Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Albania closes the fourth chapter, Rama: The countdown towards the historic objective begins

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria ka marrë dritën jeshile për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me politikën e ndërmarrjeve dhe industrisë. Është kapitulli i katërt që mbyll në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nga 33 sa janë gjithsej. 

“Shqipëria mbyll kapitullin e IV, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se ky zhvillim forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim.

Kapitulli 20 është pjesë e grupkapitullit të tretë, që përfshin konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Ai përfshin politikat e Bashkimit Evropian për ndërmarrjet dhe industrinë, përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas agjendës zyrtare të Këshillit të BE-së, mbyllja e përkohshme e këtij kapitulli është paraparë të formalizohet më 13 tetor, në konferencën e dhjetë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në Luksemburg.

Deri tani, Shqipëria pati mbyllur përkohësisht tre kapituj të negociatave: Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me jashtë.

Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Pas mbylljes së përkohshme të Kapitullit 20, do t’i mbeten edhe 29 kapituj për t’i mbyllur.

Negociatat zhvillohen në gjashtë grupkapituj: Themeloret, Tregu i Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme, Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.

Procesi nuk përfundon me hapjen apo mbylljen e disa kapitujve. Të gjithë kapitujt duhet të mbyllen dhe marrëveshja përfundimtare e anëtarësimit duhet të marrë miratimet e nevojshme nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare.

Shqipëria ka statusin e vendit kandidat që nga viti 2014, ndërsa negociatat e anëtarësimit i ka hapur zyrtarisht në vitin 2022.