Bashkimi ka kërkuar nga FIBA shtyrjen e ndeshjes ndaj Manchesterit të Anglisë dhe caktimin e një date të re, pasi anëtarët e ekipit ende nuk kanë marrë përgjigje për vizat, pavarësisht se klubi thotë se i ka përmbushur me kohë të gjitha procedurat e nevojshme.
Ndeshja ndërmjet Manchesterit dhe Bashkimit është e paraparë të luhet të martën nga ora 20:00, në kuadër të Grupit F të “FIBA Europe Cup”.
Klubi i basketbollit Bashkimi ka njoftuar se nuk mund të udhëtojë për ta zhvilluar ndeshjen e paraparë, për shkak të mungesës së përgjigjes lidhur me pajisjen me viza të anëtarëve të ekipit.
Përmes një njoftimi për opinionin publik, klubi nga Prizreni ka bërë të ditur se i ka përmbushur me kohë procedurat dhe kërkesat e nevojshme për aplikimin për viza, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.
Si pasojë, Bashkimi i është drejtuar Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit, me kërkesë për shtyrjen e ndeshjes dhe caktimin e një date të re.
Sipas klubit, kjo do t’i mundësonte ekipit të pajiset me vizat e nevojshme dhe të udhëtojë për ta zhvilluar ndeshjen.