Profesori i së drejtës penale ndërkombëtare, Avni Puka, ka vlerësuar se gabimi i institucioneve të Kosovës në raport me Gjykatën Speciale, ka qenë më 2015 me mënyrën e formimit të saj. Ai ka shprehur frikë se Kosova tashmë është vonë për të krijuar ndryshime në juridiksion të kësaj gjykate.
Në vazhdimësi, Puka Specialen e ka konsideruar konstruksion të paprecedentë në historinë e drejtësisë penale ndërkombëtare. Sipas tij, nuk ka raste kur një shtet formon gjykatë me ndryshime kushtetuese e ligje, dhe në fund e bart sovranitetin jashtë. Kjo sipas tij paraqet moskujdes ndaj sovranitetit të shtetit.
“Në rastin konkret, institucionet konsideroj se nuk janë kujdesur për sovranitetin e shtetit... është bartur sovraniteti në mënyrë të plotë. Përkatësisht komponenta e pushtetit represiv, pra që rastet gjykohen, (Dhomat e Specializuara) të themelohen sipas Kushtetutës, ndërkaq të mos ketë asnjë involvim të institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Duke i krahasuar tribunalet ndërkombëtare me Specialen, Puka ka thënë se Tribunali i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi apo ai Penal për Ruandën janë themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu ka thënë se gjykatat për shtete të caktuara janë themeluar me marrëveshje ndërkombëtare të shteteve me OKB-në, për dallim nga Kosova që e ka bërë me ndryshime kushtetuese.
“Në kuptim të juridiksionit, shtetet e pavarura, sovrane një nga detyrat kryesore e kanë që të kujdesen për respektimin, mbrojtjen e sovranitetin e shtetit, në këtë linjë të pushtetit represiv, të dhënies së drejtësisë në çështje penale”, ka thënë ai.
Çështje tjetër për të cilën Puka ka thënë se ka qenë gabim është mospërfshirja e gjyqtarëve e prokurorëve nga Kosova. Sipas tij, çështja e sovranitetit të shteteve është pikërisht pse është refuzuar edhe një kod i përbashkët penal evropian. Në Kosovë, sipas tij, ka ndodhur pikërisht e kundërta.
“U krijua një gjykatë monoetnike. E paprecedentë, që vetëm një etni, një kategori e personave të gjykohet për krime brenda territorit. U është dhënë mandat Dhomave të Specializuara që t’i gjykojnë jo të gjitha krimet. Të gjitha tribunalet që i përmenda kanë pasur juridiksion lidhur me territorin dhe jo me subjektet. Në rastin konkret, Dhomat e Specializuara si gjykatë monoetnike, e panjohur deri sot në praktikën ndërkombëtare, është fokusuar te subjektet, në kuptimin kush janë kryerësit dhe jo te faktet. Kjo padyshim që bie ndesh me standardet e të drejtës penale ndërkombëtare bashkëkohore, sepse diçka e tillë ka pasur mundësi të evitohet dhe është dashur të mos lejohet më 2015”, ka thënë ai.
Për mundësitë që diçka e tillë të ndryshohet, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës ka shprehur frikë se “jemi vonë”.
“Çdo iniciativë që mund të mbështesë për të garantuar gjykim të drejtë në vazhdim është legjitime, por në kuptim të juridiksionit është dhënë mandat, bartje e sovranitetit, bazuar në Kushtetutë, ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare që e bën të vështirë ose të pamundur që gjatë procesit të ndërhyjmë në ndryshime të juridiksionit”, ka thënë ai.
Puka ka thënë se është dashur të ketë më shumë ekspertizë vendore e ndërkombëtare gjatë draftimit të amendamenteve kushtetuese dhe të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai ka thënë se këto nuk janë lejuar atë kohë.
Ai ka vlerësuar se Kosova është dashur të insistonte në zgjerimin e juridiksionit e Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, sidomos pas rasteve të Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt. Sipas tij, ky tribunal ka zbatuar standarde të larta të gjykimit të drejtë dhe të procesit të të provuarit.
Për verdiktin e 16 shtatorit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Puka ka thënë se dallimi me rastet e Limajt dhe Haradinajt ka qenë çështja se në Speciale janë marrë me “ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe jo me “përgjegjësinë e komandës”.
“Krahasimisht me Dhomat e Specializuara, me standardin që kanë aplikuar, duke u bazuar në institutin jo të përgjegjësisë së komandës, por të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, ka nxjerrë këtë rezultat. Dhe mund të jetë një konkludim se po të gjykohej edhe në rastin e Limajt dhe Haradinajt, me këtë standard mbase edhe do të shpalleshin të fajshëm. Dhe anasjelltas, katër udhëheqësit e lartë të UÇK-së, po të ishin brenda atij standardi dhe asaj praktike të Tribunalit të Hagës jo vetëm te Limaj e Haradinaj por edhe raste të tjera, gjasat do të ishte që të liroheshin sepse s’do të provohej përgjegjësia e komandës dhe do të kishim rezultat tjetër”, ka thënë ai.
Puka e ka cilësuar të paprecedentë edhe urdhrin për kompensim të viktimave. Ka thënë se për këtë do të ketë së shpejti edhe diskutime në Gjermani në një konferencë.
Ai ka thënë edhe se Specialja e ka shmangur standardin e “ligjit më të favorshëm” dhe ka bërë “kombinime që bien në kundërshtim me parimin e garancisë”.
Të paprecedentë në përmbledhje të aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Puka e ka vlerësuar edhe përmendjen e disa eprorëve të tjerë ushtarakë, e që s’ishin pjesë e aktakuzës.
Puka ka thënë se në krahasim me standardet e drejtësisë ndërkombëtare, dënimet që Specialja ka dhënë për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi 25 vjet, Jakup Krasniqi 25, Kadri Veseli 18 dhe Rexhep Selimi 13) janë të ashpra dhe të rënda.