Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

NPB employees demand salaries in protest in front of the Municipality of Pristina

Protest

Mbi 380 punëtorë të Ndërmarrjes Publike Banesore ka dy muaj që nuk i kanë marrë pagat. Për këtë arsye, ata kanë protestuar të hënën para objektit të Komunës së Prishtinës dhe kanë njoftuar për ndërprerjen e të gjitha shërbimeve deri në shlyerjen e borxhit

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë protestuar të hënën para objektit të Komunës së Prishtinës për mosekzekutimin e pagave. 

Mbi 380 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje nuk janë paguar tash e dy muaj.

Me tymuese dhe pankarta ku ishin të shkruara kërkesat e tyre, ata kërkuan që pagat të ekzekutohen menjëherë.

Xhevat Prebreza, organizator i këtij aksioni, ka thënë se punëtorët më nuk do të heshtin.

“Ne, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, nuk jemi këtu rastësisht. Jemi këtu sepse kemi ardhur në një pikë ku heshtja nuk mund të vazhdojë më. Kemi punuar dhe do të punojmë me përkushtim. Kemi kryer dhe po kryejmë detyrat tona dhe kemi dhënë kontributin tonë për ndërmarrjen dhe qytetin. Por sot, kur vjen koha për të marrë pagën, po përballemi me vonesa dhe, tash e dy muaj, mbi 380 punëtorë nuk kanë marrë rrogën”, ka thënë ai.

Prebreza ka bërë edhe një kërkesë për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, meqë Komuna që udhëheq ai është aksionare e ndërmarrjes.

“Duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës është 100 për qind aksionare e ndërmarrjes, kërkojmë publikisht nga kryetari i Prishtinës, zoti Rama, që të ushtrojë autoritetin e tij institucional për të na mbështetur fuqishëm në zgjidhjen e këtyre sfidave jetike që ne punëtorët dhe NPB-ja kemi. Po ashtu, i njoftojmë qytetarët se, përderisa vazhdon kjo gjendje e mosmarrjes së pagave, jo me dëshirën tonë, do të ndërpriten të gjitha shërbimet tona”, ka thënë Prebreza.

KOHA u ka dërguar pyetje drejtuesve të ndërmarrjes dhe Komunës së Prishtinës, lidhur me kërkesat e protestuesve, por deri në transmetimin e stories nuk ka marrë përgjigje.

Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore njoftoi se llogaritë e saj bankare janë bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.

Gjykata Komerciale e ka obliguar ndërmarrjen t’ua paguajë 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur tri kompanive – “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos” – me të cilat, më 2021, pati lidhur kontratë për bashkinvestim.

Në telashe financiare janë edhe shumë prej ndërmarrjeve ku Komuna e Prishtinës është aksionare.