Support TIME. Preserve the truth.
World

From private jets and diamonds to solitary confinement: The new life of the Tate brothers

vellezerit tate

Vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate, të njohur për jetën luksoze dhe imazhin e pasurisë që shfaqnin në rrjetet sociale, tani ndodhen në një burg federal në Miami. Ata përballen me dhjetëra akuza në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa autoritetet amerikane po shqyrtojnë kërkesën për ekstradimin e tyre.

Tre biftekë të pjekur mirë dhe që peshonin disa kilogramë, u shërbyen në një pjatë të bardhë në një restorant luksoz në Bukuresht të Rumanisë. Tavolina e vogël ishte e mbushur me shishe me ujë të gazuar San Pellegrino dhe enë elegante me salca e erëza të ndryshme.

Në një video të montuar dhe të shkurtuar, Tristan Tate preu dhe hëngri njëri pas tjetrit të tre biftekët, secili prej 400 gramësh. Sipas dy vëllezërve, ai i përfundoi të tre brenda pesë minutash. Më pas ndezi një cigare dhe, pasi pushoi pak, hëngri edhe biftekun e mikut të tij, duke thënë se ndihej “sikur po hante ëmbëlsirë”.

Pamjet janë pjesë e një episodi të vitit 2024 të serisë “Tate Confidential”, të realizuar nga vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate, të njohur për aktivitetin e tyre kontrovers në rrjetet sociale. Ato tregojnë se si vëllezërit e kthyen edhe një drekë të zakonshme në një spektakël në internet, të ndërtuar rreth pasurisë dhe luksit të tepruar.

Tani, vëllezërit shpenzojnë për Doritos me shije djegëse dhe çokollata Snickers në një burg federal në Miami, ku po mbahen me një kërkese për ekstradim nga Mbretëria e Bashkuar. Ata ende nuk kanë dhënë deklarata zyrtare në gjykatë lidhur me akuzat për krime seksuale, të cilat i kanë mohuar më herët.

Në videot e tyre në rrjetet sociale, vëllezërit e përdornin ndonjëherë ushqimin për të treguar se kufizimet e zakonshme, si çmimet, madhësia e porcioneve apo vetëpërmbajtja, dukej se nuk vlenin për ta. Njësoj vepronin edhe me rregulla të tjera shoqërore. Faturat e blerjeve në burg, të publikuara nga Prokuroria e SHBA-së për Distriktin Jugor të Floridës, tregojnë se ata kanë blerë edhe supë ramen, djathë zviceran, çokollata Twix dhe kafe kolumbiane.

Megjithatë, këto ushqime duket se nuk janë të mjaftueshme për Tristanin. Avokati i tij publikoi në rrjetet sociale një shënim të shkruar me dorë nga i burgosuri, ku ndër të tjera shkruhej: “Jam i uritur”.

Shfaqjet luksoze të vëllezërve në restorante të shtrenjta ishin vetëm një pjesë e një strategjie shumë më të gjerë. Vëllezërit Tate ndërtuan një perandori në internet duke krijuar imazhin e njerëzve jashtëzakonisht të pasur, përmes videove me makina sportive, tufa parash dhe orë luksoze.

Rreth vëllezërve Tate

Andrew Tate, 39 vjeç, e përshkruan veten si mizogjinist dhe ka grumbulluar një numër të madh ndjekësish në internet me përmbajtje që promovon dominimin e burrave, nënshtrimin e grave dhe pasurinë. Tristan Tate, 38 vjeç, ka krijuar ndjekës të konsiderueshëm duke promovuar një qasje të ngjashme ndaj konceptit të maskulinitetit modern.

Vëllezërit janë ndër figurat kryesore të të ashtuquajturës “manosferë”, një hapësirë në internet që tradicionalisht lidhet me të djathtën alternative dhe përmbajtje urrejtjeje, ku veprojnë podkasterë dhe influencues haptazi mizogjinistë.

Por pas gjithë këtij spektakli, simbolet e pasurisë së pakufishme që ata shfaqnin duket se ishin pjesë e një imazhi të krijuar për ta paraqitur jetën e tyre më luksoze nga sa ishte në të vërtetë. Këtë e kanë pranuar edhe vetë avokatët e vëllezërve.

Në një dokument të dorëzuar së fundmi në gjykatë, avokatët e tyre thanë se ishte në interesin e biznesit të vëllezërve Tate që ata të paraqiteshin si “jashtëzakonisht të pasur”. Ata dhanë edhe një shpjegim të pazakontë të mënyrës se si ishte krijuar ky iluzion pasurie.

Avokatët pranuan se makinat sportive Aston Martin, me vlerë 2.1 milionë dollarë, si dhe dy Bugatti, me vlerë 5 dhe 7 milionë dollarë, që shfaqeshin në videot e Tristanit, nuk ishin në pronësi të vëllezërve, siç pretendohej, por ishin marrë me qira. Ata thanë gjithashtu se dyshja ishte paguar për të promovuar një “superjaht”, të cilin në rrjetet sociale e kishin paraqitur si jahtin e tyre luksoz.

Në vend që të udhëtojnë me makina sportive apo skafe të shpejta, sot dy vëllezërit lëvizin vetëm në këmbë. Ata shoqërohen nga qelitë e burgut përmes një korridori të sigurt dhe pa dritare, deri në sallën e gjyqit për procedurat ligjore. Tani, në vend të grave të bukura me bikini, ata shoqërohen nga zyrtarë me uniforma.

Për vite me radhë, vëllezërit britaniko-amerikanë krijuan imazhin se ligjet nuk zbatoheshin për ta, edhe pse problemet e tyre me drejtësinë shtoheshin në Mbretërinë e Bashkuar, Rumani dhe SHBA. Andrew Tate e bëri sfidën ndaj institucioneve dhe rregullave tradicionale pjesë qendrore të imazhit të tij, duke deklaruar se ishte “mbi ligjin”.

Rasti kundër vëllezërve Tate

Imazhi i tyre si njerëz që mund t’u shpëtonin ligjeve u rrëzua më 18 korrik, kur marshallët amerikanë arrestuan vëllezërit jashtë një ndeshjeje boksi pa doreza në Miami, pas një kërkese për ekstradim nga autoritetet britanike.

Vëllezërit, ndër figurat më polarizuese në internet, përballen së bashku me 59 akuza, përfshirë përdhunim dhe trafikim të qenieve njerëzore. Të dy i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, ndërsa Andrew e ka përshkruar veten dhe të vëllain si “burra krejtësisht të pafajshëm”.

Rasti në Mbretërinë e Bashkuar përfshin shtatë viktima. Sipas prokurorëve, Andrew Tate përballet me 42 akuza, ndërsa Tristan Tate me 17. Ndaj Andrew rëndojnë edhe akuza për krijim ose shpërndarje të imazheve të pahijshme të fëmijëve, si dhe posedim të materialeve pornografike ekstreme.

As Andrew dhe as Tristan nuk janë deklaruar zyrtarisht në gjykatë për akuzat, por të dy kanë mohuar publikisht çdo shkelje të ligjit.

Në një rast të veçantë në Rumani, dy vëllezërit akuzohen për trafikim të qenieve njerëzore dhe krijim të një grupi të organizuar kriminal me qëllim shfrytëzimin seksual të grave. Edhe këto akuza ata i kanë mohuar vazhdimisht. Prokurorët në Rumani ngritën akuza të reja ndaj vëllezërve Tate për trafikim me të mitura e pastrim të parave ndër të tjera.

Akuzat lidhen me veprime konkrete dhe jo me deklaratat e tyre në internet. Megjithatë, pretendimet për dhunë seksuale, kontroll ndaj grave dhe përfitime financiare prej tyre kanë ngjashmëri me pikëpamjet e vëllezërve Tate për dominimin e burrave, të cilat ata i kanë promovuar përmes kurseve online. Një prej tyre, i quajtur “Pimping Hoes Degree”, tashmë është fshirë.

Prokurorët britanikë kanë afat deri më 16 shtator për t’ua dorëzuar autoriteteve amerikane kërkesën zyrtare për ekstradim, së bashku me materialet mbështetëse për të 59 akuzat. Ato lidhen me vepra që dyshohet se janë kryer në Angli gjatë periudhës 2010–2017.

Avokati i vëllezërve Tate, Joe McBride, i ka cilësuar akuzat shtesë si “shpifje dhe baltosje”, duke këmbëngulur se ata janë të pafajshëm dhe se do ta kundërshtojnë ekstradimin. Ai e ka cilësuar çështjen si “të motivuar politikisht”, duke pretenduar se vëllezërit po ndëshkohen për ushtrimin e të drejtave të tyre sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane.

Zhurmat e natës në burgun e Miamit

Ish-kikboksierët po mbahen në Qendrën Federale të Paraburgimit në Miami, një kullë betoni me dritare të ngushta vertikale. Të paraburgosurit janë ankuar prej kohësh për kushtet e vështira, përfshirë problemet me sistemin e ftohjes dhe furnizimin me ujë.

Byroja Federale e Burgjeve tha në fillim të gushtit se kishte riparuar një defekt në sistemin e kondicionimit. Të paraburgosurit kishin thënë se kishin mbetur pa ajër të kondicionuar gjatë disa prej ditëve më të nxehta në Miami.

Pavarësisht ndalimit të telefonave celularë në këtë burg, llogaria e Andrew Tate në rrjetin X ka vazhduar të jetë aktive gjatë kohës që ai ndodhet në paraburgim. Avokatët e tij kanë thënë në një dokument të dorëzuar në gjykatë se bëhet fjalë për një “llogari biznesi”, të cilën anëtarët e ekipit të tij vazhdojnë ta përditësojnë në emër të tij.

Postimet në llogarinë e Andrew Tate e përshkruajnë burgun e Miamit gjatë natës më shumë si një skenë filmi horror sesa si një institucion korrektues. Në një postim thuhej se gjatë natës nga një qeli aty pranë dëgjohej një “ulërimë demonike”. Në një tjetër pretendohej se fqinji i tij ishte “kanibal që bërtet gjatë gjithë natës”.

“Gjumi nuk është shumë i rëndësishëm për mua dhe funksionoj shumë mirë edhe pa të”, kishte thënë më herët Andrew në një intervistë, ku kishte folur për zakonet e tij të gjumit.

Veshja që ndryshoi pas burgosjes

Ndërsa vëllezërit po mësohen me vendin e ri ku flenë, edhe mënyra e tyre e veshjes ka ndryshuar dukshëm. Në internet, Andrew dhe Tristan Tate shfaqeshin me kostume të qepura sipas masës, orë luksoze dhe këpucë të markave të njohura.

Vitet e fundit, Andrew nisi të shfaqej rregullisht edhe pa bluzë në videot e tij, shpesh me një puro në dorë dhe syze të errëta, ndërsa u fliste ndjekësve për forcën, disiplinën dhe dominimin e burrave. Gjoksi i tij i me tatuazhe ishte bërë pjesë e imazhit hiper-mashkullor që ai promovonte.

Por kur marshallët e arrestuan në Miami, ai kishte veshur një këmishë ngjyrë vjollcë prej materiali të mëndafshtë, të hapur në pjesën e gjoksit, pantallona të zeza të ngushta dhe këpucë pa lidhëse, pa çorape. Pamja e tij u bë objekt talljeje në internet. Një meme që u bë virale e krahasonte veshjen e tij me një pamje nga seriali “The Golden Girls”, ku personazhi Blanche Devereaux shfaqej me një veshje pothuajse identike.

Kur vëllezërit u paraqitën në gjykatë dy ditë më vonë, ngjyrat e ndezura ishin zhdukur dhe të dy kishin veshur uniforma të thjeshta ngjyrë bezhë të burgut. Në vend të varëseve të mbuluara me diamante, në kyçet e këmbëve mbanin pranga metalike. Në vend të orëve prej ari, duart i kishin të lidhura me pranga argjendi.

Të izoluar, por jo plotësisht vetëm

Andrew është ankuar vazhdimisht se qelia e tij ndodhet në Njësinë e Strehimit Special, të cilën në postimet e tij në rrjetin X e ka përshkruar si “kushtet më të këqija që qeveria amerikane u ofron terroristëve dhe psikopatëve”.

Avokati McBride i tha CNN se klientët e tij “nuk kanë qasje në dritën e diellit” dhe se kjo po ndikon në shëndetin e tyre. Sipas tij, vëllezërit Tate nuk duhet të qëndrojnë në atë që ai e ka cilësuar si “izolim”, por duhet të zhvendosen nga zona e veçuar në pjesën ku qëndrojnë të paraburgosurit e tjerë.

Në një tjetër postim në llogarinë e Andrew Tate në X thuhej: “Nuk kemi qasje në dyqanin e burgut. Nuk kemi vizita. Nuk kemi kontakt me botën jashtë”.

Edhe pse mbahen në qeli të ndara dhe qëndrojnë vetëm, vëllezërit nuk janë plotësisht të izoluar nga njëri-tjetri. McBride tha se Andrew dhe Tristan takohen rregullisht, pasi kanë të njëjtin ekip avokatësh dhe marrin pjesë së bashku në takime ligjore. Këto takime mund të zgjasin deri në pesë orë në ditë, edhe pse nuk u janë lejuar vizita nga familjarët apo miqtë.

Prokuroria amerikane i ka kundërshtuar pretendimet e vëllezërve për mungesën e qasjes në dyqanin e burgut dhe kushtet e këqija të paraburgimit.

“Edhe pse FDC Miami nuk është një hotel Marriott, kushtet e paraburgimit të Tates janë të arsyeshme, në përputhje me Kushtetutën dhe brenda kompetencave të Byrosë së Burgjeve”, thuhet në reagimin e saj.

Vëllezërit Tate janë në pritje që gjyqtarja Lauren Louis ta shqyrtojë kërkesën e tyre për lirimin me kusht, ndërsa ata vazhdojnë të kundërshtojnë ekstradimin.