Deri në 60 euro më lirë po shiten tekstet shkollore të përdorura në rrjetet sociale. Kompletet e klasës së 9-të, që në librari kushtojnë deri në 100 euro, po ofrohen për vetëm 40 euro në tregun e zi. Por, kjo po ndodh pavarësisht rregullit që tekstet shkollore, pas përfundimit të vitit, duhet të kthehen në shkolla. Në Këshillin e Prindërve thonë se është e drejtë e prindërve dhe nxënësve që t’i blejnë librat më lirë.
Egzona Mema
Librat e klasës së 9-të, që në librari kushtojnë deri në 100 euro komplet, në tregun e zi ato po shiten të përdorura për vetëm 40 euro.
Kjo po bëhet pavarësisht thirrjes së Ministrisë së Arsimit drejtuar prindërve që të mos blihen librat pa u publikuar çmimet e tyre nga ky institucion.
Kësisoj, tekste shkollore të vjetra, edhe të klasave të tjera, po shiten përmes rrjeteve sociale, ndonëse, sipas udhëzimit administrativ nr. 13/2016 për pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore, me përfundimin e vitit shkollor ato duhet të kthehen në shkollë.
Drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, thotë se jo të gjithë nxënësit e kanë zbatuar ligjin në këtë pjesë.
also
Llumnica: Safety experts at KEK often do not raise the alarm about dangers at work, they are afraid
“Ka raste kur kanë ardhur me libra të vjetër, është përgjegjësi e prindit që të mos i lënë, sepse ne nuk mundemi me i ndalu që mos vijnë në shkollë”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, rreth 80 për qind e nxënësve i kanë kthyer librat, por ato nuk do të mund të përdoren më nga nxënës të tjerë.
“Ne i kemi në depon e shkollës, pas shtatorit kur sigurohemi që nxënësit i kanë tekstet e reja, ne veprojmë sipas udhëzimit që ato të riciklohen, në asnjë mënyrë ato nuk bën të përdoren. Kemi pasur raste të izoluara që mjetet nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur, i kemi bërë apel, sepse nuk bën që të punohet me libra të dëmtuara e plotësuara”, tha Osmani.
Krejt këto pazare për çmime më të lira të librave po bëhen edhe pse nxënësit do të subvencionohen nga Qeveria me mjete për blerjen e teksteve shkollore të reja.
E metodën e kthimit të librave nuk e mbështesin në Këshillin e Prindërve.
Nënkryetarja Linda Dula-Halilabazi thotë se është e drejtë e prindërve dhe nxënësve që t’i blejnë librat më lirë, nëse kanë mundësi.
“Librat e vjetër më nuk i kthejmë në shkolla, se i kemi blerë vetë. Ata që i kanë të rinj librat mund t’i dhurojnë ose edhe t’i shesin, nëse kanë nevojë. Është zgjedhje personale e tyre. Edhe dikush përfiton, sepse i blen më lirë. Kuptohet, fletoret e punës janë problem, pasi janë të plotësuara, e besoj duhet të jepet mundësia të shiten veçmas. Për ta shmangur tregun e zi dhe problemet e tjera, më e mirë është që librat t’i dhurojë MASH-i nëpër shkolla dhe ato prapë të kthehen në shkollë”, tha Dula-Halilabazi.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës lidhur me shitjen e librave shkollorë në tregun e zi, dhe as në pyetjen se kur pritet të publikohet katalogu përfundimtar i teksteve së bashku me çmimet.
also
The EU calls on Kosovo's institutions to respect the rule of law and multi-ethnic character
Drejtuesit e kësaj Ministrie patën njoftuar se subvencionimi i prindërve do të niste nga fillimi i javës së kaluar, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Qeveria ka ndarë nga buxheti i shtetit 14 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore, por ende nuk është përcaktuar as shuma sa do t’u ndahen atyre.