Portieri Milo Beimers është ulur në pjesën e pasme të një furgoni në Alicante, duke u strehuar nga vapa spanjolle e pasdites.
Automjeti i përshtatur është shtëpia e tij mbi rrota drejt të ardhmes. 18-vjeçari ka qasje unike në synimin për të gjetur klub të ri.
Beimers mori vendimin të largohej nga Glentorani i Premier Leagues irlandeze, ku ishte që nga mosha 13-vjeçare, për të nisur kapitull të ri në Evropën kontinentale, shkruan BBC.
Me babain në timon, portieri u nis nga Belfasti për në Dublin, ku mori tragetin për në Francë. Pasoi udhëtimi drejt Spanjës, ku Beimers filloi provën e parë nga disa që i ka planifikuar.
Babë e bir u nisën drejt bregdetit spanjoll dhe përfundimisht do të shkojnë në brendi të vendit, e po ashtu përtej kufirit, në Lisbonë e Porto të Portugalisë.
also
The amazing rise of Diomande, the young Madrid star
Do të jetë udhëtim rrugor prej rreth 3200 kilometra. Dhe synimi është që Beimers të gjejë klubin e ri. Plani i rrugës dihet pak a shumë, por klubi i ardhshëm mbetet plotësisht i panjohur.
“Thjesht mendova se është mundësi e përsosur. Asgjë nuk më pengon”, ka thënë Beimers për BBC.
“Kjo është koha e duhur për këtë”.
Furgoni është i motrës së portierit. Është përshtatur për udhëtim të gjatë, ndonëse gjendjen fillimisht e kishte shumë të keqe. Mezi kaloi kontrollimin teknik.
“Shumë fëmijë do të donin të udhëtonin me babain e tyre. Duhet të jem mirënjohës për këtë dhe gjithashtu të shfrytëzoj mundësitë që më jepen këtu. Gjithë ky udhëtim do të na ofrojë edhe më shumë”, thotë Milo Beimers.
Përmes agjentit, Beimers ka aranzhuar prova në Spanjë e Portugali. E pret edhe një provë në Angli. Klubet janë të pesë niveleve të para në Spanjë e Portugali. Disa janë për grupmosha e disa për të rritur. Portieri gjithashtu po e mëson gjuhën spanjolle.
“Nëse nuk funksionon, gjithnjë do ta kem shtëpinë në Irlandën e Veriut. Është e lehtë të ulesh dhe të shpresosh se diçka do të vinte. Është më mirë të shkosh dhe ta bësh vet. Shpresojmë se do të funksionojë”.
Udhëtimi me furgon ka krijuar mundësi për të riun. Klubet nuk kanë nevojë të paguajnë për udhëtim apo akomodim të tij, siç do të bënin me lojtarë të tjerë. Kur nuk ka prova, Beimers dhe babai i tij qëndrojnë në plazhet pranë.
also
Inter and Girona begin contacts for Asllan
Portieri është i lindur në Irlandë të Veriut nga prindër kanadezë. Ka luajtur për Kanadanë në Botërorin U17, vjet. Ka edhe pasaportë holandeze për shkak të prejardhjes së gjyshit të tij dhe kjo e ndihmon për regjistrim në klubet evropiane.
Qëllimi i tij është të luajë në nivelin e lartë evropian.