Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

The government is criticized for working without a governing program.

government

The state aims to take the Inspectorate for Cultural Heritage, which operates within the Ministry of Culture and Tourism, to another level, both in terms of institutional ranking and competencies.

Photo: Driton Pacharada

Qeveria ka proceduar dhjetëra ligje për në Kuvend, por një muaj pas marrjes së mandatit, ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti ende nuk e ka miratuar Programin Qeverisës, dokumentin që përcakton prioritetet, afatet dhe financimin e zotimeve për katër vjetët e ardhshëm. Deputetë opozitarë kritikojnë mungesën e një plani të qartë për drejtimin e vendit

Një muaj nga marrja e mandatit, Qeveria ndonëse ka proceduar me dhjetëra ligje në Kuvend, ende nuk e ka miratuar dokumentin bazë të drejtimit të saj, Programin Qeverisës. 

Deputetë opozitarë kanë kritikuar ekzekutivin për mungesën e Programit. 

Blerta Deliu-Kodra, ligjvënëse nga Partia Demokratike ka thënë se ende nuk kanë nisur as procedurat për përpilimin e Programit.

“Në muajin e pestë pas zgjedhjeve, Qeveria ende nuk ka paraqitur për diskutim publik e parlamentar një program që tregon drejtimin e vendit. Ligjet duhet t’i shërbejnë një qëllimi të qartë: zhvillimit ekonomik, sigurisë energjetike, mbështetjes së bizneseve dhe një jete më të mirë për qytetarët. Kur mungon ky drejtim, lista e ligjeve mbetet një inventar nismash të vjetra. Kosovës i duhet qeverisje me plan, afate e përgjegjësi. Koha po kalon, ndërsa përgjigjet ende mungojnë”, ka thënë ajo.

E shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se mungesa e Programit nënkupton që Qeveria do të merret vetëm më improvizime. 

“Një qeveri pa program është pa identitet, ndërsa një qeveri pa prioritete legjislative mbetet edhe pa letërnjoftim politik. Problemi nuk është vetëm mungesa e një dokumenti, por mungesa e përgjigjeve ndaj problemeve në energji, ekonominë, mirëqenien e qytetarëve, sektorin privat dhe sfidat integruese. Gjithçka po mbetet në improvizim”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, gazetari Fitim Gashi ka vlerësuar se pas ngërçit gati dyvjeçar institucional, vendi ka nevojë për qartësi në drejtimin e Qeverisë 

Sipas tij, zotimet e kryeministrit duhet të shoqërohen me afate konkrete dhe burime të përcaktuara financiare.

“Në ekspozenë para deputetëve, pamë se kryeministri Kurti, që mori mandatin e ri në shtator të këtij viti, dha shumë premtime: paralajmëroi 1 miliard euro për prodhimin dhe industrinë, po ashtu deri në 500 milionë euro investime në Brezovicë, dyfishim të shtesave për fëmijët dhe pagë mesatare mbi 1000 euro në sektorin publik. Fatkeqësisht po vjen të mos merret shumë me sektorin privat, por edhe ato zotime duhet të shoqërohen me afate, financim të përcaktuar dhe tregues të matshëm të rezultateve”, ka thënë ai.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mandatin e mori më 13 shtator.

Mirëpo ajo është vazhdimësi e Qeverisë Kurti 3, e cila doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar. 

As në periudhën e shkurtër dy mujore, sa pati mandat të plotë në fillim të vitit, ekzekutivi nuk miratoi Program Qeverisës. 

Me zgjedhjen e presidentes është shmangur rreziku i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pas një periudhë gati dyvjeçare të mungesës së stabiliteti institucional, gjatë së cilës janë grumbulluar punë e probleme që presin zgjidhje.

Programi i Qeverisë është harta që drejton rrugën e ekzekutivit për katër vjet. Ai përbën premtim zyrtar para qytetarëve dhe rregullohet me Ligjin për Qeverinë. Përpos që është një vizion, është edhe një udhërrëfyes i punës së Qeverisë për secilin vit, e si rrjedhojë i vetmi dokument ku qytetarët mund t’i krahasojnë premtimet e dhëna dhe ato të realizuara. 

KOHA ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit nëse konsiderojnë se janë vonuar me miratimin e Programit Qeverisës, nëse kanë filluar ta përpilojnë dhe kur planifikojnë ta kenë gati, por gjatë së dielës nuk ka marrë përgjigje. 

Deri më tani, Qeveria ka publikuar Agjendën Legjislative, ku janë përcaktuar projektligjet që synon t’i procedojë në Kuvend. Për pjesën e mbetur të këtij viti, ekzekutivi ka planifikuar miratimin e më shumë se 60 ligjeve.