Për muaj të tërë, miliona njerëz kanë jetuar nën një shtresë të dendur tymi toksik, i shkaktuar nga thatësira e madhe që fenomeni klimatik El Nino e ka sjell edhe në Indonezi.
Duke parë varrezat e djegura, rreth 30 metra pas shtëpisë së tij në Borneon indonezian, Trovimus Akoi rrëfen për natën pa gjumë të një të diele, kur u përball me një zjarr që iu afrua rrezikshëm shtëpisë.
Ai e kishte parë zjarrin për herë të parë rreth 800 metra larg, ndërsa po ushqente pulat. Brenda pak orësh, flakët u përhapën me shpejtësi në terrenin e tharë. Kur zjarri iu afrua komunitetit ku jetonte, ai dhe banorët e tjerë morën zorrë uji, kova dhe pompa dore dhe nisën përpjekjet për të shpëtuar shtëpitë.
Për shkak të thatësirës, kanalet dhe pellgjet ishin tharë plotësisht. Banorët hapën gropa rreth tre metra të thella në tokë, me shpresën për të gjetur ujë nëntokësor.
“Flakët arrinin rreth 10 metra lartësi dhe gjithçka që shihnim ishte e kuqe. Tymi ishte shumë i dendur dhe era e fortë. Na dhembnin mushkëritë dhe na digjnin sytë, por duhej të vazhdonim”, tha Akoi, 38 vjeç.
Edhe pse më vonë morën ndihmë dhe arritën t’i shpëtonin shtëpitë, zjarri me të cilin u përballën Akoi dhe banorët e tjerë nuk ishte vetëm pasojë e një fatkeqësie natyrore.
Sipas raportimit, ai lidhet edhe me shpyllëzimin dhe pastrimin e tokave ndër vite për krijimin e hapësirave bujqësore dhe prodhimin e kulturave për eksport, përfshirë drurin dhe vajin e palmës.
Akoi jeton në rajonin Kubu Raya, në provincën Kalimantan, një zonë me miliona hektarë toka torfike. Këto janë zona të lagështa që, në kushte normale, përmbajnë shumë ujë.
Por në të gjithë Indonezinë, tokat torfike janë kthyer gradualisht në toka bujqësore. Kjo ka bërë që ato të thahen dhe të bëhen shumë më të rrezikshme për përhapjen e zjarreve.
Vetëm këtë vit, zjarret kanë përfshirë dhjetëra mijëra hektarë në këtë provincë, të nxitura edhe nga thatësira e madhe e shkaktuar nga fenomeni klimatik El Nino.
Water shortage
Në Pontianak, kryeqytetin e provincës, zjarrfikësja vullnetare 33-vjeçare, Tresna Waniati, ishte gati të nisej sërish në terren, edhe pse sapo kishte dalë nga spitali pas një infeksioni të rëndë të rrugëve të frymëmarrjes.
Për tre muaj me radhë, ajo kishte thithur ajër të ndotur nga tymi dhe zjarret, ndërsa djalin e saj katërvjeçar e kishte lënë në kujdesin e prindërve.
Për të arritur në zonat e largëta ku kishte vatra zjarri, ajo lëvizte me motor nëpër terrene të vështira. Me vete transportonte pompa uji, bidonë me karburant dhe rrotulla zorrësh.
“Zjarret dhe tymi janë të jashtëzakonshëm këtë herë. Mungesa e ujit e bën situatën edhe më të vështirë. Sigurisht, të gjithë jemi të lodhur, por duhet ta bëjmë këtë”, tha Tresna.
Miliona banorë në Kalimantanin Perëndimor kanë jetuar prej muajsh nën një shtresë të dendur tymi. Cilësia e ajrit ka arritur vazhdimisht nivele të rrezikshme, duke detyruar autoritetet të zgjasin gjendjen e jashtëzakonshme.
Qindra shkolla kanë pezulluar mësimin me prezencë fizike, ndërsa dukshmëria në disa zona është ulur në vetëm disa qindra metra. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm edhe transportin në rajon.
Disa banorë përdorin maska për t’u mbrojtur nga tymi, por shumë të tjerë thonë se janë lodhur duke i mbajtur ato.

Zjarret në pyje ndodhin çdo vit në Indonezi, por dëmet e këtij viti mund të jenë ndër më të mëdhatë të regjistruara ndonjëherë.
Sipas të dhënave të qeverisë, deri në fund të korrikut ishin djegur rreth 200 mijë hektarë tokë. Ndërsa platforma e pavarur Nusantara Atlas vlerëson se deri në fund të gushtit sipërfaqja e djegur kishte arritur në rreth 890 mijë hektarë.
Rrugicat e tregut në Pontianak, që zakonisht janë të mbushura me njerëz, këtë muaj dukeshin më të zbrazëta se zakonisht. Zhurmat ishin zbehur nga ajri i rënduar me tym.
Elisabet, 31 vjeçe, po rregullonte enët me peshk të tharë dhe pastronte një shtresë të hollë bloze që ishte mbledhur mbi tavolinën e saj. Disa blerës lëviznin me nxitim, duke u përpjekur të merrnin produktet bazë para se të ktheheshin në shtëpi, për t’i shpëtuar mjegullës së verdhë që kishte mbuluar qytetin.
Ajo ka treguar se që prej fundit të qershorit, kur tymi kishte filluar të përhapej në qytet, shitjet e saj ditore ishin përgjysmuar.
“E di që thithja e këtij ajri toksik është e keqe për shëndetin tim, por nuk mund ta përballoj të qëndroj në shtëpi. Shpresoj vetëm të shes diçka, që produktet të mos më shkojnë dëm”, tha Elisabet.
Një organizatë indoneziane që studion ekonominë dhe ligjin vlerëson se zjarret në vend, nga janari deri në gusht, mund të shkaktojnë deri në 123.1 trilionë rupi, ose rreth 6.9 miliardë dollarë, dëme ekonomike dhe kosto për shëndetësinë.
Kjo shifër pritet të rritet nëse zjarret vazhdojnë deri në fund të vitit.
Pasojat për njerëzit janë gjithashtu të rënda. Më shumë se 13 milionë banorë në shtatë provinca janë ekspozuar ndaj tymit toksik.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm brenda një jave në shtator, numri i personave me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes në këto zona u rrit më shumë se dyfish, ndërsa numri i vatrave të zjarrit u shtua ndjeshëm.
Nga 18 gushti deri më 21 shtator, autoritetet shëndetësore regjistruan rreth 175 mijë raste. Rreth një e katërta e të prekurve ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç.
“Shtëpitë e Oksigjenit”
Qendra për Menaxhimin e Fatkeqësive “Muhammadiyah”, një organizatë jofitimprurëse, ka ngritur 13 qendra të quajtura “Shtëpi të Oksigjenit”. Aty qytetarët mund të marrin trajtim mjekësor dhe oksigjen për vështirësitë në frymëmarrje të shkaktuara nga tymi.
Përveç tyre, dy ekipe mobile shpërndajnë oksigjen në zonat e përfshira nga zjarret, për njerëzit që nuk mund të largohen ose që nuk kanë mundësi financiare për t’u evakuuar.
“Vullnetarët tanë u dërgojnë bombola oksigjeni personave më të rrezikuar ose atyre që janë shumë të sëmurë për të lëvizur nga zonat e prekura”, tha koordinatori i qendrës, Hermayani Putera.
“’Shtëpitë e Oksigjenit’ shërbejnë si strehë, si hapësira me ajër të pastër, ku njerëzit mund të largohen për pak nga tymi i ndotur”.
Tymi është përhapur edhe në Singapor, Malajzi dhe Filipine. Për këtë arsye, presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, ka pranuar ndihmë ndërkombëtare nga Japonia dhe Malajzia për përballimin e zjarreve.
Ai ka urdhëruar gjithashtu masa më të ashpra ndaj bujqësisë komerciale që përdor metodën e djegies së pyjeve për hapjen e tokave të reja. Kompanitë presin pemët dhe më pas i djegin për të krijuar hapësira të reja bujqësore.
Deri tani, Ministria e Pyjeve ka pezulluar lejet e 26 kompanive që kanë prerë pyje për kultivimin e produkteve bujqësore për treg.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu disa kompani për shkelje të mundshme penale. Ato paralajmërohen se mund t’u hiqen përgjithmonë lejet dhe të përballen me gjoba të mëdha, si dhe masa të tjera ndëshkuese.
Megjithatë, organizatat mjedisore thonë se këto masa kanë sjellë pak lehtësim në zonat më të prekura, si Kalimantani Perëndimor. Sipas tyre, zbatimi i ligjeve ka qenë i dobët, edhe pse më herët janë vendosur kufizime për prerjen e pyjeve dhe janë dhënë urdhra për mbrojtjen dhe restaurimin e tokave torfike.
“Shumë nga zjarret kanë rënë në zona torfike ku veprojnë kompani që kanë leje. Është detyrë e qeverisë të sigurohet që këto kompani t’i respektojnë rregullat dhe ligjet. Fakti që ato ekzistojnë në dokumente nuk do të thotë se zbatohen edhe në terren”, tha Indra Syahnanda nga organizata mjedisore WALHI në Kalimantanin Perëndimor.
Në vend që të kontrollojë kompanitë që shfrytëzojnë tokat për prodhim bujqësor, organizatat mjedisore thonë se qeveria indoneziane shpesh fajëson komunitetet indigjene, të cilat prej brezash përdorin metoda tradicionale të djegies së kontrolluar për pastrimin e tokave.
Anëtarët e komuniteteve indigjene Dayak thonë se përdorimi i zjarrit për pastrimin e parcelave të vogla dhe krijimi i brezave mbrojtës ka qenë pjesë e mënyrës së tyre të jetesës për breza.
Ata theksojnë se nuk pastrojnë tokat torfike, të cilat janë veçanërisht të rrezikshme për shkak të materialeve të djegshme që përmbajnë.
“Na dhemb që akuzohemi dhe përdoremi si fajtorë, edhe pse i respektojmë traditat dhe njohuritë tona lokale”, tha Akoi, i cili është pjesë e komunitetit Dayak.
Por pasojat e zjarreve po i përjetojnë të gjithë. Shumë banorë vuajnë nga kollë e vazhdueshme dhe vështirësi në frymëmarrje.
“Na mungon ajri i pastër dhe qielli i kthjellët”, tha Akoi. “Gjithçka që mund të bëjmë është të shpresojmë te Zoti dhe te paraardhësit tanë”.