Gjiganti gjerman i automjeteve “Volkswagen” ka njoftuar se do të shkurtojë rreth 100 mijë vende pune deri në fund të kësaj dekade, në kuadër të ristrukturimit më të madh në historinë e industrisë globale të automjeteve.
Kompania, e cila po përballet me presion të madh financiar, tarifat amerikane dhe konkurrencën në rritje nga prodhuesit kinezë, ka bërë të ditur se drejtuesit dhe sindikatat kanë rënë dakord për shkurtimin e 50 mijë vendeve të tjera të punës deri në vitin 2030. Kjo e çon në 100 mijë numrin total të vendeve të punës që pritet të shkurtohen, The Guardian reports.
“Volkswagen” do të përgjysmojë gjithashtu numrin e modeleve që prodhon, ku bëjnë pjesë marka si Audi dhe Bentley. Ndërkohë, e ardhmja e katër fabrikave në Gjermani – në Hanover, Emden, Zwickau dhe Neckarsulm – nuk është garantuar përtej vitit 2030.
“Është thelbësore që nivelet e fuqisë punëtore të përshtaten në mënyrë sistematike me realitetin ekonomik”, thuhet në deklaratën zyrtar të “Volkswagen”.
Kompania njoftoi se ka miratuar një plan që parashikon “shkurtimin e rreth 50 mijë vendeve të punës”, përveç 50 mijë vendeve të tjera të punës për të cilat ishte njoftuar më herët.
Presion mbi drejtuesit e kompanisë
Vendimi wshtw marrw pas muajsh presioni ndaj drejtuesve të “Volkswagen”. Muajin e kaluar, drejtori ekzekutiv Oliver Blume u prit me protesta dhe fishkëllima nga punonjësit gjatë një vizite në selinë e kompanisë në Wolfsburg, në veri të Gjermanisë.
Në atë kohë, planet e ristrukturimit, të cilat sipas raportimeve mund të përfshinin rritjen e shkurtimeve të vendeve të punës nga 50 mijë në 100 mijë, ende nuk ishin miratuar nga bordi mbikëqyrës i grupit.
Të enjten, Volkswagen konfirmoi se bordi mbikëqyrës ka miratuar unanimisht propozimet.
“Bordi mbikëqyrës ka miratuar unanimisht planin e ardhshëm të kompanisë të paraqitur sot. Ky është një sinjal i fortë për të ardhmen e grupit ‘Volkswagen’”, tha Blume.
Ristrukturimi më i madh në industrinë e automjeteve
Shkurtimi i 100 mijë vendeve të punës përbën rreth 15% të fuqisë punëtore të “Volkswagen” dhe pritet të jetë ristrukturimi më i madh i ndërmarrë ndonjëherë në industrinë globale të automjeteve.
“Volkswagen” punëson më shumë se 650 mijë persona në të gjitha linjat që prodhon grupi përfshirë Skoda, Seat, Porsche, Cupra dhe Lamborghini.
Kompania gjermane është përballur vitet e fundit me konkurrencë të ashpër nga prodhuesit kinezë në tregun evropian, rënie të shitjeve në Kinë dhe tarifa të larta amerikane.
Problemet e kompanisë kanë nisur që përpara këtyre zhvillimeve, me rënie të fitimeve dhe mbiprodhim në tregun evropian.
Kushtet e vështira në tregun kinez, ku në gjysmën e parë të vitit 2026 shitjet e “Volkswagen” ranë me më shumë se 31%, kanë prekur edhe prodhues të tjerë evropianë të automjeteve, ndërsa BMW së fundmi ka ulur parashikimin për fitimin e këtij viti, duke përmendur ndër të tjera vështirësitë në tregun kinez.