Dy parti opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës konstituive të 9 shtatorit, ndonëse afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar para 32 ditësh. Në PDK e kanë arsyetuar këtë hap edhe me aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë, ndërsa në LDK thonë se konstituimi është i nevojshëm për funksionalizimin e institucioneve
Pavarësisht kritikave për tejkalim të afatit kushtetues prej 32 ditësh, dy parti opozitare e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës konstituive të thirrur më 9 shtator.
Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza ka thënë se Vetëvendosje ka shkelur Kushtetutën me caktimin e seancës përtej afatit kushtetues, por ka theksuar se dita e shpalljes së aktgjykimit në Hagë, duhet ta gjejë vendin me kuvend të konstituuar.
“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe më datën 16 shtator. Ne jemi të bindur që në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar”, ka thënë ai.
Më 16 shtator Dhomat e Specializuara pritet të kumtojnë vendimin për gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Hamza ka thënë se edhe vendimi për dërgimin ose jo të çështjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vazhdimin e seancës, do të merret duke pasur parasysh zhvillimet e 16 shtatorit.
Pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës e kanë konfirmuar edhe në Lidhjen Demokratike, por për arsye të ndryshme nga ato të PDK-së.
Jehona Lushaku Sadriu deputete e LDK-së ka thënë se konstituimi i Kuvendit i hap rrugë edhe funksionalizimit të institucioneve por edhe mundësisë për qartësim juridik të situatës.
“Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e tyre. Prandaj, ne kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi, sa më parë që është e mundshme, dhe institucioneve t’iu kthehet funksionaliteti i tyre”, ka thënë Lushaku.
Ajo është shprehur se në seancën e 9 shtatorit do të marrin pjesë të gjithë deputetët e LDK-së.
also
Cakolli asks how he is summoned and participates in a session "outside any constitutional deadline"
Por, para mbledhjes së grupit parlamentar, deputetja, Doarsa Kica Xhelili, ka paralajmëruar bojkotimin e vazhdimit të seancës, meqë e ka konsideruar atë në kundërshtim me afatet kushtetuese.
“Nuk ka më hapësirë për mua si Doarsë me të gjitha njohuritë e mia juridike që i kam të marr pjesë në një seancë e cila e ka kaluar çdo afat kushtetues. Jam shumë e hapur dhe shumë e gatshme ta dëgjoj vlerësimin e grupit parlamentar. Dua të shoh leximin e tyre për këtë çështje, unë e kam një lexim timin që për mua është shumë konciz”, ka deklaruar ajo.
KOHA e ka pyetur Kica Xhelilin pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së nëse do ta respektojë vendimin e grupit parlamentar, por ajo nuk është përgjigjur.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar më 7 gusht, ndërsa seanca e fundit është mbajtur një ditë më vonë.
Për funksionalizimin e legjislativit ka mbetur vetëm zgjedhja e kryetarit dhe e 5 nënkryetarëve.