Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Von der Leyen: Albania's membership makes the EU stronger, there is still work to be done

Ursula

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk e bën vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe vet BE-në. 

Von der Leyen në një konferencë të përbashkët në Tiranë me kryeministrin e Shqiprëisë, Edi Rama, ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin e bërë në rrugën drejt BE-së. 

“Ka ende punë përpara...Duhen reforma të mëtejshme te të gjithë kapitujt e hapur...Miratimi i reformave i rëndësishëm, por më i rëndësishëm të zbatohen tërësisht. Të sigurohen të sjellin ndryshime të vërteta për qytetarët e Shqipërisë”, ka thënë Von der Leyen. 

Ajo ka përgëzuar Shqipërinë edhe për përparimin e arritur te reformat sa i përket edhe Planit të Rritjes. Ka thënë se mbi 80 për qind janë arritur reformat. Se Shqipëria i ka marrë mbi 213 milionë euro deri më tash nga ky plan dhe se do të ketë pagesa tjera javën e ardhshme. 

Ajo ka thënë se lufta kundër korrupsionit është kyç në rrugën e anëtarësimit. 

Sa i përket raportimeve se KE do të heqë veton fillimisht për të gjitha vendet e reja anëtare në BE, Von der Leyen ka thënë se po shikohen traktatet e ardhshme të anëtarësimit dhe se do të ketë disa masa, siç kishte në të kaluarën. 

E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë edhe ashtu e drejta e vetos nuk është një e drejtë që i bën mirë as Bashkimit Evropian. 

Rama ndërkohë ka thënë po përgatiten për të filluar mbylljen e kapitujve të hapur në rrugën e anëtarësimit. Po synohet deri vitin e ardhshëm të mbyllen të gjithë kapitujt. 

Ai po ashtu ka thënë se ka informuar presidenten Von der Leyen për ecurinë e projektit të Zvërnecit që ka ngjallur protesta në Shqipëri tash e 123 ditë. Protesta ka pasur edhe sot ku ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë. 

“Tani jemi në fazën që po e presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor”, tha Rama. 

Ai po ashtu ka thënë se Shqipëria ka bërë punë të madhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

“Nëse deri dje në Shqipëri korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, tha Rama. 
E për skandalin me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni, ku pretendohet se se të dhëna sekrete i janë dorëzuar Ergys Agasit, një prej biznesmenëve të përfshirë në hetimin lidhur me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku po hetohen dyshime për veprimtari kriminale dhe manipulim të procedurave të prokurimit publik, Rama tha se i mbetet prokurorisë dhe gjykatave ta kryejnë punën. 

Ursula von der Leyen ka nisur me vizitën në Tiranë, turneun e saj në Ballkanin Perëndimor. 

Të enjten do ta vizitojë Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa të premten do të jetë në Maqedoni të Veriut. Në këtë turne nuk i ka përfshirë në agjendën Bosnjë-Hercegovinën e Serbinë. 

Në Kosovë ajo do të takohet nga ora 12:30 me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.