Portieri i Telstarit, Ronald Koeman Jr, i ka bërë të parëndësishme lojërat mendore të kundërshtarëve, pasi shkroi histori në “Eredivisie” të Holandës, duke realizuar dy penallti në ndeshjen ndaj Cambuurit. Portieri 31-vjeçar konkretizoi dy goditje nga pika e bardhë për barazimin dramatik 2:2, ndonëse skuadra e tij ishte me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 22-të.
Golin e barazimit 2:2 e shënoi në minutën e 101-të. Penalltinë e parë e realizoi në minutën e 63-të të ndeshjes së luajtur të dielën. Është bërë portieri i parë i kampionatit holandez me dy gola brenda një ndeshjeje.
Djali i legjendës holandeze, Ronald Koeman, vuri në pah vetëbesimin e tij kur u përball me lojërat mendore të kundërshtarit para penalltisë së dytë.
“Jam në krye të listës, e keni parë këtë. Mund të gjuaj një penallti të mirë dhe kam besim. Kështu që nuk ka dyshime”, ka thënë Koeman Jr për “ESPN”.
I pyetur nëse duhej të merrte frymë paraprakisht, portieri holandez shtoi: “E di se si shkon. Ata fillojnë të ju flasin, portieri dhe sulmuesi. Por nuk mund të më shqetësojnë. Thjesht merr një moment për vete dhe fokusohu”.
Qetësia e Koeman Jr nga pika e penalltisë nuk është befasi. Ai më parë realizoi penallti vendimtare kundër Volendamit në muajin maj për ta mbajtur Telstarin në ligën elitare holandeze.
Madje ai u bë gati të ekzekutonte edhe një goditje dënimi të dhënë në fund, që ndërkohë u shndërrua në penallti pas rishikimit të VAR-it.
“Mendova ta ekzekutoj goditjen e dënimit. Por të gjithë në ekip tashmë thoshin se ishte brenda zonës. Jam shumë i kënaqur me këtë. Është mirë të marrësh përgjegjësi, por djemtë punuan shumë në fushë. Gjuajta në këndin e njëjtë. Ndoshta duhet ta ndryshoj ndonjëherë. Por nëse godet me forcë, nuk mund ta ndalin”, ka thënë Ronald Koeman Jr.
Ai është te Telstari prej vitit 2021. Më herët ishte te Almere City dhe TOP Oss.
Karriera e portierit asnjëherë nuk i është afruar nivele të karrierës së babait të tij.