Kremlini ka deklaruar të hënën se nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të bisedimeve të paqes midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, por ka theksuar se është ende herët për të thënë se kur dhe ku mund të zhvillohen këto bisedime.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka bërë këto komente kur është pyetur për vizitën e fundjavës në Moskë dhe Kiev të të dërguarve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët po përpiqen t'u japin një shtysë të re bisedimeve të ngecura, që synojnë gjetjen e një mënyre për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Sa i përket rifillimit të formatit trepalësh, ju e dëgjuat deklaratën e djeshme nga Kievi. Zoti Kushner bëri deklarata të tilla. Edhe ne nuk e përjashtojmë rifillimin e këtij formati trepalësh, por është ende herët të flitet për vendin dhe datat e sakta”, u ka thënë Peskov gazetarëve kur është pyetur nëse do të rifillonin bisedimet trepalëshe të paqes.
Peskov, i cili nuk ka pranuar të diskutonte në detaje përmbajtjen e propozimeve më të fundit amerikane për paqen apo çështjet më të vështira të pazgjidhura, ka thënë se Kremlini nuk e përjashton mundësinë e një telefonate midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump për të diskutuar mbi vizitën e të dërguarve amerikanë.
"Padyshim, çdo përpjekje... përbën një hap të vogël drejt paqes dhe ne vërtet i vlerësojmë shumë përpjekjet e negociatorëve amerikanë për ndërtimin e paqes”, u ka thënë Peskov gazetarëve.
"Vetë presidenti Putin ka thënë se i vlerëson lart përpjekjet e presidentit Trump dhe se është mirënjohës ndaj presidentit Trump për angazhimin e tij në këtë rrugë drejt paqes”, ka shtuar.
Moska ende nuk ka marrë asnjë informacion rreth kontakteve midis të dërguarve amerikanë dhe zyrtarëve ukrainas në Kiev gjatë së dielës, ka thënë Peskov.