Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Veliu on Sejdiu's candidacy: Debts are paid with state positions

Dawn Veliu

Photo: Driton Pacharada

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se kandidatura e Bekim Sejdiut për president “është larje borxhi” nga treshja Albin Kurti, Lumir Abdixhiku e Vjosa Osmani.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se Sejdiu del të jetë “konsensual” si emër qysh prej më herët.

“Kandidat “konsensual” Kështu po quhet tani Bekim Sejdiu, si të ishte zbuluar papritur në tryezën e përbashkët të Kurtit, Abdixhikut e Vjosa Osmanit. Por, sipas rrëfimit të tyre (treshes), duket se konsensusi ka nisur shumë më herët… Madje qysh atëherë kur vendimet e tij (Sejdiut) në Gjykatën Kushtetuese i leverdisnin politikisht VV-së dhe i kushtonin LDK-së. Sot po mundohen ta shesin si zgjidhje konsensuale për President. E dje, sipas kësaj logjike, paska qenë investim politik. Çfarë rastësie e bukur. Ai që dikur ishte “i dobishëm” për një palë, sot na paraqitet si “i pranueshëm” për të gjithë. Në politikën tonë kosovare, me sa duket, edhe borxhet politike paguhen me poste shtetërore.  Kësaj radhe hiq më pak se me post Presidenti!” ka shkruar Veliu në Facebook.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe Abdixhiku e Osmani nga LDK-ja ditë më parë e prezantuan Sejdiun si kandidat të përbashkët për president. Megjithatë, marrëveshja rrezikon të mos ia sjellë Kosovës presidentin e ri pasi nga 80 votat e menduara, 6 të LDK-së kanë dalë kundër. Gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan e kjo thelloi përçarjet brenda partisë.

Sipas Veliut, në këtë mes problemi është te lidershipi i Abdixhikut dhe jo te këta deputetë.

“Në krejt këtë histori interesash të treshes, Abdixhiku duhet t’i ndalë sulmet ndaj gjashtë deputetëve. Ata nuk janë problemi. Problemi është lidershipi yt që nuk pranon kundërshtim dhe kërkon vetëm bindje. Nëse gjashtë deputetë thanë “JO”, ti duhet ta pyesësh veten PSE, para se t’i fajësosh. LDK-ja nuk është pronë e askujt. As demokracia nuk është urdhër”, ka shkruar tutje Veliu.

Sejdiu ka qenë gjyqtar i Kushtetueses edhe në kohën kur Gjykata e rrëzoi Qeverinë e Avdullah Hotit të LDK-së, që atë kohë nuk mbështetej nga Abdixhiku e Osmani.