Support TIME. Preserve the truth.
football

Amnesty International opposes Israel's appearance at the League of Nations

Israel

Paraqitja e Izraelit në Ligën e Kombeve të UEFA-s është tradhti ndaj palestinezëve, rregullave të futbollit dhe të drejtave të njeriut. 

Ky është titulli i një reagimi që të martën e ka publikuar organizata e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Amnesty International”.

Izraeli do të luajë ndër të tjera edhe me Kosovën. Në grup janë edhe Irlanda dhe Austria. Në Irlandë po kundërshtohet fuqishëm që përfaqësuesja e këtij vendi të luajë kundër Izraelit.

Tani edhe “Amnesty International” ka kundërshtuar garimin e Izraelit.

“Është e pafalshme që ekipi i futbollit i Izraelit do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve të UEFA-s këtë vjeshtë, pavarësisht provave të qarta se Federata e Futbollit e Izraelit vazhdon të mbështesë vendbanimet e paligjshme. Në vend se të dërgojë mesazh të qartë se ka kosto për pushtimin e paligjshëm të Territoreve të Pushtuara Palestineze nga ana e Izraelit dhe për krimet e tij mizore ndaj palestinezëve, UEFA po i ofron Izraelit skenë ndërkombëtare derisa ai vazhdon pushtimin brutal të territoreve, sistemin e tij të aparteidit ndaj të gjithë palestinezëve dhe gjenocidin e vazhdueshëm kundër palestinezëve në Rripin e Gazës”, ka thënë Steve Cockburn, drejtor rajonal për Evropë i “Amnesty International”.

Sipas Cockburn, UEFA dhe FIFA është dashur shumë më parë ta pezullojnë federatën izraelite, për shkak të refuzimit për të përjashtuar klubet që veprojnë në vendbanimet e paligjshme në Territoret e Pushtuara Palestineze. 

Me pjesëmarrjen e këtyre ekipeve në ligat izraelite, “Amnesty International” konsideron se po bëhen shkelje flagrante të statutit të FIFA-s.

“Ndërsa paratë vazhdojnë të rrjedhin nga FIFA dhe UEFA drejt federatës izraelite, ato rrezikojnë të kontribuojnë në qëndrueshmërinë e vendbanimeve të paligjshme dhe të pushtimit të paligjshëm të Territoreve të Pushtuara Palestineze  nga Izraeli. E rrjedhimisht edhe në shkeljet e të drejtave të njeriut të palestinezëve nga ana e Izraelit”, ka thënë Cockburn.

Izraeli të enjten luan me Austrinë. Më pas e pret në Hungari përfaqësuesen e Irlandës, të dielën. Ndërkohë më 1 tetor e pret edhe Kosovën në Hungari. Për shkak të kundërshtimeve, Irlanda ka vendosur që ndeshjen e 4 tetorit si vendase me Izraelin ta organizojë në terren neutral, përkatësisht në Serbi. Irlandezët vazhdojnë të kundërshtojnë ndeshjet me Izraelin, ndonëse kanë mbetur pak ditë deri në zhvillimin e tyre.

“Ndërsa ekipi i Izraelit udhëton drejt Evropës, familjet palestineze po shpërngulen dhe po u merret prona. Tokat e tyre po vidhen, pemët e ullirit shkulen dhe historitë e tyre fshihen nga kolonët me mbështetjen e ushtrisë izraelite. Loja e bukur duhet t’i bashkojë njerëzit, jo të legjitimojë aparteidin”, ka thënë Steve Cockburn, drejtor i “Amnesty International” për Evropë.

Në tetor të vitit 2025, “Amnesty International” i shkroi FIFA-s dhe UEFA-s me kërkesë për pezullim të federatës izraelite. Por kërkesa e organizatës së njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është refuzuar. Rasti ndërkohë është dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.