Support TIME. Preserve the truth.
football

Adoleshentët skocezë që pritet ta përfaqësojnë Ugandën

Uganda - Skoci

Vëllezërit adoleshentë, Olly dhe Seb Fisher, po i afrohen realizimit të ëndrrës së tyre për njohje ndërkombëtare. Por kjo nuk do të vijë nga vendlindja e tyre, Skocia.

Dyshja e klubit Patrick Thistle është në rrugën e duhur për të luajtur për Ugandën.

Ata besojnë se do të bëhen lojtarët e parë të bardhë që përfaqësojnë këtë vend afrikan, shkruan BBC-ja. Nëna e dy lojtarëve, Kate, ka lindur në Ugandë.

“Gjyshërit e mi jetuan këtu për katër apo pesë vjet”, thotë 18-vjeçari Olly. “Gjyshi im erdhi për të dhënë mësim në një shkollë dhe më pas nëna ime lindi këtu. Pra është një situatë disi e pazakontë”.
Vëllezërit mësuan për interesimin e Ugandës rreth gjashtë muaj më parë, pas një bisede të rastësishme që babai i tyre kishte bërë më herët me një konsulent futbolli gjatë një ndeshjeje në Nigeri. 

Në fillim të gushtit ata u ftuan të merrnin pjesë në kampet stërvitore të ekipeve kombëtare U20 dhe U17. E kaluan javën e kaluar në Jinja, në rajonin lindor të Ugandës, dhe do të qëndrojnë edhe për një javë tjetër. Dy lojtarët janë të habitur dhe të nderuar nga këto ftesa.

“Nuk mund të besoja”, tha sulmuesi 16-vjeçar, Seb. “Është nga ato gjëra që kur i sheh, mbetesh i shtangur. Nuk mund të besosh. Edhe të tjerët nuk mund të besonin”.

Portieri Olly reagoi ngjashëm.

“Një përzierje e vërtetë emocionesh. Mbeta i habitur. Nuk e mendoja vërtet se kjo ishte një mundësi, por isha i nderuar që m’u kërkua të përfaqësoja Ugandën. Mendova se ishte një mundësi e madhe”, thotë ai.

Nëna e tyre, Kate, është shumë e entuziazmuar dhe mendon se do të jetë përvojë e shkëlqyer për ta.
Ekziston edhe një tjetër lidhje skoceze me Ugandën. Ish-mesfushori i Hearts dhe i Ganës, Lareya Kingston, është aktualisht trajner i ekipit U20 të Ugandës. Ai beson se vëllezërit Fisher janë në prag të historisë.

“Trajneri Kingston na tha se do të ishim djemtë e parë të bardhë që do të luanin për Ugandën, gjë që do të ishte një moment historik. Është diçka e veçantë”, thotë Seb.

Të dy ndihen sikur po krijojnë lidhje me vendin e afrikan, pasi janë rritur duke dëgjuar histori për Ugandën nga gjyshërit e tyre.

Olly shpreson të jetë pjesë e ekipit U20 të Ugandës, nëse kualifikohet në Kupën e Afrikës. Seb mund të jetë në skuadrën U17 për Kupën e Botës.