Support TIME. Preserve the truth.
football

The departure of two of the players who marked an era with Kosovo

Valon Berisha e Fidan Aliti

Valon Berisha e Fidan Aliti nuk do të luajnë më për Kosovën. Këtë e bëri të ditur Federata e Futbollit e Kosovës të premten, kur edhe u publikua lista e lojtarëve për katër ndeshjet e ardhshme.

Mesfushori Berisha dhe mbrojtësi i qendrës, Aliti, janë dy prej lojtarëve më të rëndësishëm që i ka pasur Kosova. Ishin prej atyre që kanë shënuar epokën e deritashme.

Berisha ishte i vetmi lojtar që la vendin e startuesit në një përfaqësuese evropiane për t’iu bashkuar Kosovës. Pasi luajti për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, Berisha i kishte 20 paraqitje për Norvegjinë A. Por në vitin 2016 vendosi t’i bashkohet Kosovës, ndërkohë që vëllai i tij, Vetoni, vendosi të mbetet te Norvegjia. 

Për Kosovën, Valon Berisha i ka luajtur 52 ndeshje dhe ka realizuar katër gola. Për kohë të gjatë ishte prej mesfushorëve liderë. Debutoi me gol ndaj Finlandës, më 5 shtator 2016. Ishte ndeshja e parë kualifikuese për “Dardanët”.

33-vjeçari Berisha ka pasur shumë paraqitje që do të mbahen mend. Në ciklin e kaluar megjithatë ishte rezervist dhe e fitoi rastin më rrallë. Aktualisht po ka hapësirë të limituar edhe te Zurichu në Zvicër.

Berisha ka shkruar se është krenar dhe i emocionuar për karrierën që kishte me Kosovën.

“Sot, kur po i shkruaj këta rreshta, kam para syve të mi një djalë shqiptar që po rritej në mërgim me dy ëndrra në jetën e tij: Kosovën dhe futbollin. Një familje, dy prindër, që atij djali ia ngulitën thellë në shpirt e në mendje dashninë dhe obligimin për familjen, për gjakun e tij, e mbi të gjitha për Kosovën e shtrenjtë. Sot, shumë vjet më vonë, jam i mbushur me krenari dhe falënderim ndaj familjes, prindërve dhe Zotit që më mundësoi t’i përmbushë të dyja këto ëndrra. Që me një top futbolli ta lartësojë emrin e Kosovës”, ka shkruar Berisha.

Mbrojtësi Fidan Aliti i jep fund karrierës ndërkombëtare pas 64 ndeshjeve dhe një goli me Kosovën. I lindur në Zvicër, Aliti kishte dy paraqitje për Shqipërinë para se në vitin 2017 të bashkohej me Kosovën. Debutoi ndaj Turqisë më 11 qershor 2017. Ishte lojtar i rëndësishëm edhe në ciklin e fundit kualifikues, sidomos në mungesë të Amir Rrahmanit. Së fundi luajti në finale të plejofit, ndaj Turqisë, më 31 mars. 

32-vjeçari Aliti është në moment të mirë në karrierë. Po luan rregullisht për Alanyasporin në Superligën e Turqisë. Madje po e mban shiritin e kapitenit.

“Ta vesh fanellën e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prej nderimeve më të mëdha të jetës sime. Sa herë që kam dalë në fushë me këtë fanellë, kam dhënë shpirtin e zemrën për të. Kam luajtur me krenari e përgjegjësi, i vetëdijshëm për peshën që bart përfaqësimi i vendit tonë. Kemi kaluar shumë bashkë, festa e fitore, por edhe zhgënjimin e humbjeve. Kemi luftuar e ëndërruar, por edhe kemi shkruar bashkërisht një pjesë të ndritshme të historisë së futbollit të Kosovës”, ka shkruar Aliti ndër të tjera.

Mbrojtja e mesfusha e Kosovës tani udhëhiqen nga lojtarë të tjerë. Por dhjetëvjeçari i pari i Kosovës në skenën ndërkombëtare, përkatësisht në cikle kualifikuese, gjithnjë do të jetë i lidhur edhe me emrin e Valon Berishës dhe Fidan Alitit.