Support TIME. Preserve the truth.
football

Rama requests a meeting to solve the problem, KOK "is silent"

Progress Rama

Photo: Driton Pacharada

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për takim me të gjitha palët e përfshira për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, për siç thotë “ta zgjidhur problemin”. Në të kundërtën, sipas të parit të Prishtinës, “Kosova rrezikon ta humbë të drejtën për organizimin e ngjarjes më të madhe sportive që i është besuar”.

Rama në konferencë për shtyp, të premten, ka drejtuar gishtin në nivelin qendror, por edhe te Komiteti Olimpik i Kosovës për moskryerje të punëve që u takojnë.

“Bëj kërkesë publike që niveli qendror, por edhe Komiteti Olimpik, të gjithë të ulemi së bashku. Por, këtu po them, niveli qendror e ka përgjegjësinë më të madhe sepse ata edhe nuk i kanë plotësuar detyrimet e tyre që i kanë pasur në bazë të kontratës. Të ulemi, t'i përcaktojmë përgjegjësitë dhe detyrat që i kemi, t'i kryejmë ato, e të takohemi, pastaj në dhjetor të jemi të gatshëm që të mos kemi befasi të pakëndshme për vendin tonë”, është shprehur Rama.

Në muajin gusht u mbajtën dy takime të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Nuk ka pasur takime të tjera prej asaj kohe.

“Mendoj që nuk është çështje që ata nuk kanë dashur, edhe pse ne krejt çfarë kemi kërkuar është të mbajmë mbledhje. Do të thotë të marrim vendime për të mirën e Lojërave Mesdhetare dhe organizim të tyre. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Mendoj që nuk ka ndodhur si rezultat i presionit nga niveli qendror, sepse nuk mendoj se e kanë bërë me qejf”, tha Rama.

Rama ka thënë se ende ka kohë për përmbushje të detyrimeve, por edhe të kompletimit të infrastrukturës.

Ai ka thënë se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e ka edhe opsionin tjetër për organizimin e edicionit 2030 të kësaj ngjarjeje. Dhe mund t’u jepet ajo e drejtë nëse Kosova nuk merr veprimet e duhura.

“Mospërfillja e përgjegjësive të cilat i ka marrë Qeveria, pra në shtator të vitit 2023 kur është nënshkruar kontrata si organizator me kontratë është kryeqyteti, së bashku me Komitetin Olimpik, derisa Qeveria është përgjegjëse për t’i paguar fondet, pra 253 milionë të cilat i ka nënshkruar. Mirëpo, ata konstant siç u tregova, një herë janë munduar t’ia ndërrojnë emrin, pastaj të thonë ‘jo ne i paguajmë paratë, ne marrim përgjegjësitë çfarë ndodh dhe ku ndodh’. Unë u kam thënë në rregull, ejani të takohemi, të merremi vesh, po i caktojmë proceset dhe përgjegjësitë, dhe të ecim para. Pra të mos e mbajmë këtë peng, të moskoordinimit ndërinstitucional”, ka thënë Rama në konferencën për shtyp që nisi me afro 20 minuta vonesë, e që nuk zgjati më shumë se 15 minuta.

Kryetari Rama të enjten publikoi letrën që e pranoi nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, ku shkruhej se organizimi i ngjarjes shumësportëshe është në rrezik për shkak të vonesës në përmbushjen e obligimeve në janar dhe qershor.

Letra u dërgua edhe në adresë të kryeministrit Albin Kurti dhe të kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqi. Kurti është edhe kryetar i Këshillit të Komitetit Organizativ të kësaj ngjarjeje. Nëse nuk ka ndryshime, Asambleja e Jashtëzakonshme e 19 dhjetorit, do të jetë përcaktuese për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare 2030.

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, të enjten insistoi se “Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030”. Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka reaguar ende.

Më 8 shtator 2023, në Heraklion të Greqisë u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Është ngjarja më e madhe që i është besuar Kosovës për organizim.

Kosova tashmë ka marrë pjesë në tri edicione të Lojërave Mesdhetare.

Në “Taranto 2026” garoi me numër rekord sportistësh, 163 gjithsej. Tetë prej tyre fituan medalje, ndërsa numri i përgjithshëm i medaljeve të fituara ishte nëntë, që është rekord për Kosovën. Medalje të arta fituan Donjeta Sadiku në boks dhe Islam Selmani në karate. Të argjendta fituan xhudistja Laura Fazliu dhe peshëngritësi Kianoush Rostami, që është nga Irani. Rostami i fitoi dy medalje të argjendta për Kosovën.

Katër medalje të bronzta, Kosova i fitoi me xhudistët Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi e Flaka Loxha.

Kosova debutoi në “Tarragona 2018” dhe i fitoi katër medalje, ndërsa më pas pati pjesëmarrje në “Oran 2022”, ku u fituan gjashtë medalje.