Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Prosecution: Two contracts for essential medicines were targeted with a false document

Essential medicines

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të një kompanie, që dyshohet se nëpërmjet një dokumenti të falsifikuar synoi të fitojë tenderin për furnizim me barna. Ai akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Nëpërmjet një dokumenti të rremë, drejtori i një kompanie dyshohet se ka synuar të përfitojë nga Ministria e Shëndetësisë kontrata për furnizim me barna, në vlerë rreth gjysmë milioni euro.

Në aktakuzën që të premten e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë, e të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se i pandehuri që ka inicialet J. P., e ka ndryshuar datën e vlefshmërisë së një certifikate ISO, duke e përdorur atë si të vlefshme, ndonëse kishte skaduar dhe ishte anuluar më herët.

“Në dokumentacionin e ofertës ka përfshirë certifikatën ISO 13485:2016, me numër 47014, të autoritetit certifikues “NQA”, për prodhuesin “Forlong Medical Co., Ltd.” nga Kina, në të cilën afati i vlefshmërisë ishte ndryshuar nga 18.10.2022 në 18.10.2024, duke e ditur se ky afat nuk pasqyronte vlefshmërinë reale të certifikatës, duke e paraqitur si dëshmi të përmbushjes së kërkesës nr. 2 të dosjes së tenderit”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, tenderi ka të bëjë me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material shpenzues medicinal nga lista esenciale”.

Në dokument thuhet se, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, që dy operatorë të vendosen në listën e zezë.

“Ky aktivitet ka qenë me 4 lote në vlerë totale prej 840.999.66 eurosh, ndërsa OE “M.P.” SH.P.K & “R.P.” SH.P.K. kanë aplikuar në lotin 1, me vlerë prej 410.111.24 eurosh, dhe në lotin 3, me vlerë prej 243.313.86 eurosh. Në këto dy lote, M.P. & R.P. kanë ofertuar në lotin 1 me vlerë prej 344.955.77 eurosh dhe në lotin 3 me vlerë prej 169.012.36 eurosh”, thuhet në aktakuzë.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës, që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohet për veprën penale që i vihet në barrë, si dhe t’u shqiptojë ndalimin e pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik.