Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Seasonal flu vaccines will arrive in Kosovo three weeks late

Vaccine

Vaksina, fotografi ilustruese

Vaksinimi kundër gripit sezonal nuk do të nisë në fillim të tetorit, ashtu siç ishte planifikuar. Vonesat në furnizim kanë bërë që 85 mijë doza të vaksinës të arrijnë në Kosovë vetëm më 21 tetor, ndërsa institucionet shëndetësore thonë se qytetarët do të njoftohen për nisjen e vaksinimit pas pranimit dhe shpërndarjes së tyre. Këto institucione gjatë muajit të kaluar patën thënë për KOHËN se vaksinimi do të nisë me kohë

Vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili ishte paraparë të fillojë në javën e parë të tetorit, nuk do të nisë sipas planit, pasi vaksinat ende nuk kanë arritur në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kishte planifikuar që vaksinat të arrijnë në javën e fundit të shtatorit, por furnizimi do të bëhet me tri javë vonesë.

Në një përgjigje IKSHPK-ja ka sqaruar se kjo vonesë ka ndodhur si pasojë e ndryshimeve në shtamet e virusit të gripit që vaksina e këtij sezoni duhet t’i mbulojë.

“Këtë vit, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave kundër gripit është ndikuar nga ndryshimet në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e hemisferës veriore. Këto ndryshime kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, si dhe në furnizimin e vendeve të rajonit, përfshirë Republikën e Kosovës, ku vaksinat pritet të arrijnë me 21 ditë vonesë nga afati i planifikuar. Vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Republikën e Kosovës më 21 tetor 2026”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Vitin e kaluar, vaksinimi në Kosovë kundër gripit kishte filluar më 1 tetor.

Sipas IKSHPK-së, këtë sezon pritet të arrijnë 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal.

Ndërsa, shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Xhevahire Canolli, ka sqaruar se një person mund të infektohet edhe në ditët e para pas vaksinimit, pasi mbrojtja nuk krijohet menjëherë.

“Inkubacioni i gripit është shumë i shkurtër, një deri në tri ditë, kështu që nëse ekspozohemi ndaj gripit menjëherë para ose pas vaksinimit, mund të zhvillojmë sëmundjen, meqenëse pas dy javësh fillon mbrojtja e organizmit kundër gripit. Mirëpo, vaksina nuk ndikon në ashpërsinë e simptomave, përkundrazi do ta kalojmë sëmundjen më lehtë. Mbrojtja ndaj gripit fillon pas dy javësh dhe është e mjaftueshme për një sezon, por nuk është e mjaftueshme edhe për vitin tjetër. Për këtë arsye dhe për shkak të ndryshimeve të shtameve qarkulluese të virusit, vaksinimi kundër gripit rekomandohet çdo vit”, ka thënë Canolli.

Sipas saj, me fillimin e vaksinimit, qytetarët përveç QKMF-së do të mund ta marrin vaksinën edhe në 15 qendra të mjekësisë familjare.

Në QKMF, vaksinimi do të bëhet nga ora 07:00 deri në 20:00, ndërsa në qendrat e tjera të mjekësisë familjare nga ora 07:00 deri në 13:00.

Për dallim nga Kosova, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri të mërkurën ka njoftuar se janë marrë masat për nisjen e vaksinimit kundër gripit sezonal dhe se për këtë sezon janë siguruar 280 mijë doza, të cilat do të jenë në dispozicion për grupet prioritare.

Sipas IKSHPK-së, rreth një miliard raste të gripit sezonal raportohen çdo vit në mbarë botën, ndërsa rreth 3 deri në 5 milionë prej tyre paraqiten në forma të rënda.

Sipas këtyre të dhënave, rreth 99 për qind e vdekjeve te fëmijët nën pesë vjeç në vendet në zhvillim lidhen me infeksionet e traktit të poshtëm respirator të shkaktuara nga gripi.