Support TIME. Preserve the truth.
football

Kosovo is ready, aiming for victory with Ireland

Kosova

Kosova nuk është përballur asnjëherë me Irlandën në futboll. Franco Foda nuk ka pasur asnjë përballje me Irlandën edhe sa ishte përzgjedhës i Austrisë.

Por selektori i “Dardanëve”, Foda, beson se ka përgatitur mirë ekipin për ndeshjen kundër irlandezëve.

Ndeshja e Grupit B3 të Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Irlandës luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”. Nis nga ora 20:45.

“Deri tani nuk kam përvojë personale me Irlandën. Është ndeshja e parë që e zhvilloj ndaj saj. Është diçka e re. Ne jemi përgatitur dhe jemi të gatshëm të luajmë ndaj Irlandës”, ka thënë Foda në konferencë për shtyp, të mërkurën. 

Foda thekson se kanë analizuar ndeshjet e Irlandës. Tekniku gjerman thotë se Kosova synon fitore.

“Sigurisht se i njohim kualitetet e Irlandës. E dimë se si ka luajtur në ndeshjet e fundit. Ne i kemi analizuar me shumë vëmendje të gjitha ndeshjet. Avantazhi është se luajmë në shtëpi. Dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por nesër do të shihet si do të shkojë loja. Ndoshta mund të pajtohemi edhe me barazim. Qëllimi është të fitojmë”, është shprehur Foda.

Ai ka analizuar edhe anët e forta të Irlandës. Thotë se Irlanda është ekip shumë atletik dhe ka dinamikë në lojë.

“Prandaj presim që të ketë duele një kundër një. Mirëpo ne duhet të mundohemi t’i zbatojmë detyrat dhe të vazhdojmë tutje”.

Kosova për ndeshjen ndaj Irlandës mund të mbështetet edhe në dy lojtarët e rinj, Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri. Të dy mesfushorët kanë marrë leje për t’u paraqitur me Kosovën pas ndërrimit të përfaqësuesve. Osmani ka luajtur për të rinjtë e Gjermanisë, kurse Kaçuri për të rinjtë e Zvicrës.
Foda ka bërë të ditur se sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani është gati për lojë.

“Erblin Osmani e ka treguar veten shumë mirë në ushtrime dhe ka dëshmuar pse e kemi ftuar në Kombëtare. Ka treguar aftësi të jashtëzakonshme teknike. Për moshën që e ka është shumë i fuqishëm fizikisht. Fisnik Asllani është në top-formë dhe njëkohësisht e ka treguar veten shumë mirë në ushtrime. E dimë që në ekipin e tij ka pasur pak minuta në dispozicion. Por besoj që Asllani do të dalë në fushë”, thotë Foda.

Ai ka njoftuar se Vedat Muriqi do të jetë kapiten i Kosovës, ndërsa zëvendës i tij Mërgim Vojvoda.
Foda ka thënë se synimi i Kosovës është vendi i parë në grup. Por pranon se Austria është favorite.

“Na presin ndeshje të vështira dhe dihet që në këtë grup është Austria favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj nëse paraqitemi mirë të vazhdojmë dhe të ngrihemi”.

Mesfushori Leon Avdullahu foli  me respekt për Irlandën. Por thotë se nuk i frikësohen asaj.

“Besoj që këtë respekt e kemi merituar nga Irlanda dhe nuk kemi pse të frikësohemi. Besoj që do të jetë lojë e vështirë, shumë fizike. Por i kemi bërë përgatitjet shumë mirë, e kemi analizuar lojën shumë mirë për të qenë gati nesër”, ka thënë Avdullahu.

Avdullahu ka theksuar se Irlanda luan lojë të shpejtë dhe fizike.

“Presim lojë fizike, të shpejtë. Kemi respekt për Irlandën. Do të jemi gati dhe nuk kemi pse të fshihemi”, ka thënë lideri i mesfushës "dardane".

Avdullahu ka përgëzuar lojtarët e rinj që kanë vendosur t’i bashkohen Kosovës. Ka thënë se “Kosova shkon duke u përforcuar”.