Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Tahiri urges the Government to urgently process the law on Specialized Chambers

Arian Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i ka kërkuar Qeverisë që me urgjencë ta trajtojë dhe ta procedojë në Kuvend amendamentimin e ligjeve për Dhomat e Specializuara, pasi Kuvendi miratoi unanimisht një deklaratë përmes së cilës shprehu qëndrimin kundër vendimit të Speciales. 

Pas seancës të së hënës, Tahiri tha se projektligji për amendamentimin e ligjeve për Dhomat e Specializuara tashmë ndodhet në Qeveri dhe duhet të kthehet sa më shpejt në Kuvend për votim.

“Në emër të PDK-së si iniciatorë të deklaratës, falënderoj të gjitha grupet parlamentare që me votën e tyre, unanimisht, mbështetën deklaratën dhe shprehëm revoltën ndaj kësaj padrejtësie që ka ndodhur për shtetin e Kosovës dhe për popullin shqiptar”, tha Tahiri.

Ai theksoi se Kuvendi, sipas tij, e ka përmbushur pjesën e vet të përgjegjësisë duke dëshmuar vullnetin politik përmes votimit unanim, ndërsa tani pret veprim nga Qeveria.

“Kuvendi e kreu punën e vet, u pa vullneti politik, tani përgjegjësia është te Qeveria. Ligji është në Qeveri, andaj e shfrytëzoj rastin që të trajtohet ligji me përgjegjshmëri dhe me urgjencë, të kthehet në Kuvend dhe ky vullnet që u dëshmua sot me votë të argumentohet me votë për ligjin”, ka thënë ai në adresimin për media. 

Tahiri tha se nuk sheh arsye që procesi të vonohet dhe kërkoi që projektligji të rikthehet në Kuvend brenda ditëve në vijim.

“Nuk ka asnjë arsye që të vonohet dhe ligji të mbetet në Qeveri. Presim që Qeveria ta bëjë punën e vet sot dhe nesër apo këto ditë ta sjellë ligjin në Kuvend dhe ta gjejë mbështetjen që e pati edhe deklarata”, u shpreh Tahiri.

Ai e ndau këtë çështje nga ajo e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar amendamentimin e ligjit për Dhomat e Specializuara si përgjegjësi institucionale dhe kombëtare.

“Ligji është temë e veçantë, është përgjegjësi kombëtare, institucionale, morale, individuale e secilit deputet shqiptar. Çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike që patjetër duhet të ketë qasje proaktive, konsensus, mos të jetë shkaktar i zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, ka deklaruar Tahiri. 

Read other updates
ASSEMBLY

Parliament approves Declaration on the Special Court's verdict