Support TIME. Preserve the truth.
World

Greta Thunberg joins French students in protests

greta

Aktivistja suedeze Greta Thunberg iu bashkua të martën një proteste para një gjimnazi në periferi të Parisit, ndërsa nxënësit francezë dolën sërish në rrugë për të kundërshtuar kushtet e këqija në shkolla.

Lëvizja mbarëkombëtare, që ka hyrë në javën e katërt, synon të tërheqë vëmendjen ndaj mungesës së mësuesve, mbipopullimit të klasave dhe gjendjes së amortizuar të ndërtesave shkollore.

Protestat kanë përfshirë marshime dhe bllokime të qindra shkollave, ndërsa në disa raste janë shoqëruar edhe me përplasje me policinë, raporton Reuters.

Të martën në mëngjes, nxënësit u mblodhën para hyrjeve të disa shkollave në Paris dhe qytete të tjera.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, tha për radion France Inter se rreth 200 shkolla janë mbyllur. Ai shtoi se disa prej tyre mund të ishin mbyllur për arsye sigurie, pasi ndodheshin përgjatë itinerareve të marshimeve të planifikuara.

Greta Thunberg, e cila u bë e njohur që në adoleshencë për protestat kundër ndryshimeve klimatike, por më pas e zgjeroi angazhimin e saj edhe në çështje të tjera, tha se nxënësit francezë meritojnë më shumë mbështetje.

“Ata duhet ta dinë se në të gjithë botën po i ndjekim këto zhvillime. Na frymëzojnë të rinjtë që po kërkojnë të drejtat e tyre themelore”, tha Thunberg para gjimnazit Paul Eluard, në Saint-Denis, në veri të Parisit. Kjo ishte një nga shkollat ku lëvizja e protestave mori hov fillimisht.

“Qoftë financimi i pamjaftueshëm i shkollave, kriza klimatike apo padrejtësitë shoqërore, ka ardhur koha që të rinjtë të ngrihen dhe të rimarrin në duart e tyre të ardhmen”, shtoi aktivistja.

Thunberg kritikoi gjithashtu reagimin e policisë, i cili ka nxitur debate të shumta. Ajo e cilësoi atë si “jashtëzakonisht të dhunshëm”, duke thënë se autoritetet po përpiqen të ruajnë gjendjen ekzistuese dhe po shpërfillin kërkesat e të rinjve.