Mesfushori Mikel Merino që tani është tek Arsenali, ka thënë se ndryshimi i ulëses në minutat e fundit në autobusin e klubit, ia ka shpëtuar jetën.
Në kohën kur ndodhi ai sulm në vitin 2017, Merino ishte futbollist i Dortmundit.
Spanjolli në atë kohë ishte 20-vjeçar, ndërsa autobusi i “verdhezinjve” ishte cak i një shpërthimi të madh para ndeshjes çerekfinale ndaj Monacos, që u zhvillua në “Signal Iduna Park”.
Tri bomba të mbushura me metale dhe të fshehura, eksploduan teksa autobusi kaloi në atë pjesë.
Një copëz e metalit e goditi pikërisht ulësen ku Merino ulej zakonisht.
Por, ai kishte vendosur ta ndërronte vendin për shkak se vendosi për një vend tjetër “që ishte më i rehatshëm për këmbët”.
Ajo ndeshje ndaj Monacos ishte shtyrë për një ditë dhe u kritikua nga ish-trajneri i asaj kohe te Dortmundi, Thomas Tuchel, që tani drejton Anglinë.
Sergei Wenergold, gjermani me origjinë ruse, u burgos në vitin 2018 pasi e pranoi se e ka kryer sulmin. Ai u dënua me 14 vjet burgim për tentim vrasje.