Support TIME. Preserve the truth.
football

Enrique reveals what PSG needs for a third consecutive Champions League trophy

Luis Enrique

Trajneri Luis Enrique ka përsëritur se Paris Saint-Germainit i duhet të dalë nga “zona e komoditetit” në mënyrë që ta fitojë trofeun evropian për herë të tretë rresht.

PSG-ja e fillon mbrojtjen e titullit në Champions me ndeshjen ndaj Slovan Bratislavës në “Parkun e Princave”. Ndeshja, që në letër nuk pritet të jetë sfiduese për parisienët, zhvillohet të mërkurën nga ora 21:00.

Vetëm Real Madridi, Ajaxi dhe Bayerni kanë fituar nga tre tituj rresht të Evropës. Real Madridi e arriti këtë dy herë dhe për herë të vetme prej kur gara njihet si Liga e Kampionëve. U shpall fitues i Championsit në vitin 2016, 2017 dhe 2018. Madrilenët i fituan pesë titujt e parë evropianë, nga edicioni 1955/56 deri në atë 1959/1960.

Ajaxi triumfoi tri herë rresht nga viti 1971 deri në vitin 1973, ndërsa Bayerni nga viti 1974 deri në vitin 1976.

“Të gjithë janë të entuziazmuar dhe të motivuar të luajnë ndaj nesh”, ka thënë Enrique të martën.

“Duhet ta pranojmë këtë dhe të dalim nga zona e komoditetit. Jam i gatshëm të tregoj se duhet të rizbulosh veten çdo ditë”, ka shtuar tekniku spanjoll.

PSG-ja nuk është në formën më të mirë të mundshme. Mori vetëm dy pikë në tri xhirot e para të kampionatit francez dhe tashmë ka pësuar gjashtë gola.

Por Luis Enrique nuk është i brengosur. Ai e di që edicionin e kaluar skuadrës i është dashur kohë për ta gjetur ritmin e duhur para se ta fitonte titullin në Francë dhe Ligën e Kampionëve. Në dy edicionet e kaluara, Parisi është dashur të kalojë edhe plejofin e fazës nokaut.

“Nëse shohim vetëm rezultatet, është fillim i tmerrshëm i edicionit. Por si trajner ju dini si t’i qaseni dhe të gjykoni çdo gjë që ndodh në fushë. Ka gjëra për të përmirësuar, por mendoj se kemi merituar më shumë pikë”, ka thënë Enrique.

“Nuk ishim gjithnjë me fat kur kundërshtarët bënë goditje. Kemi pranuar disa gola vërtet të mirë. Nuk jam i brengosur. Do të shohim në fund të edicionit se çka meritojmë. Jam i qetë, por duhet të përmirësohemi”.

Kapiteni Marquinhos ka pranuar se disa gabime nuk lejohen në nivelin që ka skuadra.

“Si mbrojtës, është e dhimbshme kur pranon gola. Kemi pranuar goxha shumë në fillim të edicionit. Kemi parë videot dhe kemi punuar për t’u përmirësuar. Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe të shohim se çka mund të bëjmë më mirë. Kemi trajner që është i sinqertë me ne dhe ne e dimë çka duhet të përmirësojmë”.