Support TIME. Preserve the truth.
World

EU and NATO condemn Russian drone attack, Berlin investigates new cases of sabotage

EU-NATO

Photo: Associated Press

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është zotuar të mërkurën se do të shtojë presionin ndaj Rusisë, përfshirë edhe përmes sanksioneve të reja, pas një tentative për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani muajin e kaluar.

Sipas saj, incidenti tregon “papërgjegjshmërinë në rritje” të Moskës.

“Ky ishte një sulm i kryer me materiale të standardit ushtarak nga operativë rusë në territorin e Bashkimit Evropian. Ne nuk do ta tolerojmë këtë. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Gjermaninë. Dhe nëse qëllimi ishte të na bënte të mendonim dy herë për mbështetjen ndaj Ukrainës, mund t'ju them se kjo vetëm sa e ka forcuar vendosmërinë time”, ka deklaruar Ursula von der Leyen. 

Në një konferencë të përbashkët për media me von der Leyen në Bruksel, ka folur edhe sekretari i NATO-s, Mark Rutte, i cili ka thënë se rreziqet që paraqet Rusia janë të qarta. 

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Gjermaninë, me të gjithë aleancën dhe me Bashkimin Evropian...Rreziqet që paraqet Rusia janë të qarta. Dhe ne po punojmë pa ndërprerje për të siguruar që jemi të përgatitur për të garantuar sigurinë e popullit tonë. Nëse Rusia mendon se do të përçahemi nga ky kërcënim, ose nëse mendon se do të na zmbrapsë nga mbështetja për Ukrainën, e ka gabim. Uniteti ynë është i palëkundur. Mbështetja jonë për Ukrainën është e qartë”, ka deklaruar Rutte. 

Punonjësit e aeroportit gjetën muajin e kaluar një dron të pajisur me eksplozivë dhe një detonator në aeroportin Leipzig/Halle, një qendër e rëndësishme civile e transportit të mallrave dhe logjistikës së NATO-s në lindje të Gjermanisë.

Aeroporti shërben gjithashtu si bazë për disa avionë gjigantë ukrainas të transportit.

Gjermania e ka fajësuar të martën Moskën për sulmin, duke e cilësuar atë pjesë të luftës hibride, që synon të frikësojë dhe të shkaktojë përçarje në vendet që janë rreshtuar në mbështetje të Ukrainës pas pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Mirëpo, Rusia mohon përfshirjen.

Duke folur të mërkurën nga Kyrgyzstani, ku po mbahet takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se akuzat e Berlinit, janë një përpjekje e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për të fshehur dështimet e tij të brendshme. 

“Kancelari gjerman përballet me një situatë të vështirë politike të brendshme. Ai nuk gëzon besimin e qytetarëve të tij. Dhe arsyeja është e qartë: ai nuk i mbron interesat kombëtare, por i sakrifikon ato. Gabimet ekonomike janë të dukshme. Bizneset po mbyllen, njerëzit po humbasin vendet e punës dhe niveli i jetesës po bie. Nuk është e qartë pse po ndodh e gjithë kjo. Ofrohet vetëm një shpjegim: nevoja për t'iu kundërvënë një Rusie agresive. Por ku janë provat? Epo, provat janë sajuar”, ka thwnw Putin. 

Ndërkohë, teksa BE-ja po përgatitej siç ka thënë, për përgjigjen e saj ndaj Moskës, Gjermania po përballej me dy raste të reja të dyshuara sabotimi brenda 24 orëve.

Në rastin e parë, autoritetet po hetonin një akt vandalizmi në një nënstacion elektrik në landin perëndimor North Rhine-Westphalia. Incidenti bëri që disa njësi të një centrali energjetik me linjit, të shkëputeshin nga rrjeti.

Po ashtu, të martën, pajisje që përmbanin materiale përçuese dëmtuan linjat elektrike në një prej nyjeve më të rëndësishme të tensionit të lartë në landin lindor të Brandenburgut.