Support TIME. Preserve the truth.
World

The city that risks running out of water by 2030, for many residents that day has come

Water shortage - Kabul

Kabuli po përballet me një krizë të rëndë për mungesë uji, e cila po e bën jetën e përditshme gjithnjë e më të vështirë për miliona banorë. Rënia e sasisë së ujërave nëntokësore, thatësirat, ndryshimet klimatike dhe rritja e shpejtë e popullsisë po e çojnë qytetin drejt një “dite zero”, ku uji mund të bëhet një burim i paarritshëm për shumë familje

Shazia e di se si do të jetë jeta në një qytet të madh që ka mbetur pa ujë, sepse ajo po e përjeton tashmë këtë realitet. Dhe jeta është e padurueshme.

34-vjeçarja jeton në lagjen Khair Khana të Kabulit, kryeqytetit të Afganistanit, së bashku me tre fëmijët dhe bashkëshortin e saj, i cili siguron të ardhurat e familjes duke shitur produkte në rrugë. Në shtëpinë e tyre nuk ka ujë të rrjedhshëm dhe familja nuk ka mundësi të blejë ujë nga cisternat, të cilat në rrugët e Kabulit shpesh janë më të shumta se makinat.

Çdo ditë, Shazia dhe fëmijët e saj duhet të ecin deri te një xhami pranë shtëpisë dhe të presin radhën, ndonjëherë për më shumë se një orë, për të mbushur kovat me ujë nga një pompë dore. Më pas, duhet t’i bartin ato deri në shtëpi.

Ajo thotë se i dhemb shpina dhe nuk dëshiron t’i nxjerrë fëmijët nga shtëpia pas mësimit për të marrë ujë, por familja nuk ka zgjidhje tjetër.

Kabulit rrezikon të bëhet qyteti i parë modern në botë që mbetet pa ujë. Sipas një raporti të fundit të organizatës joqeveritare “Prosper Global”, kjo mund të ndodhë që në vitin 2030. Por për Shazian dhe shumë banorë të tjerë të këtij qyteti që po zgjerohet me shpejtësi, ajo ditë duket se ka ardhur tashmë.
Ata janë në vijën e parë të një krize gjithnjë e më të madhe të ujit, e cila nuk është e kufizuar vetëm në Kabul.

Qytete në mbarë botën, nga Corpus Christi në Teksas deri te Teherani në Iran, po përballen me mungesa aq të mëdha uji, saqë banorët po përgatiten për atë që njihet si “dita zero” – momenti kur rubinetet pushojnë së furnizuari me ujë për një pjesë të madhe të qytetit.

Shkaqet janë shpesh të njëjta: rritja e shpejtë e popullsisë përballet me infrastrukturë të pamjaftueshme dhe të keqfinancuar të ujësjellësit. Në sfond qëndron edhe kriza klimatike, e cila po sjell temperatura më të larta, më pak reshje dhe po prish ekuilibrin e ciklit të ujit.

Nga qytetet që përballen me rrezikun e “ditës zero”, situata në Kabul mund të jetë ndër më të rëndat. Kryeqyteti afgan është një nga qytetet me rritjen më të shpejtë në botë dhe ndodhet në një prej vendeve më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Afganistani, ndërkohë, është përballur me dekada konflikti dhe ndihma ndërkombëtare për vendin është reduktuar ndjeshëm që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021.

Kabulit i kanoset një “katastrofë humanitare”, thotë Mohd Faizee, profesor në Institutin e Universitetit të Kombeve të Bashkuara për Ujin, Mjedisin dhe Shëndetin.

“Koha në dispozicion është shumë e kufizuar”, thotë ai.

Sipas tij, kushdo që dëshiron të kuptojë se si mund të duket e ardhmja e furnizimit me ujë në një botë që po pëson ndryshime klimatike, duhet të shohë se çfarë po ndodh në Kabul.

Kërkimi i ujit nën tokë

“Në rrugët e Kabulit, uji është një nga temat kryesore të bisedave”, thotë Mirza Jan, banor i lagjes Taimani. Sipas tij, mungesa e ujit po prek të gjithë.

Kur familja e Janit bleu shtëpinë në vitin 1990, ata mund të merrnin ujë nga një pus i cekët, duke e nxjerrë me kovë. Por me kalimin e viteve, niveli i ujit u ul dhe Janit iu desh ta thellonte pusin vazhdimisht.

Sot, pusi është më shumë se 200 metra i thellë. Një investim i tillë është i kushtueshëm dhe Jan ka mundur ta përballojë vetëm falë parave që dy djemtë e tij, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ia dërgojnë familjes.

Ndërsa rezervat e ujërave nëntokësore pakësohen, njerëzit që kanë mundësi financiare vazhdojnë të hapin puse gjithnjë e më të thella. Ata që nuk mund ta përballojnë këtë, detyrohen të blejnë ujë të shtrenjtë nga cisternat ose të presin në radhë te pompat e ujit pranë xhamive.

Por asnjëra prej këtyre zgjidhjeve nuk është e qëndrueshme.

“Është një katastrofë e padukshme që po merr formë. Qyteti së shpejti do të mbetet plotësisht pa ujë”, thotë Jan.

Në pamje të parë, Kabulit nuk do të duhej t’i mungonte uji. Qyteti shtrihet në një luginë të gjerë dhe rrethohet nga vargmale të Hindu Kushit dhe Himalajeve.

Majat e larta malore në këtë pjesë të Afganistanit shërbejnë si rezerva natyrore uji. Shkrirja e borës dhe akullnajave ushqen lumin Kabul dhe ndihmon në mbushjen e rezervave ujore nëntokësore. Këto rezerva janë baza kryesore e sistemit të furnizimit me ujë të qytetit dhe sigurojnë rreth 80% të ujit për banorët.

Vetëm rreth një e pesta e banorëve kanë qasje në ujë përmes rrjetit të ujësjellësit.

Por gjatë dekadës së fundit, niveli i ujërave nëntokësore ka rënë me afro 30 metra, sipas “Prosper Global”.

Uji po nxirret nga toka shumë më shpejt sesa mund të rikthehet natyrshëm. Kjo ka krijuar një mungesë prej më shumë se 1.55 miliard metrash kub ujë në vit.

Pothuajse gjysma e puseve në qytet tashmë janë tharë.

“Në shumë lagje, uji ka mbaruar tashmë”, thotë Faizee.

Kjo situatë është shkaktuar nga rritja e madhe e kërkesës për ujë, si në familje, ashtu edhe në sera dhe biznese. Por një rol të rëndësishëm po luan edhe kriza klimatike e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.

Afganistani është përballur me gjashtë vjet radhazi thatësirë, ndërsa viti i kaluar ishte ndër më të rëndët.

Në fund të vitit të kaluar, reshjet e borës në Afganistan ranë në nivelin më të ulët të 25 vjetëve të fundit, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. Kjo është pjesë e një tendence afatgjatë, pasi niveli i reshjeve të borës ra me afro 20% nga viti 2014 deri në vitin 2020.

Edhe kur bie shi, uji nuk ndihmon shumë në mbushjen e rezervave nëntokësore. Sipërfaqet e forta të qytetit nuk e lejojnë ujin të depërtojë në tokë. Në vend të kësaj, ai rrjedh me shpejtësi nëpër rrugë, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme, duke shkatërruar shtëpi dhe duke marrë jetë njerëzish.
Najibullah Sadid, studiues i mjedisit në Gjermani dhe pjesë e Rrjetit të Profesionistëve Afganë për Ujin dhe Mjedisin, thotë se ajo që po ndodh në Kabul nuk duhet të quhet thjesht “krizë uji”.

Ai preferon termin “falimentim ujor”, pasi sipas tij bëhet fjalë për shterimin e një burimi që nuk mund të rikthehet më.

“Po shteron një burim që nuk mund të rikuperohet më”, thotë Sadid.

Zgjerimi i pakontrolluar

Said Agha dhe familja e tij jetojnë në një apartament në lagjen e dendur “Karte Naw”, në Kabul. Ai ka të ardhura të mira nga puna në një kompani, por kriza e ujit në qytet po prek pothuajse të gjithë.
Në ndërtesën ku jetojnë janë 14 familje, por të gjitha varen nga një pus i vetëm, i cili thahet çdo disa muaj. Në pjesën më të madhe të kohës, banorët kanë ujë të rrjedhshëm vetëm për pak kohë. Ndonjëherë, furnizimi ndërpritet për ditë të tëra.

Agha beson se rezervat ujore nëntokësore të qytetit së shpejti do të shterojnë dhe nuk e di se çfarë do të bëjë më pas. Puna e tij është e lidhur me Kabulin dhe largimi nga qyteti do të ishte një “katastrofë”, thotë ai.

Kabuli po zgjerohet me shpejtësi edhe në lartësi, pasi ndërtesa shumëkatëshe po ndërtohen mbi struktura ekzistuese. Në vend që në një parcelë të jetojë vetëm një familje, sot mund të jetojnë dhjetëra familje. Kjo po e rrit ndjeshëm presionin mbi rezervat ujore, të cilat tashmë janë nën një ngarkesë të madhe, thotë Sadid.

Kabuli është një nga qytetet me rritjen më të shpejtë në botë. Ekspertët vlerësojnë se popullsia e tij është rritur nga më pak se 1 milion banorë në vitin 2001, në rreth 6 milionë sot.

Njerëzit janë zhvendosur në Kabul për arsye të ndryshme. Shumë u kthyen pas rënies së regjimit taleban në vitin 2001, me shpresën për mundësi më të mira.

Vitet e fundit, numri i banorëve është rritur edhe për shkak të dëbimit në shkallë të gjerë të afganëve nga Irani dhe Pakistani, në një periudhë tensionesh në rritje në rajon.

Në qytet po zhvendosen edhe banorë nga zonat rurale, në kërkim të vendeve të punës dhe, në disa raste, ironikisht, edhe me shpresën për një situatë më të mirë sa i përket furnizimit me ujë.

Ndërsa uji po pakësohet, banorët paguajnë

Prej dy vjetësh, Asadullah Ahmadi shpenzon të paktën 150 afganë, rreth 2.35 dollarë, çdo ditë për të siguruar ujë të mjaftueshëm për familjen e tij shtatanëtarëshe. Kjo është një pjesë e madhe e të ardhurave të tij.

Edhe kështu, uji që arrin të sigurojë është i ndotur dhe duhet zier para se të përdoret.

“Nuk është e qëndrueshme dhe nuk e di për sa kohë do të mund ta përballojmë këtë”, thotë ai.
Mungesa e ujit ka një kosto të lartë. Shumë banorë të Kabulit, si Ahmadi, janë të detyruar të blejnë ujë të sjellë me cisterna nga kompani private.

Disa prej këtyre kompanive përpiqen të ndihmojnë banorët, por të tjera shohin te kriza një mundësi për të fituar shumë para, thotë Marianna von Zahn, ish-drejtuese e programeve të “Prosper Global” në Afganistan.

Ato nxjerrin ujë nga burimet nëntokësore dhe më pas ua shesin banorëve me çmime shumë më të larta.

Pasojat janë veçanërisht të rënda për njerëzit që tashmë jetojnë në varfëri, thotë një zyrtar i Kombeve të Bashkuara në Afganistan. Sipas tij, kjo është “pjesa më e rrezikshme” e situatës.

Analistët vlerësojnë se familjet më të varfra në Kabul shpenzojnë deri në 30% të të ardhurave të tyre vetëm për ujë. Për krahasim, Kombet e Bashkuara konsiderojnë se një kosto e përballueshme për ujin nuk duhet të kalojë 3% të të ardhurave të një familjeje.

Situatën e rëndon edhe ndotja. Deri në 80% e ujërave nëntokësore në zona të mëdha të qytetit janë të ndotura, si nga ujërat e zeza, ashtu edhe nga substanca që gjenden natyrshëm në tokë, si arseniku.

“Është një tjetër krizë e fshehur”, thotë Jalal Naser Faqiryar, specialist i ujit me bazë në Holandë.
Banorët e Kabulit kanë pak alternativa.

Ahmadi frikësohet se mund të detyrohet ta braktisë shtëpinë e tij. Por, siç thotë ai, edhe nëse largohet, nuk e di se ku mund të shkojë për të gjetur ujë.

“I gjithë qyteti po përballet me këtë problem”, thotë ai.

Disa mund të largohen nga Kabuli, por mungesa e ujit është e përhapur në shumë pjesë të Afganistanit.

Edhe largimi nga vendi është i vështirë. Irani dhe Pakistani po kthejnë me forcë shumë afganë, ndërsa në Evropë retorika gjithnjë e më e ashpër kundër emigracionit e bën situatën edhe më të vështirë.

Përpjekjet për të shfrytëzuar lumenjtë dhe reshjet

Ka plane për të lehtësuar krizën e pritshme të ujit në Kabul përmes shfrytëzimit të burimeve ujore sipërfaqësore.

Një prej tyre është diga Shahtoot, e cila do të ndërtohej mbi një degë të lumit Kabul dhe do të mund të siguronte ujë për më shumë se 2 milionë banorë të qytetit.

India kishte rënë dakord ta financonte projektin, por ai ngeci pas rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021.

Talebanët thonë se projekti do të nisë së shpejti, por punimet ende nuk kanë filluar. Projekti kundërshtohet fuqishëm nga Pakistani, i cili pretendon se diga do të ulte ndjeshëm sasinë e ujit që merr nga lumi Kabul.

Një tjetër plan parashikon ndërtimin e një tubacioni rreth 200 kilometra të gjatë, për të sjellë ujë nga lumi Panjshir në Kabul dhe për të furnizuar rreth 2 milionë banorë.

Por projekti ndodhet ende në fazën e studimit dhe hartimit.

Edhe nëse këto projekte ecin përpara, ndërtimi i tyre do të kërkojë vite. Do të nevojiten gjithashtu impiante për trajtimin e ujit dhe një rrjet i përshtatshëm për ta dërguar atë deri në shtëpitë e banorëve.

“Talebanët nuk e kanë kapacitetin për t’u përballur me një problem kaq të madh dhe ata e dinë këtë”, thotë Faizee.

Situata e ujit në Kabul “po shkon drejt një krize serioze”, thotë Matiullah Abid, zëdhënës i Ministrisë afgane të Energjisë dhe Ujit.

Ai thotë se Ministria po ndërmerr masa, përfshirë ndërtimin e digave dhe mijëra puseve në qytet, me synim rimbushjen e rezervave ujore nëntokësore. Po ashtu, autoritetet po përpiqen të kontrollojnë përdorimin e ujit nga bizneset.

Në vitin 2024 u përfundua edhe diga Shah wa Arous, e cila është projektuar për të furnizuar me ujë rreth 20 mijë familje.

Ka shumë përpjekje për të trajtuar problemin e ujit, thotë Abid, por “këto masa kërkojnë kohë dhe burime”.

Njerëzit “vazhdojnë të vuajnë në heshtje”

Vetë talebanët janë një tjetër faktor që e ndërlikon situatën e ujit në Kabul.

Regjimi taleban nuk njihet si qeveri legjitime nga shumica e komunitetit ndërkombëtar, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë kufizimet e rënda ndaj grave dhe vajzave.

Si pasojë, ndihma ndërkombëtare për Afganistanin ka rënë ndjeshëm, në një kohë kur Kabuli dhe zona të tjera të vendit po i afrohen një katastrofe të mundshme ujore.

Bota po “e sheh krizën të përshkallëzohet”, në vend që të përpiqet ta parandalojë që tani, thotë Faizee.

“Më vonë, do të duhet të paguajë për reagimin ndaj emergjencës, si transportin e ujit me cisterna, shpërthimet e sëmundjeve dhe zhvendosjen e njerëzve”.

Për momentin, banorët do të “vazhdojnë të vuajnë në heshtje”, thotë Susanne Schmeier, profesoreshë në Institutin “IHE Delft” për Edukimin mbi Ujin në Holandë.

Kabuli tregon se si duket “dita zero”. Nuk bëhet fjalë që të gjithë rubinetet të thahen papritur. Është një katastrofë që zhvillohet ngadalë dhe i detyron banorët të marrin vendime gjithnjë e më të vështira.
A duhet të shpenzojnë para për puse më të thella dhe të kushtueshme, të cilat herët a vonë do të thahen gjithsesi? Apo të mbështeten te cisternat private të ujit, duke u zhytur edhe më shumë në varfëri?

A duhet të bëjnë çdo ditë udhëtime të lodhshme drejt pompave të ujit, duke i larguar fëmijët nga mësimet dhe koha e lirë, ndërsa rrezikojnë edhe shëndetin dhe sigurinë e tyre?

Apo duhet të largohen nga qyteti, të lënë pas punën dhe jetën e tyre dhe të rrezikojnë të përballen me të njëjtin problem edhe në një vend tjetër?

Ajo që po ndodh në Kabul është një pamje e asaj që mund t’i presë shumë qytete të tjera, ndërsa ndryshimet klimatike përplasen me sisteme ujësjellësi të ndërtuara për një botë shumë më ndryshe nga ajo e sotmja.

Për banorët e Kabulit, kjo është një traumë pas tjetrës.

“Vite më parë, në Kabul po largoheshim nga bombat dhe raketat”, thotë banori i qytetit Said Agha.

“Tani mund të na duhet të largohemi për shkak të mungesës së ujit”.