Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Veterans present "platform of action", demand the cancellation of the Special

veterans

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka prezantuar “platformën e veprimit” pas dënimit të katër udhëheqësve të UÇK-së nga Gjykata Speciale një ditë më parë.

Sipas veteranëve, kjo platformë përfshin qëllimet, ekipet, kërkesat dhe mjetet përmes së cilave OVL-ja synon të veprojë pas vendimit të shkallës së parë.

Fatmir Sopi, që e ka prezantuar platformën para mediave, ka thënë se qëllimi është që reagimi i OVL-së të shndërrohet në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm.

Ndër pikat e përfshira janë mbrojtja në Apel dhe amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Qëllimi i Platformës është që OVL-UÇK ta shndërrojë reagimin pas aktgjykimit në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm. Prioritetet janë: mbrojtje në Apel, monitorimi i të drejtave të të akuzuarve, ruajtja e debatit demokratik dhe shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053, kërkimi i përgjegjësisë politike, pjesëmarrja qytetare paqësore, angazhimi ndërkombëtar dhe ruajtja e dokumentuar e historisë së UÇK-së”, ka thënë Sopi.

Në platformë parashihet edhe një rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara.

“Rivlerësimi institucional i Dhomave duhet të analizojë raportin ndërmjet arsyeve që çuan në krijimin e mekanizmit, përfshirë pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës për trajtimin e gjerë të organeve, mandatit më të gjerë që iu dha më pas Dhomave, akuzave të ngritura dhe rezultateve konkrete të proceseve”, ka thënë tutje Sopi. “Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandumin Juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternative. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”. 

Për zbatimin e platformës, OVL-UÇK parasheh krijimin e Këshillit Koordinues të Veprimit, nën përgjegjësinë e Kryesisë së organizatës.

Në kuadër të platformës janë paraparë katër ekipe: Ekipi Juridik dhe për Mbrojtjen, Ekipi Institucional dhe për Veprim Qytetar, Ekipi për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diasporë, si dhe Ekipi për Dokumentim, Histori dhe Komunikim.

Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel. Aty është paraparë Fondi i Solidaritetit, si mbështetje plotësuese, me auditim dhe transparencë të plotë.

Në platformë kërkohet edhe krijimi i një mekanizmi profesional për monitorimin e procesit të Apelit dhe të drejtave procedurale.

Një tjetër pikë e platformës lidhet me materialet me origjinë nga Serbia dhe mënyrën se si ato duhet të analizohen.

“Të evidentohen materialet relevante me origjinë nga institucionet serbe dhe të analizohen burimi, autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes, konteksti dhe pesha provuese. Çdo kundërshtim duhet të mbështetet në mangësi konkrete dhe të dokumentuara”, thuhet në platformë.

OVL-UÇK përmes kësaj platforme ka paraparë edhe kërkimin e përgjegjësisë politike ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas organizatës, ekzistojnë deklarata publike të dokumentuara kundër UÇK-së.

“OVL-UÇK duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe largimin nga Qeveria të ministrave dhe zyrtarëve të cilët ekzistojnë të deklarata publike të dokumentuara se kanë akuzuar UÇK-në, drejtuesit ose pjesëtarët e saj për krime lufte, jasje politike apo veprimtari kriminale, në rastet kur pretendimet nuk mbështeten në vendime gjyqësore që i vërtetojnë. Për secilin rast duhet të përgatitet dosje me deklaratën konkrete, datën, burimin dhe faktet që e vërtetojnë. Kërkesa duhet t’i drejtohet Kryeministrit si çështje e përgjegjësisë politike dhe besimit institucional”, thuhet në platformë.

Platforma parasheh që OVL-UÇK të zgjerojë angazhimin me shtetet mike dhe diasporën, ndërsa paralelisht të ndërtojë mekanizma për ruajtjen dhe studimin e dokumentacionit të luftës.

OVL-ja bërë të ditur se për t’i arritur këto kërkesa do të protestojë paqësisht, do të iniciojë peticione kombëtare e do të ketë iniciativa juridike dhe parlamentare, por edhe kërkesa drejtuar institucioneve.

Veteranët kanë bërë thirrje për një protestë gjithpopullore të premten.

Read other updates
Protesters in front of the Government

Developments one day after the conviction of former KLA leaders by the Special