Support TIME. Preserve the truth.
World

How the US controls Iraq's oil revenues

Iraq

Photo: Associated Press

Edhe pse prania ushtarake amerikane në Irak po hyn në një fazë të re, ndikimi i Uashingtonit mbi vendin nuk kufizohet vetëm te çështjet e sigurisë. Një nga mekanizmat më të rëndësishëm të këtij ndikimi është mënyra se si menaxhohen të ardhurat e Irakut nga nafta, të cilat vazhdojnë të mbahen në sistemin financiar amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur rol të rëndësishëm në administrimin e të ardhurave të naftës së këtij vendi që nga viti 2003. Mekanizmi kryesor është llogaria e Bankës Qendrore të Irakut në Rezervën Federale të New Yorkut, raportoi Reuters.

Pas pushtimit të vitit 2003, Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit, i drejtuar nga SHBA-ja, krijoi Fondin për Zhvillimin e Irakut, i njohur si DFI. Fondi u vendos në Rezervën Federale të New Yorkut dhe synonte të mblidhte të ardhurat nga nafta për financimin e rindërtimit dhe zhvillimit të Irakut.

Një tjetër qëllim ishte mbrojtja e këtyre të ardhurave nga pretendimet dhe paditë që lidheshin me regjimin e Saddam Husseinit.

Mekanizmi u krijua përmes një urdhri ekzekutiv të presidentit të atëhershëm amerikan George W. Bush dhe është rinovuar nga presidentët amerikanë në vijim. Me kalimin e viteve, DFI-ja u shndërrua në një llogari të Bankës Qendrore të Irakut në Rezervën Federale të New Yorkut, ku të ardhurat e naftës vazhdojnë të mbahen.

Pse kjo i jep SHBA-së ndikim mbi Bagdadin?

Nafta është burimi kryesor i të ardhurave të shtetit irakian dhe përbën rreth 90% të buxhetit të vendit. Për këtë arsye, mënyra se si menaxhohen të ardhurat nga nafta ka rëndësi të drejtpërdrejtë për funksionimin e ekonomisë dhe financave publike të Irakut.

Ky mekanizëm i jep Uashingtonit një levë të rëndësishme ekonomike. Sipas raportimeve të Reuters, në vitin 2020, kur qeveria irakiane kërkoi largimin e trupave amerikane, Washingtoni raportohet se kërcënoi me ndërprerjen e qasjes së Irakut në fondet e mbajtura në Rezervën Federale. Bagdadi më pas tërhoqi kërkesën.

Megjithëse Iraku ka fituar më shumë kontroll mbi financat e tij që nga vitet e para të pushtimit, lidhja me sistemin financiar amerikan mbetet element i rëndësishëm i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pse Iraku e ka mbajtur këtë sistem?

Sipas zyrtarëve irakianë të cituar nga Reuters, mekanizmi ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe në mbrojtjen e të ardhurave shtetërore.

Mbajtja e rezervave në sistemin financiar amerikan synon gjithashtu të rrisë besimin ndërkombëtar te menaxhimi i të ardhurave të naftës, ta lehtësojë qasjen e Irakut në dollarë për tregti dhe importe dhe të mbrojë fondet nga pretendimet e kreditorëve apo goditjet financiare.

Sistemi ka një rol edhe në stabilitetin e kursit të këmbimit dhe në funksionimin e ekonomisë irakiane.

Në të njëjtën kohë, kontrolli mbi qasjen në dollarë ka krijuar tensione me grupe dhe aktorë politikë të lidhur me Iranin. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj disa bankave dhe individëve irakianë, duke i akuzuar për pastrim parash në favor të Iranit.

Pasojat në tregun e dollarit

Kufizimet mbi furnizimin me dollarë kanë pasur edhe pasoja në ekonominë e brendshme irakiane. Ato kanë kontribuar në krijimin e një tregu paralel të dollarit, ku kursi i këmbimit ndryshon nga ai zyrtar i përcaktuar nga Banka Qendrore e Irakut.

Diferenca mes kursit zyrtar dhe atij në tregun informal pasqyron rrezikun dhe kostot e transaksioneve jashtë sistemit financiar formal.

Çështja është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të marrëdhënieve të Irakut me Iranin. Teherani e ka përdorur Irakun si kanal të rëndësishëm ekonomik, ndërsa politika amerikane e “presionit maksimal” ndaj Iranit ka ushtruar presion shtesë mbi Bagdadin.

Një ndikim që shkon përtej pranisë ushtarake

Largimi gradual i forcave amerikane nga bazat e fundit në Irak shënon ndryshim të rëndësishëm në praninë fizike të SHBA-së në vend. Megjithatë, kontrolli dhe mbikëqyrja që lidhen me qarkullimin e të ardhurave të naftës tregojnë se ndikimi amerikan nuk është vetëm ushtarak.

Për Irakun, mekanizmi ofron qasje në sistemin financiar ndërkombëtar, mbrojtje të rezervave dhe stabilitet monetar. Për Washingtonin, ndërkohë, ai përbën një instrument të rëndësishëm ndikimi në një vend që ndodhet në qendër të rivalitetit amerikan me Iranin.

Kështu, edhe në një periudhë kur Iraku kërkon të forcojë sovranitetin e tij ekonomik dhe politik, mënyra se si menaxhohen miliardat e dollarëve nga nafta mbetet e lidhur ngushtë me sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara.