Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dy nga të dërguarit e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kanë takuar në Moskë presidentin rus, Vladimir Putin, në nisjen e përpjekjeve të reja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Vizita e Witkoffit dhe Kushnerit ndodh pas përshkallëzimit të sulmeve ajrore nga Rusia dhe Ukraina. Putini dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, janë pajtuar t’i pezullojnë sulmet ndaj kryeqyteteve.
Në nisjen e vizitës, presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se dy emisarët “kanë me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”. Para gazetarëve, Trumpi nuk ka dhënë asnjë detaj se cili mund të jetë plani i tij i ri.
Trumpi e pati bërë përfundimin e luftës një prioritet në fillim të mandatit të tij të dytë, por përpjekjet e tij deri më tani kanë dhënë pak rezultate.
“Unë dërgova Steve Witkoffin dhe Jared Kushnerin, dy negociatorët e shkëlqyer. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer. Dhe ne i dërguam ata për të parë nëse mund të arrijmë diçka apo jo. Dhe mund të ketë një shans të mirë që ta bëjmë”, ka thënë Trumpi.
Në nisje të takimit në Moskë, Putini u kërkoi Kushnerit e Witkoffit që t’i çonin përshëndetje të ngrohta Trumpit. Ai aty e ka përshkruar situatën në Ukrainë si “jo të thjeshtë”.
E para takimit, media shtetërore ruse, duke cituar Kremlinin, ka raportuar se Putini ka urdhëruar të mos ndërmerren sulme ndaj Kievit për tri ditë, duke filluar nga mesnata e së shtunës, për shkak të vizitës së amerikanëve.
Më herët të shtunën, Zelensky u shpreh se Rusia ka kryer sulme demonstrative ndaj aeroporteve në Kiev dhe Boryspil gjatë natës përpara takimit të tij të planifikuar me të dërguarit amerikanë.
Të dërguarit amerikanë pas takimit me Putinin, do të kenë takim të veçantë në Kiev edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Të dy të dërguarit kanë udhëtuar në Moskë në disa raste qëkur Trumpi u rikthye në detyrë, por e diela do të jetë vizita e tyre e parë në Kiev.
Hapësira ajrore e Ukrainës është mbyllur që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Zelenskyy të premten u shpreh se do të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore ruse gjatë vizitës së të dërguarve dhe bëri thirrje që Rusia të bënte të njëjtën gjë për Ukrainën.
“Sapo fola me të dërguarit e presidentit të SHBA-së. Ata kanë filluar të punojnë me palën ruse sot. Që nga momenti i kësaj bisede, ne jemi gati të respektojmë një armëpushim në sulmet ajrore kundër qyteteve të përfshira në procesin e negociatave. Nga tani deri në fund të së shtunës, si dhe të dielën dhe të hënën, Ukraina është gati të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës dhe presim që rusët të bëjnë të njëjtën gjë në lidhje me Kievin”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar gjithashtu se një sulm rus gjatë natës në një ndërtesë civile në rajonin e Dniprosë vrau katër persona dhe plagosi pesë të tjerë.
Vizita e Witkoffit dhe Kushnerit në Moskë ndodh pak më shumë se një javë pas një vizite të rrallë në kryeqytetin rus nga kreu i CIA-s, John Ratcliffe. Nuk pati asnjë koment zyrtar nga Washingtoni apo Kremlini për atë që u diskutua. Duke folur javën e kaluar, Trumpi e pati përshkruar takimin si “gjysmë rutinë”.
Vitin e kaluar, SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia veçmas sugjeruan se një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës po afrohej pas një sërë bisedimesh të ndërmjetësuara nga amerikanët. Mosmarrëveshjet kryesore midis palëve ndërluftuese mbeten për çështje të tilla si territori dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Përpjekja e Washingtonit për t’i dhënë fund luftës pati humbur momentumin pasi vëmendja e SHBA-së ishte e fokusuar në luftën në Iran qe gjashtë muaj. Hera e fundit kur Moska qe vizituar nga këta dy emisarë ishte në janar, kur po ashtu ishin takuar me Putinin në Kremlin.