Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

"Cleaning": Restricting landfill hours endangers waste collection and public health

Petrit Recica

Kufizimi i orarit për deponimin e mbeturinave po vështirëson punën e kompanisë “Pastrimi”, ka deklaruar kryeshefi i saj, Petrit Reçica, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të paraqesë rrezik potencial edhe për shëndetin publik.

Të martën në emisionin “tre8tre” në KTV, Reçica ka bërë të ditur se nga 1 tetori janë njoftuar nga deponia se orari për deponimin e mbeturinave është kufizuar deri në mesnatë, ndonëse, sipas tij, nuk kanë pranuar ndonjë njoftim zyrtar për këtë ndryshim.

Ai ka thënë se kompania e ka pasur të organizuar punën 24 orë pa ndërprerje, me një pjesë të madhe të shërbimeve që kryheshin gjatë natës, veçanërisht nga ora 21:00 deri në 04:00 të mëngjesit.

“Nga 1 tetori jemi njoftuar nga deponia që nuk ka njoftim zyrtar por që afati për deponimin e mbeturinave është kufizuar deri në orën 12:00. Situata ka filluar të vështirësohet për shkak se ne punën tonë të rregullt e kemi pasur 24-orëshe pa ndërprerje dhe puna është kryer 100% sidomos nga ora 21:00 deri në 04:00 të mëngjesit. Ky kufizim i orarit që është bërë, na ka kufizuar në vetëm 3 orë punë ndërsa pesë orë të tjera nuk mund të kryejmë shërbim për shkak të kufizimit të orarit”, ka thënë ai.

Reçica ka kërkuar nga drejtuesit e deponisë që ta rishikojnë kufizimin dhe të zgjasin orarin e pranimit të mbeturinave.

Kryeshefi i “Pastrimit” ka thënë se janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga deponia, pasi vështirësitë në ofrimin e shërbimeve mund të sjellin pasoja më të gjera.

“Një situatë e tillë po e rëndon shërbimin dhe, duke u rënduar shërbimi, ka rrezik potencial edhe për shëndet publik”, ka thënë më tej ai.