Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi, pas një sërë raportimesh për sjellje të pahijshme, ka bërë të ditur të dielën një burim i CNN-it.
Trumpi ka përcjellë raportimet sipas të cilave Guilfoyle, e cila ishte e fejuar për katër vjet me djalin e madh të presidentit, Donald Trump Jr., ka pranuar dhurata luksoze gjatë ushtrimit të detyrës si ambasadore dhe ka kërkuar para në këmbim të sigurimit të qasjes te zyrtarë të administratës, përpara konfirmimit të saj në këtë post.
Raportimet kanë shkaktuar pakënaqësi te zyrtarët e lartë të administratës, veçanërisht pasi ato u publikuan në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po vizitonte Athinën për të mbajtur një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, nga Akropoli.
Sipas personit në dijeni të çështjes, Trumpi pritet të vendosë së shpejti nëse do ta shkarkojë Guilfoyle. Presidenti nuk e mbrojti atë kur CNN-i e pyeti të premten për akuzat.
“E dëgjova vetëm tani. Sa keq. Dua të them, nuk e di”, tha Trumpi. “Kam dëgjuar vetëm pak për këtë. Nuk di shumë, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme.”
CNN-i i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për një koment lidhur me këtë çështje.
Eric Deters, një ish-donator i Trumpit, tha se Guilfoyle i kishte kërkuar përmes një mesazhi që t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer borxhin e një karte American Express, në ditët para konfirmimit të saj nga Senati. Deters përfundimisht nuk ia transferoi paratë, duke thënë se në atë kohë nuk kishte mjete të mjaftueshme financiare të gatshme.
Një avokat i ambasadores i tha gazetës The Wall Street Journal, e cila raportoi e para për mesazhet, se Guilfoyle e kundërshtonte vërtetësinë e tyre.
Sipas personit të njohur me çështjen, Guilfoyle u ka mohuar javën e kaluar zyrtarëve të administratës se i kishte dërguar këto mesazhe.
Guilfoyle ka ruajtur marrëdhënie të afërta me familjen Trump. Pas ndarjes nga Donald Trump Jr., ajo u emërua në postin e rëndësishëm diplomatik në Greqi.
Aleatë të presidentit dhe të djalit të tij i thanë CNN-it se e konsideronin këtë episod të turpshëm, megjithëse ende nuk është e qartë nëse Guilfoyle do të përballet me pasoja.
Trumpi ka bërë vazhdimisht të qartë se nuk është i kënaqur kur aleatët e tij përfitojnë financiarisht nga marrëdhënia me të.
Nënpresidenti JD Vance të premten nuk pranoi të paragjykonte nëse Guilfoyle duhet të përballet me pasoja, duke thënë se refuzonte t’i “gjykonte njerëzit në bazë të opinionit publik”.
Megjithatë, ai tha se, në përgjithësi, ndihej i parehatshëm me skemat ku paratë ofrohen në këmbim të qasjes te zyrtarët.
“Sigurisht që nuk më pëlqen kur dikush shet qasje te një zyrtar tjetër qeveritar, veçanërisht te një zyrtar i nivelit të lartë”, tha Vance. “Le të shohim se cila është e vërteta. Dhe, natyrisht, nëse ka ndodhur diçka e keqe, atëherë njerëzit duhet të përballen me pasojat”.