Support TIME. Preserve the truth.
World

Xi is expected to ask Trump to halt arms sales to Taiwan

Donald Trump - Xi Jinping

Presidenti kinez, Xi Jinping, pritet t’i kërkojë presidentit amerikan, Donald Trump, që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë shitjet e armëve për Tajvanin, duke iu referuar deklaratës së përbashkët SHBA-Kinë të vitit 1982. 

Kërkesa do të jetë një nga temat kryesore të takimit të dy liderëve në Uashington këtë javë, sipas burimeve të informuara për bisedimet paraprake, raportoi të martën Reuters.

Tre burime të njohura me diskutimet mes SHBA-së dhe Kinës thanë se Pekini pritet të mbështetet te interpretimi i komunikatës së tretë të përbashkët SHBA-Kinë, të nënshkruar në vitin 1982. 

Në atë dokument, Uashingtoni deklaronte se synonte të reduktonte gradualisht shitjet e armëve për Tajvanin dhe se nuk kërkonte të mbante politikë afatgjatë të shitjeve të armëve drejt Taipeit.

Megjithatë, në një memorandum shoqërues, presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Reagan e kushtëzonte këtë angazhim me vazhdimin e përkushtimit të Kinës për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve me Tajvanin.

Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Kina nuk pritet të kërkojë vetëm ndalimin e shitjeve të reja, por edhe pezullimin e dërgesave të armëve që Tajvani i ka porositur tashmë.

Pekini mund t’i paraqesë Trumpit argumentin se Tajvani është burimi i destabilitetit në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe se Taipei po ndryshon status quo-në në ngushticën e Tajvanit.

Sipas burimeve, në këmbim të një qasjeje më të favorshme amerikane ndaj çështjes së Tajvanit, Kina mund të ofrojë bashkëpunim për të ushtruar presion ndaj Iranit lidhur me luftën në Lindjen e Mesme.
Gazeta zyrtare kineze “People's Daily” paralajmëroi të martën se menaxhimi i gabuar i çështjes së Tajvanit mund t'i çojë marrëdhëniet SHBA-Kinë drejt një "situate shumë të rrezikshme".

Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare me Tajvanin, por ligji amerikan i detyron ato t’i ofrojnë ishullit mjete për vetëmbrojtje. 

Në të njëjtën kohë, një dokument tjetër i vitit 1982, i njohur si "Six Assurances", përcaktonte se SHBA-ja nuk kishte vendosur afat për përfundimin e shitjeve të armëve ndaj Tajvanit dhe nuk ishte zotuar të konsultohej paraprakisht me Pekinin për këto shitje. Dokumenti u deklasifikua në vitin 2020.

Administrata Trump miratoi në dhjetor një paketë armësh me vlerë rreth 11 miliardë dollarë për Tajvanin, më e madhja e këtij lloji deri tani. 

Një paketë e dytë, me vlerë rreth 14 miliardë dollarë, ka mbetur pezull prej muajsh. Pas një takimi me Xi-në në Pekin në maj, Trumpi tha se po e mbante paketën në pritje dhe e cilësoi atë si "kartë shumë të mirë negocimi".

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trumpi do të marrë një vendim për paketën e re të armëve brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Xi pritet të mbërrijë në Uashington të mërkurën. Bisedimet zyrtare me Trumpin janë planifikuar për të enjten, ndërsa vizita në Arkivin Kombëtar të SHBA-së pritet të zhvillohet të premten.