Një gjyqtare angleze ka publikuar të martën një raport të ashpër, duke fajësuar menaxhimin jofunksional dhe një “dështim të plotë në të gjitha nivelet” për mbrojtjen e foshnjave në spitalin ku infermierja neonatale, Lucy Letby, u shpall fajtore për vrasjen e shtatë të porsalindurve.
Hetimi për vdekjen e foshnjave konstatoi se spitali Countess of Chester, në veriperëndim të Anglisë, mund të kishte shpëtuar disa prej tyre nëse stafi do të kishte vepruar më herët, kur fëmijët filluan të përkeqësoheshin, ka thënë gjyqtarja Kathryn Thirlwall.
“Gabime u bënë nga infermierët, mjekët dhe drejtuesit”, ka thënë Thirlëall. “Kishte gjithashtu një dështim të plotë në të gjitha nivelet për të aktivizuar në çdo moment procedurat e mbrojtjes së fëmijëve”, ka shtuar ajo.
Letby, 36 vjeçe, po vuan dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për të vrarë shtatë të tjera. Ajo ka këmbëngulur se është e pafajshme, ndërsa një ekip mbrojtës i mbështetur nga dhjetëra shkencëtarë, të cilët kanë vënë në pikëpyetje provat kundër saj, po përpiqet të pastrojë emrin e saj.
Hetimi i drejtuar nga Thirlëall nuk shqyrtoi dënimet e Letbyt, por u përqendrua te mënyra se si dështimet institucionale i ekspozuan foshnjat ndaj rrezikut në spital, si dhe te mënyra se si stafi dhe drejtuesit reaguan dhe trajtuan prindërit.
Ajo u përqendrua te dështimi i stafit për të ndërhyrë, kur u bë e qartë se dikush po u shkaktonte qëllimisht dëm foshnjave.
“Sa jetë mund të ishin shpëtuar nëse spitali do të kishte vepruar ndryshe?”, ka thënë ajo. “Është e qartë se disa foshnja do të ishin shpëtuar dhe disa sulme do të ishin parandaluar nëse do të ishte ndërmarrë veprim më herët”, ka shtuar
Letby është shpallur fajtore në vitin 2023 për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për të vrarë gjashtë të tjera, përfshirë dy tentativa ndaj të njëjtit fëmijë. Në një rast ku juria nuk arriti të merrte një vendim, çështja u rigjykua dhe Letby u shpall fajtore për një tjetër tentativë vrasjeje.
Prokurorët thanë se ajo i dëmtonte foshnjat në mënyra që linin pak gjurmë, përfshirë injektimin e ajrit në qarkullimin e tyre të gjakut, futjen e ajrit ose qumështit në stomak përmes tubave nazogastrikë, helmimin me insulinë dhe ndërhyrjen në tubat e frymëmarrjes.
Ajo ishte e vetmja punonjëse në detyrë në njësinë neonatale kur fëmijët u përkeqësuan ose vdiqën, midis qershorit 2015 dhe qershorit 2016. Prokurorët e përshkruan atë si një “prani të vazhdueshme keqdashëse”.
Raporti i Thirlwall përshkruan se si një numër i madh fëmijësh u dëmtuan, por shqetësimet ose nuk u ngritën fare, ose dyshimet nuk iu përcollën drejtuesve.
“Kjo nuk ndodhi”, ka thënë Thirlwall. “Përkeqësimet dhe vdekjet vazhduan”, ka shtuar ajo.
Edhe pasi spitali filloi të shqyrtonte rritjen e numrit të vdekjeve të foshnjave dhe lidhjet me turnet e punës së Letbyt, si dhe pasi infermierja u transferua në detyra administrative në korrik 2016, policia nuk u thirr deri në maj 2017. Letby qëndroi në spital deri në arrestimin e saj më shumë se një vit më vonë.
Avokatët e Letbyt u përpoqën pa sukses ta ndalonin hetimin, duke argumentuar se ai mund të arrinte në përfundime të gabuara.