Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

The government held a meeting tonight, made several decisions

government

Photo: Driton Pacharada

Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike të martën, ku mori disa vendime. 

Kabineti qeveritar miratoi Programin e Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026 – 2028 dhe projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili rregullon organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit të Bujqësisë në territorin e Kosovës, duke përcaktuar autoritetin kompetent, organet dhe strukturat e përfshira, procedurat dhe metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.

Qeveria miratoi po ashtu vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.

Miratoi vendimin për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.

Miratoi Koncept-dokumentin për Fushën e Akreditimit. Në sqarimin e Kryeministrisë thuhet se ky dokument kontribuon në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë (standardizim, metrologji, akreditim dhe vlerësim të konformitetit), e cila paraqet një element kyç për funksionimin e tregut të brendshëm, rritjen e besueshmërisë së produkteve dhe lehtësimin e qasjes në tregjet ndërkombëtare. 

“Po ashtu, dokumenti është në linjë me obligimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, përkatësisht përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit, në kuadër të kapitullit për lëvizjen e lirë të mallrave”, thuhet në sqarim.

Qeveria miratoi edhe vendimin për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nënprogrami “Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale” nga kategoria e shpenzimeve “Investimet kapitale”, konkretisht nga projekti kapital "Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale" në një projekt kapital të ri, në përputhje me Memorandumin e mirëkuptimit për projekte kapitale, të nënshkruara nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Kryetari i Komunës përkatëse.

Ndër tjerash miratoi Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë 2026 – 2027, Programin Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe projektligjin për Efiçiencë të Energjisë. 

Ndërkohë, miratoi edhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale Nr. Prot. 1899 e datës 1 tetor 2026 për konfirmimin e interesit të përgjithshëm Publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatese nga Ndërmarrja Publike "Trepça" Sh. A.