Support TIME. Preserve the truth.
football

Batatina: The time has not come to see Llapi with glasses from the stands

Batatina

Skuadra e Llapit ka fituar vetëm një nga nëntë ndeshjet e edicionit aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Për më tepër është në vendin e parafundit me katër pikë. 

Vetëm Vushtrria është në vendin e fundit me një pikë më pak.

Por trajneri i Llapit, Tahir Batatina, s’e mendon dorëheqjen.

“Llapi duhet të arrijë në nivele të larta për ta parë me syze nga tribuna”, thotë trajneri llapjan për KOHËN.

Pozita e parafundit në tabelë nuk e shqetëson trajnerin Batatinën. 

“Do të përfundojmë në katër vendet e para. Besoj që do të kemi potencial dhe përmes Kupës së Kosovës do të dalim në Evropë”, është shprehur Batatina. “Nuk kam qenë i shqetësuar asnjëherë. Kam qenë në situata edhe më të vështira me Llapin dhe kam ditur që t’ia dal. Përkrahja nga drejtuesit e klubit asnjëherë nuk është vënë në dyshim, pasi që kam projekt më të madh me Llapin. E shoh Llapin ku do të jetë pas katër vjetëve dhe jo ku do të jetë sivjet. Kosova ka nevojë për Tahir Batatinën, të nxjerrë lojtar si Ilir Krasniqi dhe si Mirlind Daku. E kuptoj që futbolli ndonjëherë nuk i ka rezultatet që ti si trajner i synon, por vjen momenti që kthehesh sërish në rrugën e duhur, si fitorja e Real Madridit ndaj Romës. Ishte duke humbur 3:0, dhe në fund e fitoi ndeshjen 4:3”.

Aktualisht duket krejtësisht e kundërta prej asaj që thotë trajneri Batatina, i cili është në krye të Llapit. 
Batatina është trajner i Llapit nga viti 2013. 49-vjeçari Batatina me Llapin ka të fituar dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë.

“Kur kam thënë që Llapi do të jetë në Evropë, disa janë tallur duke thënë se Llapi nuk bëhet evropian, por e kam bërë evropian para të gjithëve. Mendoj që Llapi përveç vizionit që ka edhe atë se çfarë unë kam planifikuar, jam 50 hapa larg skuadrave të tjera. Edhe pse Llapi edicionin e kaluar nuk arriti të jetë në Evropë, sërish ka arritur të shesë lojtarë, kurse skuadrat e tjera kanë luajtur në Evropë dhe nuk kanë shitur lojtarë. Nuk diskutohet dorëheqja. Kam shumë punë për të bërë me Llapin, kam shumë futbollist të talentuar për t’i zbuluar”, ka theksuar Batatina.

Llapi ishte pjesë e garave kualifikuese evropiane në edicionet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2024/2025. Por pa arritur sukses. Nuk kaloi asnjë kundërshtar.

Llapi në vitet e fundit ka bërë shumë ndryshime në skuadër. Disa i ka larguar, e disa i ka shitur. Por ka afruar po ashtu shumë. Pritet shumë shpejt ta prezantojë një lojtar me të kaluar te Sivaspori i Turqisë.

Por ai nuk e ka zbuluar emrin. Thotë se bëhet fjalë për një lojtar mjaft cilësor.

Batatina thotë se mungesat shkaku lëndimeve po ashtu kanë ndikuar në rezultatet e ekipit. 

“Kemi pasur probleme me lëndime, pasi që katër qendërmbrojtësit nuk kanë qenë të gatshëm, tashmë janë kthyer. Mendoj që në dy ndeshjet e fundit edhe me Ballkanit dhe me Feronikelin 74 kemi merituar t’i marrim gjashtë pikë për shkak të paraqitjes së ekipit. Besoj që me formën që kemi do të rikthehemi së shpejti si skuadër me qenë në katër skuadrat e para”, thotë Batatina. 

Rregullimi i infrastrukturës në stadiumin “Zahir Pajaziti” po ashtu mbetet synim i madh i Batatinës. 

“Kemi plan me bë një kamp stërvitor me tri fusha futbolli, me hotel. Unë shoh më larg, kam projekt më larg. E kam dëshmuar me vite që i kam dhënë lojtarë shumë ligës së Kosovës. Nëse nuk ka ndonjë skuadër në Superligë që nuk ka ndonjë lojtar të Llapit, unë nuk punoj trajner”, ka thënë Batatina.

Llapi ndeshjen e radhës e ka kundër kampiones në fuqi të Kosovës, Dritës.

Gjilanasit i pret në Podujevë të shtunën.