Support TIME. Preserve the truth.
football

Avdullahu disappointed despite first goal in Bundesliga

Leon Avdullahu

Leon Avdullahu nuk shënon shumë gola. Më shumë është i njohur për punën e madhe që e kryen në mesfushë dhe para mbrojtjes së skuadrës së tij. 

22-vjeçari të shtunën shënoi gol të bukur e të rrallë, por mbeti i dëshpëruar. Skuadra e tij, Hoffenheimi, e pësoi humbjen e dytë rresht në Bundesligë. Është fillim i edicionit që nuk e kanë pritur Avdullahu me shokë.

Në xhiron e parë, Hoffenheimi humbi 3:2 në udhëtim nga Kolni. Në xhiron e dytë, po me 3:2 Hoffenheimi humbi në shtëpi nga Borussia Dortmundi.

Avdullahu shënoi gol të bukur me goditje nga distanca në minutën e 45-të, ndërsa për 2:0 Hoffenheimi realizoi në minutën e 54-t. Por Dortmundi më pas shënoi tre gola. Reprezentuesi tjetër i Kosovës, mbrojtësi Albian Hajdari realizoi autogolin për 3:2 në të mirë të Dortmundit në minutën e 86-të.

“Është shumë e hidhur. Luajtëm ndeshje të shkëlqyer për 60 minuta, por jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer. Fitorja ishte e mundur dhe do të ishte e merituar. Për fat të keq, ndeshja zgjat 90 minuta. Duhet të mësojmë nga kjo në mënyrë që të shkojmë deri në fund herën tjetër. Nuk mund të mendojmë se kemi fituar ndeshjen pasi kalojmë në epërsi. Menduam se ndeshja përfundoi. Nuk mund ta bësh këtë kundër Dortmundit”, ka thënë Avdullahu.

Ai e ka shënuar golin e parë në kampionatin gjerman në paraqitjen e 35-të. Në Superligën e Zvicrës i kishte dy gola në 63 paraqitje. Për Kosovën ende nuk ka gol në shtatë paraqitje. Por është shumë i rëndësishëm, njëjtë si te Hoffenheimi.

Avdullahu do të preferonte fitoren më shumë se golin.

“Pasi shënuam gol, shpesh ishim shumë të ngadalshëm dhe kjo nuk mjafton ndaj Dortmundit. Vladimir Coufal bëri punë të shkëlqyer para golit tim, por unë do të preferoja tri pikët”, ka shtuar Avdullahu.

Sulmuesi Fisnik Asllani vazhdon t’i mungojë Hoffenheimit për shkak të gjendjes fizike. Dhe mungesa e tij po vërehet në skuadër, të paktën sa u takon rezultateve. Mungesa e Asllanit mund ta shqetësojë edhe përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, në prag të ndeshjeve Irlandën, Austrinë dhe Izraelin. Ndeshja me Irlandën është më 24 shtator.