Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

PDK asks institutions to protect the Law on Special, the EU reacts again

The Hague Special Court

Qëndrime të kundërta për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale janë shprehur të martën mes Partisë Demokratike dhe Bashkimit Evropian. Përderisa deputeti i PDK-së Elmi Reçica, ka kërkuar që institucionet vendore t’i mbrojnë ndryshimet dhe t’i dalin në ndihmë katër ish-krerëve të UÇK-së të dënuar në shkallë të parë, në BE kanë përsëritur se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Mbrojtja e Ligjit të ndryshuar për Gjykatën Speciale duhet të jetë prioriteti kryesor i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka deklaruar deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica.

Në mbledhjen e parë të komisionit, të martën ku është diskutuar fushëveprimi i tij, Reçica ka thënë se duhen shfrytëzuar mekanizmat në dispozicion për t’u dalë në mbrojtje katër ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar në shkallën e parë në Hagë.

“E dimë që mekanizmi shtetëror, së paku unë sa e di, është angazhuar dhe ka premtimet të fuqishme se do të jetë karshi dhe do të jetë konform ligjeve, vendimeve e mundësive që i ka ky shtet në mbrojtje ligjore, diplomatike, lobuese dhe të gjitha format e mbështetjes të atyre që ne konsiderojmë që janë padrejtësisht të dënuar”, ka thënë ai.

Përderisa Reçica ka kërkuar që ligji i ndryshuar të mbrohet dhe zbatohet nga institucionet vendore, në Bruksel është përsëritur qëndrimi kundërshtues ndaj vendimit të Kuvendit. 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Christian Wigand, ka thënë se ndryshimet e aprovuara bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare. 

“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion gjyqësor i pavarur. I themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që veprojnë brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe të sanksionuara në Kushtetutën e Kosovës, dhe më lejoni të përsëris atë që kemi thënë dhe publikuar edhe në një deklaratë se sigurisht ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës  është në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”, ka thënë Wigand.

7 ditë më parë, Kuvendi miratoi ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Gjykatën Speciale me anë të të cilave synohet që gjykimi në shkallë të tretë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të dënuar nga shkalla e parë, të bartet nga Haga në Kosovë. 

Megjithatë sipas publicistit, Veton Surroi, energjinë institucionet duhet ta drejtojnë drejtë zhbërjes së Gjykatës e jo në ripërcaktimin e mandatit të saj. 

"Unë mendoj që Gjykata Speciale nuk duhet të ekzistojë në vitin 2028. Jo që të ndryshojë. Unë mendoj se nuk duhet të ekzistojë dhe unë mendoj se negociatat me Bashkimin Evropian ne duhet t'i fillojmë jo për ta ndryshuar Gjykatën Speciale, por për ta zhbërë në vitin 2028. Pra duhet të caktohet një datë limiti kur thuhet që në momentin kur kryhet gjykata e apeli për katër të dënuar, gjykata nuk duhet të ekzistojë më. Ekzistojnë mekanizma residualë që mbeten, arkivat e tjera e të tjera, por kjo gjykatë duhet të çmontohet", ka thënë Surroi në emisionin “Konfront” të KTV-së të hënën mbrëma.

E avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara, Betim Shala, ka theksuar se edhe nëse ndryshimet ligjore hyjnë në fuqi, procedura e apelit për katër të dënuarit do të zhvillohet në Hagë.

Ai ka kërkuar që institucionet të angazhohen për t’u ofruar ekipeve mbrojtëse ndihmën e nevojshme gjatë përgatitjes së ankesave.

“Tani për tani fokusi i mbrojtjes është që sa më mirë të përgatitë ankesën dhe me sa shumë argumente...Natyrisht edhe shteti duhet të vazhdojë me atë nguti dhe varësisht nga kërkesat e mbrojtjes, t’i ofrojë mbrojtjes të gjithë mbështetjen logjistike e cila do t’i ndihmonte mbrojtjes”, ka thënë Shala.

Për të hyrë në fuqi ndryshimet ligjore duhet të përfundojë fillimisht afati për dërgimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Ky afat tetëditor përfundon të mërkurën.

Nëse ligji nuk dërgohet për shqyrtim kushtetues, presidentja ka kohë edhe tetë ditë për ta dekretuar. E pas këtij hapi bëhet publikimi në Gazetën Zyrtare dhe ligji hyn në fuqi.