Support TIME. Preserve the truth.
football

The great rise of Malisheva

malishev

Historiku i klubit të futbollit Malisheva mund të përmblidhet me pak rreshta. Por ngritja e klubit nga komuna e vogël, është e veçantë.

Nga Kategoria e Katërt e futbollit të Kosovës, ku nisi garat në vitin 2016 kur u themelua, Malisheva të dielën u bë lidere e Superligës së Kosovës. Në pozitën e parë synon ta mbyllë edicionin 2026/2027. 
Por për të arritur deri te kjo pozitë, te Malisheva thonë se kanë kaluar rrugë të vështirë.

Presidenti i klubit, Driton Morina, thotë se me ngritjen në elitë u është realizuar një ëndërr, ndërsa siç thekson ai, synimi tash është të shkruajnë edhe më shumë histori. Pra që Malisheva të bëhet kampione për herë të parë.

“Jam i kënaqur, por asnjëherë i përmbushur për t’u kënaqur me këtë rezultat. Do të isha i përmbushur të bëheshim kampionë, të arrijmë grupet e Ligës së Evropës ose Ligës së Konferencës, gara që mund t’i kapim”, thotë Morina për KOHËN të hënën. “Por ajo që kisha besuar shumë është se nëse do të kemi dy investitorë tjerë që janë me përvojë në futboll evropian, garantoj se për dhjetë vjet jemi në grupet e Ligës së Kampionëve. Por pa u ndërtuar kampi është shumë telashe”. 

Morina mori drejtimin e Malishevës në vitin 2019, kur ky klub garonte në Ligën e Parë. 

“Jam afruar për të ndihmuar për tre muaj, për t’i paguar tri paga. Por pastaj mbeta aty, pasi duhej sërish ndihma ime. Kur mora përsipër përgjegjësinë e klubit, kam pasur një takim me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, i cili na priti mirë dhe jemi pajtuar me disa gjëra e me disa jo. Në përgjithësi puna e tij ka qenë e mirë. Ka pasur raste kur edhe ne kemi dalë kundër. Por asnjëherë nuk na është hakmarrë”, thotë Morina. 

“Kur jemi inkuadruar në Superligë, kam thënë se qëllimi është vitin e ardhshëm të mbesim në Superligë dhe ashtu ndodhi. Kemi punuar vetëm drejtë. Drejtësi të qon lart. Nuk mund të arrish nëse nuk punon drejt”, thotë Morina.

Malisheva në debutim, në edicionin 2021/2022, mbetjen në Superligë e siguroi nëpërmjet barazhit.
Edicionin 2022/23 e përfundoi në vendin e gjashtë. Në edicionin pasues, 2023/24, përfundoi e katërta. Në edicionin 2024/2025, Malisheva doli e treta, ndërsa edicionin e kaluar ishte nënkampione. Tashmë është në vendin e parë.

Morina me bindje të plotë thotë se Malisheva ka arritur në pikën ku priten trofe.

“Unë besoj te njerëzit që janë në klub. Nuk është që kam dashur të ndërroj trajnerët, por imponimi më ka shtyrë të bëjë ndryshime. Ideja ime ka qenë të kemi trajner që na beson dhe ne i besojmë shumë atij”.

Malisheva drejtohet nga Thomas Brdariq, i cili punoi në Kosovë edhe te Drenica. 

Klubi ka shitur edhe lojtarë viteve të fundit. Ndër emrat që janë larguar nga Malishve janë Etnik Brruti dhe Drilon Hazrollaj. Nga shitja e dy lojtarëve, Malisheva ka fituar goxha mirë financiarisht.

"Tash ka ardhur përfundimi që kemi trajner të disiplinuar, të kulturuar dhe të nivelit të lart. Karrierën që e ka pasur dhe siç merret me stafin tim, kam përshtypje shumë të mirë. Tash mund të besoj se mund të bëjmë diçka. Për të arritur deri te titulli duhet serioziteti, trajneri dhe sigurisht lojtarët. Mendoj se Malisheva ka arritur në këtë pikë me këtë trajner. Nëse kemi pak fat, është reale pritshmëria. Ndoshta nuk kemi shumë emra, por janë shumë cilësorë. Kemi dy mungesa që duhet të jemi për titull. Na duhen dy përforcime për të na bindur. Jemi ende duke hulumtuar dhe nëse vijnë nuk do ta kemi problem për titull. Por varet edhe nga klubet tjera. Drita është favorite për titull”, thotë Morina.

Malisheva ka tri vjet përvojë në Evropë. Në verë kaloi rivalin e parë evropian.

“Ne jemi të kënaqur që kemi arritur në pikën që nuk e kemi dëmtuar askënd. Nuk e kemi dëmtuar asnjë njeri në futboll, që janë konkurrent dhe nuk kemi gjykuar as arbitrat”, ka thënë Morina.