Support TIME. Preserve the truth.
World

European intelligence warns of decisive Moscow actions against NATO

Russia

Shumë njerëz në Evropë do ta kenë parasysh përshkallëzimin që i parapriu pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, kur zyrtarët amerikanë paralajmëruan vazhdimisht se Rusia po përgatitej të pushtonte Ukrainën, ndërsa Kremlini e mohonte vazhdimisht këtë.

Zyrtarët evropianë të inteligjencës kanë ngritur mundësinë e një testimi të afërt të NATO-s nga Rusia, ndërsa njëri prej tyre ka thënë se një sulm i mundshëm mund të ndodhë brenda “muajsh, jo vitesh”.

Paralajmërimet vijnë pasi kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i tha parlamentit polak se vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës sugjerojnë se Rusia mund të nisë një sulm me dronë ose raketa ndaj territorit të NATO-s në muajt e ardhshëm, si pjesë e përpjekjeve për të provuar se “neni 5 i traktatit të themelimit të NATO-s është më shumë teorik sesa praktik”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cilësoi paralajmërimet e Tuskut “të bazuara dhe të dokumentuara mirë” dhe të premten që shkoi thirri në një takim urgjent në Paris liderët e partive dhe kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ku ndër të tjera diskutuan edhe informacionet e inteligjencës mbi një kërcënim në rritje nga Rusia.

Frika për përshkallëzim vjen ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mblidhet në New York këtë javë, si dhe në një kohë kur po intensifikohen sulmet ajrore nga të dyja palët në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Kievi goditi Moskën dhe rajone të tjera ruse me qindra dronë dhe raketa në orët e para të së dielës, në një nga sulmet më të mëdha ajrore ukrainase që nga fillimi i luftës.

Në intervista të ndara me The Guardian gjatë javës së kaluar, në vende të ndryshme, tre drejtues të shërbimeve evropiane të inteligjencës diskutuan pikëpamjet e tyre mbi kërcënimin e mundshëm nga Moska.

Michal Koudelka, kreu i shërbimit të sigurisë BIS të Republikës Çeke, tha se, krahas rritjes së aktivitetit me dronë, një pushtim në shkallë të kufizuar i territorit të NATO-s që kufizohet me Rusinë mund të jetë pjesë e planeve të Kremlinit.

“Është e mundur. Mund të përfshijë një inkursion të kufizuar, provokime nën flamur të rremë, një fushatë masive ndikimi”, tha ai në një intervistë në selinë e agjencisë në Pragë.

Ai tha se ky skenar mund të zhvillohej brenda “muajsh, jo vitesh”, por shtoi se “shumë njerëz po bëjnë gjithçka që munden për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë”.

Zyrtarët në tri vendet baltike, të cilat kufizohen me territorin rus, kanë qenë më të kujdesshëm për mundësinë e një pushtimi apo përshkallëzimi tjetër serioz, duke iu referuar burimeve të kufizuara të Moskës në Ukrainë dhe duke paralajmëruar se ekzagjerimi i mundësisë së një sulmi mund t’u shërbejë interesave të Kremlinit.

“Ne nuk shohim shenja për një sulm të afërt”, tha Normunds Mezviets, drejtori i përgjithshëm i VDD-së, shërbimit shtetëror të sigurisë së Letonisë, në një intervistë në selinë e agjencisë në Riga.

Ai pranoi se kishte shenja se Moska po përgatitej për veprime më vendimtare në Evropë, por tha se nuk ishte e qartë nëse këto plane ishin thjesht pjesë e një strategjie destabilizuese.

“Ende mbetet një pyetje e hapur nëse ata kanë plane të drejtpërdrejta dhe konkrete apo nëse kjo është thjesht pjesë e përpjekjeve të tyre të përgjithshme për të përhapur frikë dhe pasiguri në shoqërinë perëndimore”, tha ai.

Paralajmërimi baltik

Politikanët nga vendet baltike, të cilët për shumë vite e kanë kritikuar Evropën Perëndimore se ka qenë tepër tolerante ndaj Rusisë, tani gjenden në një pozicion të pazakontë: t’u kërkojnë disa liderëve perëndimorë të ulin tonet në deklaratat publike, nga frika se diskutimet për një pushtim të afërt mund të dëmtojnë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre.

Të shtunën, zyrtari i lartë i ministrisë së Jashtme të Estonisë, Jonatan Vseviov, kritikoi “panikun në rrjetet sociale” ditët e fundit lidhur me një sulm të mundshëm.

“Nëse ka arsye për t’u frikësuar nga një sulm, jini të sigurt: ne do ta bëjmë këtë të qartë. Deri atëherë, ruani qetësinë, vazhdoni përpara dhe mbështeteni Ukrainën”, shkroi ai në X.

Mezviets tha se, në përgjithësi, është mirë që Evropa Perëndimore është zgjuar ndaj kërcënimit nga Rusia.

“Para vitit 2022, ne i paralajmëronim vazhdimisht partnerët tanë në Evropën Perëndimore për kërcënimin nga Rusia, por shumicën e kohës zërat tanë nuk dëgjoheshin. Në vitin 2022, qasja e partnerëve tanë ndryshoi. Ata thanë se, me sa duket, baltikët dhe polakët kishin pasur të drejtë”, tha ai.

As Mezviets dhe as Koudelka nuk pranuan të diskutonin se çfarë informacioni specifik mund të ishte siguruar në lidhje me planet e supozuara të Rusisë për muajt e ardhshëm. Ata gjithashtu nuk komentuan nëse një vizitë e papritur e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë muajin e kaluar, gjatë së cilës ai u ndal edhe në Riga, kishte pasur pjesërisht për qëllim paralajmërimin e Kremlinit për rreziqet e nisjes së një sulmi ndaj NATO-s.

Pas kësaj vizite, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë zërat për një sulm rus ndaj NATO-s.

“Kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin dhe asnjë lidhje me synimet e Federatës Ruse”, tha ai.

Megjithatë, shumë njerëz në Evropë do ta kenë parasysh përshkallëzimin që i parapriu pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, kur zyrtarët amerikanë paralajmëruan vazhdimisht se Rusia po përgatitej të pushtonte Ukrainën, ndërsa Kremlini e mohonte vazhdimisht këtë.

Teksa lufta në Ukrainë po i afrohet dimrit të pestë, përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për të arritur paqen nuk kanë dhënë ende shenja suksesi, ndërsa Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet e tyre me dronë dhe raketa.

Ukraina ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së naftës në Rusi, duke goditur rafineritë dhe objekte të tjera gjatë muajve të fundit.

Fushatë sabotimi në vend të sulmit direkt

Moska ka thënë shpesh se furnizimi i Ukrainës me armë, informacione të inteligjencës dhe këshilltarë ushtarakë i bën vendet perëndimore pjesëmarrëse në luftë dhe objektiva legjitime, por deri tani ka shmangur veprimet që mund të provokonin një përgjigje të koordinuar nga NATO-ja.

Në vend të kësaj, ajo ka nisur atë që agjencitë perëndimore e përshkruajnë si një fushatë sabotimi kundër objektivave në vendet që janë mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës, si dhe incidente të veçuara që duket se synojnë testimin e kufijve, si rasti kur dhjetëra dronë, pa municione, hynë në hapësirën ajrore polake një vit më parë.

Koudelka tha se taktika aktuale ruse ishte “përshkallëzo për të ulur përshkallëzimin”, ndërsa Kremlini kërkon të godasë pikat e dobëta të shoqërive perëndimore për të zbehur mbështetjen e tyre për përpjekjet luftarake të Ukrainës.

“Ata besojnë se, nëse përshkallëzojnë mjaftueshëm, atëherë vendet evropiane do të vendosin të mos e mbështesin Ukrainën”, tha ai.

Në javët e fundit, administrata Trump ka bërë një tjetër përpjekje për të rifilluar negociatat e paqes në Ukrainë.

Krahas vizitës së Ratcliffe në Moskë, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner zhvilluan një tjetër vizitë në Moskë, si dhe një vizitë të parë në Kiev.

Ndërsa Donald Trumpi ka pretenduar shpesh se presidenti rus, Vladimir Putin, është i interesuar për një marrëveshje, në Evropë ekziston skepticizëm se Kremlini ka ndonjë interes për negociata me mirëbesim.

“Nuk kam parë asnjë shenjë se në Moskë po shqyrtohet seriozisht mundësia e negociatave të vërteta”, tha Thomas Nilsson, kreu i shërbimit suedez të inteligjencës dhe sigurisë ushtarake, në një intervistë në kuadër të një konference në Riga.

“Vlerësimi im është se ata ende mendojnë se mund t’i arrijnë objektivat e tyre strategjike, ndaj thjesht po luajnë një teatër negociatash”, shtoi ai.

Të tre drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës thanë se, pavarësisht se çfarë tjetër mund të ndodhë, fushata ruse e sabotimit në Evropë ka gjasa të intensifikohet në muajt e ardhshëm.

Nilsson e përshkroi si një “ndryshim rrënjësor” incidentin e fundit me një dron me municion në aeroportin e Leipzigut, të cilin autoritetet gjermane ia kanë atribuuar inteligjencës ruse.

“Që një dron me municion të dërgohet në një aeroport të frekuentuar në qendër të Evropës… Nëse kemi sulme që mund të shkaktojnë humbje jetësh ose dëmtime të infrastrukturës kritike, me pasoja të mëdha për shoqërinë, mendoj se ky është një ndryshim rrënjësor”, tha ai.

Mezviets tha se Rusia po kalonte nga objektivat e rastësishme të sulmeve të sabotimit dhe zjarrvënieve, të cilat synonin të përhapnin panik, drejt objektivave specifike që lidhen me mbështetjen perëndimore për Ukrainën.

“Ne shohim se ata po kërkojnë të godasin infrastrukturën hekurudhore, infrastrukturën e mbështetjes për Ukrainën. Tani shohim një lëvizje drejt objektivave të industrisë së mbrojtjes”, tha ai.

“Nëse e bëni këtë, efekti psikologjik arrihet gjithsesi, kështu që i merrni të dyja në një”, shtoi ai.

Nilsson tha se pas intensifikimit të fundit të aktiviteteve ruse të sabotimit qëndrojnë disa objektiva: të zvogëlohet mbështetja për Ukrainën, të krijohen përçarje brenda NATO-s dhe të alarmohen popullsitë evropiane.

“Unë mendoj se Moska do të donte që NATO-ja të zhvillonte diskutime të pafundme rreth konsultimeve sipas nenit 4, por pa ndërmarrë asnjë veprim”, tha ai.

Koudelka tha se një tjetër pasojë e fushatës së sabotimit është ngarkesa mbi burimet e shërbimeve të inteligjencës, pasi dyshimet shpesh mbeten edhe kur incidentet shkaktohen nga faktorë të tjerë.

“Tani çdo zjarr apo çdo defekt duhet të hetohet nga shërbimet e inteligjencës si një sulm i mundshëm terrorist dhe ky është një rezultat i mirë për ta”, tha ai.