e mbetura u janë dhënë njerëzve të afërt me Messin. Nuk është rastësi që futbollisti me prejardhje nga Shkodra ishte në mesin e personave që pranoi dhuratën.
Në vjeshtën e vitit 2025, Gruda ishte përzgjedhur nga Messi në mesin e dhjetë talenteve të futbollit nga e gjithë bota. Futbollisti i U21 të Gjermanisë e kishte kënaqësinë të zgjidhej nga Messi.
“Jam admirues i madh i Messit”, kishte thënë Gruda në një intervistë dhënë për mediumet gjermane në muajin shkurt.
Ende nuk dihet nëse Gruda do t’i përdorë atletet e veçanta. Ai aktualisht ka telashe me muskujt e abdomenit dhe mungon në duelin ndaj Eintracht Frankfurtit.
Nuk ka stërvitur fare me ekipin gjatë gjithë javës.
Gruda karrierë në ekipin e të rriturve ka bërë edhe te Mainzi në Gjermani dhe Brightoni në Angli.
Në edicionin aktual i ka zhvilluar pesë ndeshje dhe e ka shënuar një gol. Ai ishte përzgjedhur nga Jurgen Klopp për ta përfaqësuar Gjermaninë në Ligën e Kombeve. Por, lëndimi ia pamundësoi debutimin.