Support TIME. Preserve the truth.
World

The hidden world behind Istanbul's Grand Bazaar, where time seems to have stood still for centuries

Grand Bazaar

Pas rrugicave plot turistë dhe dyqaneve të Pazarit të Madh të Stambollit fshihet një botë artizanësh që ruajnë tradita shekullore. Në punishtet e vogla, mjeshtrit vazhdojnë të krijojnë bizhuteri me dorë, duke përcjellë zanatin nga një brez te tjetri

“Ky gur ka qëndruar në kasafortë për një kohë shumë të gjatë”, thotë 78-vjeçari Umit Berksoy, teksa përkulet mbi tavolinë me llupën në dorë. Ai prek me kujdes gurin e çmuar, që shkëlqen brenda një cope të bardhë pëlhure të rrudhur. “Rubinë të kësaj madhësie nuk gjen më. Është i përsosur për një unazë.”

Me këtë gur në duar, Berksoy, një argjendar me përvojë në Pazarin e Madh të Stambollit, përgatitet të nisë një tjetër rrugëtim krijues në një prej tregjeve të mbuluara më të vjetra dhe më të bukura në botë. Në korridoret e tij, historia dhe tradita ndërthuren me një kulturë të veçantë artizanati.

Prej shekujsh, në këtë pazar, materiale të ndryshme janë shndërruar në vepra arti. Mjeshtër nga komunitete të ndryshme fetare të Turqisë, armenë, grekë, hebrenj dhe sirianë, kanë punuar krah për krah, duke krijuar bashkëpunime të qëndrueshme dhe duke ndihmuar në ruajtjen e gjallërisë së tregut.

Themelet e këtij tregu të përbashkët, të shtrirë nën një çati të madhe, u hodhën menjëherë pas pushtimit të Kostandinopojës nga osmanët, në vitin 1453. Nismën e mori sulltani 21-vjeçar Mehmeti II, i njohur si Mehmet Pushtuesi.

“Aftësia e vërtetë qëndron te ndërtimi i një qyteti dhe te fitimi i zemrave të njerëzve”, deklaronte ai. Sulltanit i nevojitej një qendër tregtare që do të siguronte të ardhura për projektet e tij dhe do t’u shërbente banorëve të një qyteti me popullsi të larmishme.

Gjatë qindra viteve, Pazari i Madh u zgjerua dhe u mbijetoi edhe tërmeteve të fuqishme, duke u shndërruar në qendrën e tregtisë tradicionale turke dhe në një shkollë të madhe ku u formuan breza të tërë zejtarësh.

Me kalimin e kohës, rrugicat e ngushta u ndanë natyrshëm sipas llojeve të zejeve. Historiani i artit osman, Mustafa Cezar, i përshkruante ato si të organizuara me një rregull pothuajse ushtarak. Edhe emrat e rrugicave lidhen me zanatet dhe mallrat që tregtoheshin aty.

Dyqanet, megjithatë, kanë ndryshuar pamje për t’iu përshtatur trendëve të rinj dhe shijeve të turistëve të huaj. Por, sipas Berksoyt, muret e trasha prej guri kanë ruajtur shpirtin e vërtetë të pazarit.

Teksa kalon mes grupeve të turistëve dhe shitësve ambulantë, ai tregon rrugicat ku shiten bizhuteri, sende argjendi, artikuj lëkure, suvenirë tradicionale dhe qilima të punuar me dorë. Me lëvizjet e duarve, krijon sikur një hartë të padukshme të këtij vendi që e njeh prej dekadash.

Ky treg i gjallë dhe plot drita, që pret deri në 400 mijë vizitorë në ditë, është vetëm pjesa e dukshme e tij, shpjegon ai. Berksoy kalon me siguri nëpër portën Nuruosmaniye, njëra prej 11 hyrjeve kryesore të pazarit, i cili përbëhet nga 65 rrugë, 14 hane dhe rreth 3.600 dyqane.

“Vlera dhe bukuria e vërtetë fshihen poshtë gjithë kësaj shkëlqese dhe pasurie, në punishtet e vogla”, thotë ai me zë të ulët.

Zemra e pazarit

Teksa kalon nën tavanet e harkuara, gjashtë metra të larta, argjendari ndalet pranë një hani, ku bie në sy një reliev i periudhës bizantine që paraqet një shqiponjë me krahë të hapur. Rrezet e diellit depërtojnë përmes një hapjeje të vogël dhe ndriçojnë harkun prej guri.

“Kjo është pak a shumë zemra e Pazarit të Madh”, thotë ai, duke treguar Cevahir Bedestenin, një ndërtesë me 15 kupola, përreth së cilës u zhvillua tregu që njohim sot.

“Fitimi është si një zog i egër që fluturon në ajër. Nëse arrin ta kapësh me mjeshtëri, mund të përparosh në këtë han”, thuhet në një mbishkrim, sipas profesorit të ekonomisë Kenan Mortan, i cili shkroi për Pazarin e Madh në vitin 2010.

Me këtë frymë kanë punuar për gjysmë shekulli Berksoy dhe kolegët e tij. Ata kanë zgjidhur mosmarrëveshjet, kanë krijuar partneritete e miqësi të qëndrueshme dhe ua kanë përcjellë përvojën brezave të rinj.

Ndërsa turistët ndalen para vitrinave, fotografojnë apo negociojnë me zë të lartë për çmimet, argjendari përshëndet në çdo cep tregtarët me të cilët njihet prej vitesh. Më pas, largohet nga ndërtesa kryesore për të vazhduar vizitat në dyqanet e tij të preferuara.

Ndalesa e parë është Apraham, një dyqan i vogël me kornizë druri, që mban emrin e themeluesit të tij armen. Që prej vitit 1882, aty tregtohet ar i papërpunuar dhe metale të tjera të çmuara. Pranë derës varet një zile bakri, ndërsa sipër saj ndodhet njëra prej më shumë se 128 kamerave të sigurisë që monitorojnë pa ndërprerje rrugicat dhe çatitë e pazarit.

Më pas, Berksoy hyn në Epoque, një dyqan antikash ku duket sikur koha ka ndalur që nga viti 1865. Getvart Teminyan, sot 76 vjeç, ishte ende adoleshent kur nisi punën aty si ndihmës.

Tani, së bashku me ish-nxënësin e tij, 63-vjeçarin Ibrahim Halil Iyisarac, ai është kujdestari i vetëm i biznesit.

“Kohët e fundit, për shkak të situatës ekonomike, gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë për të shitur sendet e tyre të çmuara”, thotë Teminyan. “Por çdo rënie pasohet nga një rimëkëmbje. Edhe atëherë, ne do të jemi ende këtu”.

Pamje si në filmat e James Bondit

Jo larg aty, brenda hanit İkizler, një rrjet punishtesh argjendarie dhe dyqanesh me shumicë që datojnë nga fundi i viteve 1940, rubini 12-karatësh i Berksoyt është gati të kalojë në duar të tjera dhe të vendoset në kornizën prej ari.

Shumë prej gurëve të tij janë punuar pikërisht këtu, përpara se të ekspozoheshin në vitrinat e dyqaneve Barneys New York, para mbylljes së tyre, e më pas të përfundonin ndër vite në bizhuteritë e shumë personazheve të njohur.

Sevan Harunyan, 54 vjeç, themeluesi i një prej punishteve më të njohura të pazarit, të specializuara në punimin e bizhuterive të arit, prej dekadash i kthen skicat në objekte prej metalesh të çmuara. Ai ka realizuar shumë prej krijimeve të Berksoyt.

Punishtja e tij e thjeshtë e argjendarisë dëshmon për 46 vjetët që Sevan ka kaluar duke përsosur zanatin.

Në qendër të dhomës ndodhet një tavolinë e madhe prej druri të vjetër, e mbushur me sende të shpërndara dhe kabllo të ngatërruara. Mes kësaj rrëmuje, Sevan merr një nga veglat e vogla, të rreshtuara me kujdes përgjatë murit, dhe e përdor me delikatesë për të punuar kornizën e arit që mban në dorë.

Nga e vetmja dritare e dhomës, pamja të sjell ndër mend skenën hapëse të filmit “Skyfall”, të vitit 2012, ku Daniel Craig, në rolin e James Bondit, përshkon me motor çatitë e mbuluara me tjegulla.

“Nuk lodhesh kurrë duke e parë këtë pamje”, thotë Sevan me një buzëqeshje të madhe. Në të njëjtën dhomë, edhe djemtë e tij, Arda, 22 vjeç, dhe Aras, 25 vjeç, patën kontaktin e parë me këtë profesion, kur ishin rreth 10 vjeç.

“Gjatë pushimeve shkollore vinin shumë herët në mëngjes dhe unë flija këtu”, tregon Aras, teksa buzëqesh dhe tregon vendin e tij të punës, tashmë përballë tavolinës së të atit.

“Atëherë vetëm vëzhgonim ose, në rastin më të mirë, përpiqeshim të krijonim forma të thjeshta sipas skicave që na jepte babai”.

Arasi ka përfunduar studimet për statistikë në Universitetin Mimar Sinan të Stambollit. Ai ka sjellë në biznesin familjar projektimin me programe kompjuterike, duke i dhënë një drejtim të ri procesit të prodhimit.

Arda, nga ana tjetër, është më i përqendruar te puna praktike me duar.

“Kam ende shumë për të mësuar, ndaj për momentin merrem me punët shtesë. Babai kryen punimet më të vështira dhe delikate”, thotë ai.

Të lindur në komunitetin armen të Stambollit, vëllezërit ndoqën një rrugë profesionale që prej brezash ka qenë e zakonshme në këtë komunitet. Armenët, sot pakicë në Turqi, kanë rrënjë në gjithë Anadollin që para sundimit osman dhe prej shekujsh njihen për mjeshtërinë e tyre në zeje të ndryshme.

Sipas Berksoyt, argjendarët armenë kanë pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në tregtinë e bizhuterive brenda Pazarit të Madh, në zonat përreth dhe më gjerë. Ai kujton edhe mjeshtrit që ka njohur në Shtetet e Bashkuara.

Rubini është në duar të sigurta. Pas më shumë se 40 vjetësh bashkëpunimi, Berksoy dhe Sevan e dinë mirë se si duhet të marrë formë skica që argjendari ka vizatuar me laps. Mes tyre shkëmbehen vetëm pak fjalë dhe disa pohime me kokë.

“Duhet ta ruajmë këtë profesion dhe traditën e kalimit të zanatit nga mjeshtri te nxënësi, sepse ai merr vlerë kur u përcillet brezave të tjerë”, thotë Sevan. “Ndiej përgjegjësi që punoj në zemër të prodhimit”.

“Në fund të fundit”, shton ai, “kështu funksionon pazari, pavarësisht sa qendra tregtare hapen përreth tij”.

Vendosja e rubinit

Bizhuteritë mbeten veprimtaria më e madhe tregtare e Pazarit të Madh. Sipas një studimi të vitit 2017, brenda mureve të tij punonin 57 mjeshtër, të cilët u shërbenin 532 argjendarëve, tregtarëve të arit dhe dyqaneve të bizhuterive.

Njëri prej tyre është 66-vjeçari Hrant Zorbas, mjeshtër i vendosjes së gurëve të çmuar, një proces i njohur si “mihlama”. Atij i takon të vendosë rubinin në unazën e përgatitur nga Sevani, sipas skicës së Berksoyt.

Zorbas mbulon me kujdes prehrin me një copë të trashë lëkure, të lidhur me tavolinën e punës përmes dy pjesëve të palosshme. Kjo e ndihmon të mbledhë mbetjet e vogla të metaleve dhe materialeve të çmuara që mund të bien gjatë punës.

Ai vendos një llupë drejtkëndore mbi syzet optike dhe nis të kontrollojë kornizën e lëmuar me njërën dorë, ndërsa me tjetrën fërkon lehtë rubinin.

“Shanti”, thotë ai, duke iu referuar të birit 42-vjeçar, që është ulur përballë tij, “preferon ta bëjë këtë punë me mikroskopët modernë të argjendarisë, por unë duhet t’i shoh vetë çarjet, defektet dhe shenjat e vendosjes së gurit”.

Për një punë kaq të imët dhe që kërkon shumë kohë, saktësia është thelbësore. Megjithatë, Zorbas nuk ankohet. Ai ndihet me fat që i biri ka zgjedhur të punojë përkrah tij, duke vazhduar një zanat që koha moderne e ka vënë në vështirësi, jo vetëm për shkak të teknologjisë së re.

“Me kalimin e viteve, mënyra e jetesës së njerëzve dhe, rrjedhimisht, përdorimi i bizhuterive dhe perceptimi i luksit kanë ndryshuar shumë”, thotë Shanti. “Edhe pse karficat e zbukuruara për kravata apo ato që mbaheshin në xhaketat e grave nuk janë më në modë, ka ende njerëz që e vlerësojnë bukurinë e bizhuterive të punuara me dorë”.

Zorbas e mban unazën në dorë dhe e vështron me admirim. Rubini është vendosur në mënyrë të përsosur në kornizën e arit, ndërsa në të dyja anët e tij rreshtohen me kujdes diamante të vegjël, në formë të zgjatur.

“Cila unazë e prodhuar në fabrikë mund të krahasohet me këtë bukuri?”, thotë Berksoy i mahnitur. “Ja ku është shpirti i Pazarit të Madh”.