Troy Parrot shkëlqeu për Irlandën në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Austrisë, të zhvilluar para 45 mijë shikuesve të enjten mbrëma në Dublin. Ylli irlandez i shënoi dy gola për epërsinë 2:0 ndaj austriakëve. Por pjesa e dytë ishte tregim tjetër.
Austria shënoi në minutën e 71-të dhe 77-të përmes Alexander Prass e Michael Gregoritsch. Për më tepër ishte edhe pranë goli të tretë, përkatësisht të fitores. Ndeshja përfundoi 2:2 dhe reagimi i pjesës së dytë e ka lënë të kënaqur përzgjedhësin e Austrisë, Ralf Rangnick. Pas ndeshjes në Dublin, tekniku gjerman foli edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Kosovës, që zhvillohet të dielën nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri”.
“Duke e parë ndeshjen me Irlandën në tërësi, rezultati është në rregull. Tani duhet të sigurohemi që nuk do të humbim në Prishtinë dhe nuk do të kemi një pjesëlojë si pjesa e parë me Irlandën”, ka thënë Rangnick.
Nuk është rastësi që Austria kërkon të paktën një barazim ndaj Kosovës. Austriakët janë të vetëdijshëm për përkrahjen e madhe që ka Kosova nga tifozët dhe paraqitjet e forta të saj në “Fadil Vokrri”. Dhe me barazim do të mbahej diferenca prej tri pikëve me Kosovën. Ndërkohë që Irlandën, rivalen tjetër të grupit Austria e pret në ndeshjen tjetër.
Austria është lidere e grupit B3 me shtatë pikë. Kosova e Irlanda i kanë nga katër, ndërsa Izraeli vetëm një.
Mbrojtësi austriak, Stefan Posch, ka folur për atmosferën në Prishtinë. Ai ka thënë se Austria duhet të përgatitet për atmosferë të zjarrtë. Po ashtu ka theksuar se Kosova ka cilësi.
“Të luash si mysafir është krejtësisht ndryshe. E pamë në Vjenë se nëse u jep hapësirë, ata dinë vërtetë të luajnë. Kanë cilësi. Por nëse arrijmë të bëjmë sërish një paraqitje si ajo në Vjenë, kemi gjasa të mira për të fituar”, ka theksuar Posch për “ORF”.
Të dielën e kaluar, Austria fitoi 3:1 ndaj Kosovës në Vjenë. Një pjesë e mirë e 47 mijë shikuesve ishin mbështetës të Kosovës.
Edhe Austria pritet të ketë përkrahje në Prishtinë. Sipas “Krone” rreth 450 austriakë do të përkrahin përfaqësuesen e tyre në ndeshjen e së dielës.