Support TIME. Preserve the truth.
football

Victory over Ireland, proof that Kosovo continues to grow

Kosova

Humbja nga Turqia më 31 mars i dha fund serisë së Kosovës prej gjashtë ndeshjeve pa disfatë. Për më tepër e la Kosovën jashtë Kupës së Botës të mbajtur në verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Humbja në “Fadil Vokrri” ishte e dhembshme, por e shoqëruar edhe me ndjenjë të krenarisë për rritjen që ka bërë përfaqësuesja e Kosovës në futboll.

Në fushë, “Dardanët” ishin të barabartë me lojtarët e Turqisë, ndonëse pësuan 1:0. Dhe fakti se luajtën në finale të plejofit për kualifikim në Botëror, ishte dëshmi që kishin arritur nivel tjetër, më të lartin deri më tani.

Pasoi humbja 2:1 në miqësore nga Çekia më 31 maj dhe më pas fitorja 3:0 ndaj Andorrës më 7 qershor. Ato dy ndeshje megjithatë tregojnë më pak për nivelin e vërtetë të Kosovës. Kosova nuk ishte me përbërjen më të fortë.

Përbërjen më të mirë të mundshme nuk e kishte as të enjten mbrëma ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”. Por fitorja 1:0 vlerësohet tjetër dëshmi se Kosova vazhdon të rritet si ekip kombëtar.

Kosova për herë të parë luan në Ligën B të Ligës së Kombeve. Irlanda vazhdimisht është paraqitur në këtë nivel. Irlanda për short ishte në vazon e tretë, e Kosova në të katërtën. Lojtarët e Irlandës kanë vlerë më të madhe se ata të Kosovës në tregun e transferimeve.

Por në fushë ishin lojtarët e Kosovës ata që dominuan. Dhe fitorja “vetëm” 1:0 nuk u vlerësua e drejtë. Paraqitja e Kosovës ishte më dominante se që e tregon rezultati. Statistikat e dëshmojnë këtë.

Plot 22 tentime gjithsej nga Kosova, vetëm tri nga Irlanda. Kosova i kishte gjashtë goditje që shkuan në kornizë të portës e Irlanda vetëm një. Edhe në shumë elemente të tjera të lojës, “dardanët” ishin dominantë ndaj irlandezëve.

Dhe ndonëse vetëm ndeshja e parë e kampanjës së re, Kosova dha shenja se po stabilizohet në nivelin serioz evropian. 

Ndeshja u zhvillua në moment emocional për vendin dhe në moment të ndieshëm sa i takon ekipit të futbollit. Pak kohë më parë kapiteni i deritashëm, Amir Rrahmani, tha se largohet nga përfaqësuesja i pakënaqur me drejtuesit e federatës. Për shumë kohë Rrahmani ishte lider i mbrojtjes, ndonëse në ciklin kualifikues për Botërorin 2026 mungoi në shumicën e ndeshjeve për shkak të lëndimeve. Valon Berisha dhe Fidan Aliti kanë vendosur t’i japin fund karrierës ndërkombëtare. Për shkak të lëndimeve munguan dy prej startuesve të rregullt, Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj.

Gjitha këto i përballoi Kosova. Nuk u rrezikua ndonjëherë në mbrojtje dhe krijoi disa raste të mira shënimi. Nuk është se mungesa e Muslijës e Rexhbeçajt nuk u vërejtën. Ndonjëherë ka munguar edhe kreativiteti i pëlqyer në sulm, por në përgjithësi Kosova dominoi, u kthye te fitorja në ndeshjet garuese dhe me optimizëm e pret ndeshjen me Austrinë, të dielën në Vjenë. 

Austria llogaritet favorite e grupit, kurse me shumë mund fitoi 3:1 ndaj Izraelit. Golat e fitores austriakët i shënuan në minutën e 90-të dhe 93-të.

“E kemi merituar fitoren”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda. “Kemi dominuar plotësisht. Kemi sulmuar vazhdimisht. Më ka pëlqyer që ekipi ka luajtur me shumë energji dhe shumë pasion. Kemi pasur mundësi edhe për gola të tjerë, por e rëndësishme është fitorja”.

Kapiteni i ri, Vedat Muriqi, e shënoi golin e fitores në minutën e 83-të. Ai ua ka kushtuar fitoren çlirimtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së. Muriqi e vlerëson fakti që cikli i ri në Ligën e Kombeve është nisur me fitore. 

“Nëse vazhdojmë kështu, nëse luajmë kështu, futbolli të jep dhurata. Kjo ishte dhurata jonë për sonte. Fitorja minimale, por tri pikë shumë të rëndësishme”, ka thënë Muriqi.

Tani fokusi është te ndeshja me Austrinë. Një rezultat pozitiv në Vjenë do të hapte rrugën drejt garës për Ligën A. Dhe do të dëshmonte që rritja e Kosovës nuk ka të ndalur.