Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Ulutash: The path to sustainable security in Kosovo is not military, but political

Ozkan Ulutash

Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka thënë se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike, në letrën e tij lamtumirëse me rastin e përfundimit të mandatit në krye të misionit të NATO-s.

Ulutash ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, duke mbështetur edhe avancimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Megjithatë, rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike. Për këtë arsye, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në këtë drejtim, përfshirë mbështetjen e avancimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Ulutash

Ai ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është shumë më e mirë sesa në vitin 1999, kur trupat e NATO-s u vendosën në vend me mandat të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë zhvilluar dhe rritur kapacitetet e tyre, ndërsa KFOR-i vazhdon të jetë reaguesi i tretë në fushën e sigurisë, i pranishëm në të gjithë vendin dhe i gatshëm të ndërhyjë në rast të rrezikut për përkeqësimin e situatës.

Ulutash ka bërë të ditur gjithashtu se procesi i përshtatjes graduale të pranisë dhe dislokimit të forcave të KFOR-it, i paralajmëruar nga NATO-ja në qershor, tashmë ka nisur. Sipas tij, ky proces po zhvillohet në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me mandatin e misionit.

Në letrën e tij, komandanti ka falënderuar pjesëtarët e KFOR-it për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e treguar gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare për bashkëpunimin.

Ai ka falënderuar edhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për komunikimin dhe bashkëpunimin, të cilin e ka cilësuar profesional dhe konstruktiv.

“Mbi të gjitha, falënderoj të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë për besimin që i kanë dhënë KFOR-it. Ka qenë nder të shërbej mes tyre”, ka shkruar ai.

Komanda e KFOR-it do t'i kalojë gjeneralmajorit italian Roberto Vergori, i cili ka shërbyer edhe më parë në Kosovë. Ulutash ka shprehur besimin se misioni do të vazhdojë me të njëjtat parime dhe përkushtim, duke i uruar pasardhësit të tij sukses në detyrën e re.