Support TIME. Preserve the truth.
World

Trump publicly rejects Iran's proposal for a deal

Trump

Është refuzuar propozimi i Iranit për marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Sipas presidentit amerikan, Teherani po kërkon marrëveshje për ta rihapur menjëherë Ngushticën, pasi Irani po përballet me humbje të mëdha ekonomike

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka refuzuar propozimin e Iranit për marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, pjesë e të cilit është rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe ndalja e luftimeve në Lindjen e Mesme.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka thënë të shtunën se Teherani po kërkon  marrëveshje për të rihapur menjëherë Ngushticën, pasi, sipas tij, Irani po përballet me humbje të mëdha ekonomike.

“E refuzoj propozimin e tyre. E kam refuzuar marrëveshjen e tyre. Ata duan të bëjnë një marrëveshje për ta hapur menjëherë Ngushticën e Hormuzit, sepse po humbin shumë. Ne po fitojmë në mënyrë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar ai.

Trump ka pretenduar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll mbi Ngushticën.

Propozimi iranian qe paraqitur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York dhe iu përcoll palës amerikane përmes ndërmjetësve nga Katari.

Sipas Teheranit, marrëveshja do të mundësonte rihapjen e Ngushticës dhe ndaljen e luftimeve në rajon brenda shtatë ditësh.

Në këmbim, Irani kërkonte që Shtetet e Bashkuara të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane dhe të pezullojnë masat ekonomike ndaj eksporteve të naftës.

Refuzimin e propozimit iranian e ka raportuar fillimisht gazeta amerikane “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë amerikanë që nuk janë identifikuar.

Sipas gazetës, Trumpi ishte skeptik nëse Irani do t’i përmbushte kërkesat e tij dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve se një fushatë e re bombardimesh mund të jetë e mundshme pas zgjedhjeve të nëntorit.

Pas publikimit të këtij informacioni, Trumpi reagoi në rrjetet sociale duke ironizuar liderët iranianë. Ai ka publikuar një fotografi, së cilës ia shoqëroi mesazhin: “Ngushtica Trump”.

Ndërkaq, detajet e propozimit të Iranit u bënë të ditura të premten nga ministri i Jashtëm i këtij shteti, Abbas Araghchi.

Sipas tij, Teherani zyrtar është i gatshëm të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pezullojë luftimet në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Në këmbim, Irani ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane, të zhbllokojnë fondet e ngrira të Iranit dhe të heqin sanksionet ndaj eksporteve të naftës.

Araghchi ka thënë se pas një marrëveshjeje fillestare, palët mund të kalojnë në bisedime më të gjera për çështje të dakorduara. Në këto diskutime mund të përfshihet edhe programi bërthamor i Iranit.

Megjithatë, presidenti Trump, ka deklaruar se Teherani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore.

Në anën tjetër, një zyrtar i lartë iranian ka thënë për “Reuters” se Irani nuk do të tregojë fleksibilitet për programin e tij bërthamor, edhe nëse Washingtoni pranon marrëveshjen e propozuar.

Sipas këtij zyrtari, nuk do të bëhen lëshime për pasurimin e uraniumit apo nxjerrjen nga vendi të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Përpjekjet e mëparshme diplomatike nuk kanë arritur t’i japin fund luftës, e cila nisi më 28 shkurt me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

Që nga atëherë, konflikti është shoqëruar me periudha armëpushimi dhe më pas me sulme të reja.