Deti Kaspik është bërë rajoni më i fundit që është përfshirë në konfliktin në rritje mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij, jo më pak për faktin se ai përbën një arterie jetike në marrëdhënien gjithnjë e më të ngushtë mes Iranit dhe Rusisë.
Ukraina ka thënë gjatë fundjavës se dronët e saj kanë goditur dy anije ruse që transportonin ngarkesa ushtarake në Detin Kaspik, trupin më të madh ujor të mbyllur në botë. Sipas Kievit, të dyja anijet ishin nisur nga Irani drejt një porti rus.
Në një postim në platformën X të shtunën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se objektivat përfshinin “anije që ishin përfshirë në transportimin e ngarkesave ushtarake nga Irani, si dhe një anije luftarake”, e cila më vonë u identifikua nga shërbimi ukrainas i sigurisë si një anije raketore ruse.
Irani ka reaguar duke deklaruar se një nga anijet e tij tregtare, e cila transportonte një ngarkesë hekuri, ishte goditur, duke lënë të vrarë një marinar dhe tre të tjerë të plagosur.
Anija, emrin e së cilës autoritetet iraniane nuk e kanë bërë publik, po lundronte nga porti rus Astrakhanit drejt Anzalit në Iran. Guvernatori rajonal iranian, Hadi Hagh-Shenas, e ka përshkruar këtë rrugë si “një korridor të sigurt dhe të besueshëm për shkëmbimet tregtare mes dy porteve”.
also
"America First" is becoming "Trump First"
Tensionet janë përshkallëzuar edhe më tej të hënën, kur zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka deklaruar se “Aventurizmi i rrezikshëm i Ukrainës sigurisht që nuk do të mbetet pa përgjigje nga ana jonë”. Ndërkohë, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Teheran është thirrur në ministrinë e Jashtme iraniane lidhur me incidentin.
Ku ndodhet Deti Kaspik?
Akuzat reciproke pasqyrojnë rëndësinë gjithnjë e më të madhe të Detit Kaspik, i cili kufizohet nga pesë shtete, përfshirë Iranin dhe Rusinë. Me bllokimin e porteve iraniane në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, Deti Kaspik ka marrë një rëndësi të re si rrugë tregtare.
Sipas Bijan Khajehpour, partner drejtues i kompanisë konsulente “Eurasian Nexus Partners” me seli në Vjenë, Deti Kaspik mund ta ndihmojë Iranin të zhvillojë “një strategji më të larmishme tregtare, veçanërisht nëse Irani nxit tregtinë me Rusinë, Kaukazin, Azinë Qendrore, Kinën përmes hekurudhës dhe, tërthorazi, Evropën Lindore”.
Ai ka thënë për CNN se Kaspiku është “një plotësues strategjik dhe jo një zëvendësues i qasjes ekzistuese detare të Iranit përmes ujërave jugore”.
Mes mallrave që transportohen përmes Detit Kaspik janë drithërat dhe çeliku rus. Irani ka zhvilluar disa porte të rëndësishme në këtë det, mes tyre edhe Anzalin. Ndërkohë, nafta dhe gazi nga Kazakistani transportohen nga Deti Kaspik drejt një qendre në Detin e Zi.
Për Rusinë, Deti Kaspik është një korridor i rëndësishëm drejt Azisë Qendrore dhe Iranit, si edhe një rrugë kyçe në partneritetin e saj strategjik në zgjerim me Teheranin. Ky partneritet përfshin bashkëpunim ushtarak, si dhe rolin e Rusisë në programin civil bërthamor të Iranit dhe në kërkimin e naftës në territorin iranian.
“Bllokada e fundit nga SHBA-ja (e porteve iraniane) ka nxjerrë në pah vlerën strategjike të rrugës së Detit Kaspik”, ka thënë Khajehpour.
Ai ka shtuar se kjo rrugë është gjithashtu më pak e cenueshme ndaj sanksioneve ndërkombëtare, pasi është një det i mbyllur dhe kontrollohet kryesisht nga Irani, Rusia dhe shtetet fqinje, përtej shtrirjes së flotave detare perëndimore.
Pse Deti Kaspik është kaq i rëndësishëm për Iranin dhe Rusinë?
Deti Kaspik është shndërruar në një korridor për lidhjet gjithnjë e më të forta ushtarake mes Moskës dhe Teheranit. Irani dhe Rusia kanë një marrëveshje të gjerë strategjike që mbulon bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak, megjithëse ajo nuk është një pakt për mbrojtje të ndërsjellë.
also
Armed robots on the battlefield, Ukraine's new strategy against Russia
Rusia ka marrë dërgesat e para të dronëve sulmues iranianë Shahed përmes Detit Kaspik në fazat e para të luftës në Ukrainë, dhe që atëherë ka prodhuar versione të reja të këtyre dronëve në fabrika brenda territorit rus.
Rruga e Detit Kaspik, që lidh portet veriore të Iranit me portin rus të Astrakhanit, është vënë në shënjestër nga Ukraina edhe më parë. Gushtin e kaluar, një anije mallrash, Port Olya 4, ishte shkatërruar ndërsa, sipas raportimeve, ishte e ngarkuar me pjesë për dronët Shahed-136 dhe municione iraniane.
Në vitin 2024, CNN ka raportuar se një anije ruse mallrash, e dyshuar se transportonte raketa balistike iraniane për luftën e Moskës kundër Ukrainës, ishte parë në një port rus në Detin Kaspik.
Departamenti amerikan i Thesarit ka vlerësuar se ministria ruse e Mbrojtjes kishte “përdorur anijen Port Olya-3 për të transportuar raketa balistike me rreze të shkurtër (CRBM) nga Irani në Rusi”.
Sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte deklaruar se Uashingtoni besonte se ushtria ruse kishte marrë dërgesa me raketa balistike iraniane Fatah-360 dhe se “ka shumë të ngjarë t’i përdorë ato brenda pak javësh në Ukrainë kundër ukrainasve”.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së kishte paralajmëruar për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Iranit dhe Rusisë. Zëdhënësi Sean Savett i kishte thënë atëherë CNN-it se “çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përbënte një përshkallëzim dramatik të mbështetjes së Iranit” për Kremlinin në pushtimin e Ukrainës.
Irani mohoi në atë kohë se po i ofronte ndihmë ushtarake Rusisë.
Çfarë synon të arrijë Ukraina me këto sulme?
Sulmet me dronë të Ukrainës ndaj anijeve dhe infrastrukturës energjetike në Detin Kaspik gjatë fundjavës janë një demonstrim i aftësive të saj gjithnjë e më të mëdha për goditje në distanca të gjata, si dhe i synimit për të dëmtuar industritë që mbështesin përpjekjet luftarake të Rusisë.
Po ashtu, ato pasqyrojnë bindjen e Kievit se Irani, njësoj si Koreja e Veriut, luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e Rusisë me armë.
also
China and India pledge to be partners, not rivals
Përveç sulmeve në Detin Kaspik, Zelensky ka deklaruar se, sipas shërbimeve të inteligjencës ukrainase, Rusia i ka siguruar Iranit të dhëna satelitore për të kryer sulme ndaj objekteve amerikane në Lindjen e Mesme.
Mesazhi i Ukrainës është i qartë: “Ne jemi në të njëjtën anë.”