Support TIME. Preserve the truth.
World

Izraeli përkujton 7 tetorin, ndërsa palestinezët përballen me pasojat e 3 vjetëve luftë

Israel

Në trevjetorin e sulmit të Hamasit në Izrael, izraelitët përkujtuan viktimat e sulmit ndërsa pasojat e luftës vazhdojnë të rëndojnë mbi palestinezët në Gazë. Përvjetori i sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 u shënua me ceremoni përkujtimore në komunitetet izraelite të goditura, ndërsa në Gazë, frika dhe pasiguria mbeten të pranishme edhe pas armëpushimit.

Ushtria izraelite ka goditur rreth 100 mijë objektiva në të gjithë rajonin në tre vjetët që nga sulmi i Hamasit brenda territorit izraelit më 7 tetor të vitit 2023, raportoi Radio Izraelite, duke cituar Ushtrinë izraelite.

Nga këto objektiva, rreth 65 mijë ishin në Rripin e Gazës, rreth 28 mijë në Liban dhe Siri e rreth 4.500 në Iran, tha i njëjti burim. Ushtria tha gjithashtu se 970 ushtarë izraelitë janë vrarë në tre vjetët e fundit.

Më shumë se 74 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës në luftën që pasoi ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Gazë.

Ndërsa në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor të vitit 2023, u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Në përvjetorin e këtij sulmi, në vendin ku u mbajt festivali muzikor Nova, qindra njerëz u mblodhën për të nderuar më shumë se 350 personat që u vranë në festival dhe në zonat përreth tij.

Të afërmit ndezën qirinj në kujtim të viktimave. Përkujtimet u zhvilluan edhe në strehimore, kryqëzime rrugësh dhe komunitete të tjera të goditura më 7 tetor.

Në Kfar Aza, një prej komuniteteve pranë kufirit me Gazën, familjet u mblodhën për t’i kujtuar të vrarët.

Ata ndezën qirinj dhe nderuan njerëzit që u vranë pasi militantët hynë në komunitet.

“Kam pritur tre vjet që dikush të vinte, të qëndronte përballë meje dhe të kërkonte falje. Që dikush të merrte përgjegjësi dhe të thoshte se kemi gabuar. Por askush nuk ka ardhur. Dhe tani e kuptoj se ndoshta askush nuk do të vijë. Tre vjet më vonë, ne ende jemi refugjatë në vendin tonë”, ka deklaruar një banore e këtij komuniteti.

Ky është përvjetori i parë që nga kthimi i të gjithë pengjeve, të gjallë apo të vdekur, në Izrael.

E tre vjet pas sulmit, pasojat e luftës vazhdojnë të ndihen rëndë përtej kufirit, në Rripin e Gazës.

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë shkatërruar pjesë të mëdha të territorit, duke rrafshuar shtëpi e lagje dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe shërbimet bazë.

Lufta ka ndryshuar jetën e rreth dy milionë palestinezëve. Zhvendosjet e përsëritura dhe urdhrat për evakuim kanë detyruar familje të tëra të largohen vazhdimisht nga shtëpitë e tyre.

Vitet e luftës po ashtu kanë sjellë kolapsin e arsimit, sistemit shëndetësor dhe ekonomisë. Ushqimi, uji, strehimi dhe nevojat e tjera bazë janë kthyer në një sfidë të përditshme.

Një banore palestineze thotë se frika nga lufta nuk është zbehur as pas tre vjetësh.

“Përsëri jemi përfshirë nga frika e luftës, nga kjo luftë e çmendur që nisi tre vjet më parë dhe ende nuk ka përfunduar. Përkundrazi, tani jetojmë në ankth të vazhdueshëm, duke pasur frikë se lufta mund të rifillojë. Tani që nis viti i katërt, pyesim veten: A mund të përfundojë më në fund lufta këtë vit? A do të mund t’i shpëtojmë më në fund këtij makthi që po e përjetojmë prej tre vjetësh?” -  ka thënë Sumayya al Kurd.

Edhe pse në tetor të vitit 2025 u shpall një armëpushim, ai nuk i dha fund vuajtjeve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, 1 mijë e 462 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa sulmet dhe aktiviteti ushtarak izraelit kanë vazhduar në pjesë të ndryshme të vendit.