Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Palokaj: It will not be easy to convince the EU about the changes to the Law on Special

Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka vlerësuar se nuk do të jetë e lehtë për Kosovën ta bindë Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili u votua në Kuvendin e Kosovës më 6 tetor.  

Duke komentuar reagimin e BE-së pas votimit të ndryshimeve në këtë ligj, Palokaj ka thënë se shprehja e “shqetësimit të thellë” nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian duhet të merret seriozisht, pasi, sipas tij, deklaratat e zëdhënësve pasqyrojnë qëndrime të përpunuara brenda strukturave të institucionit. Ai ka thënë se në Kosovë ka pasur keqkuptime lidhur me mënyrën se si komunikon BE-ja.

“Shprehja e ‘shqetësimit të thellë’ nga BE-ja ishte pak a shumë e pritshme. Ajo që po shoh në Kosovë dhe që po më befason është niveli i lartë i moskuptimit të mënyrës se si komunikon BE-ja. Kam dëgjuar deputetë që thonë se nuk duhet të merremi me atë që një zëdhënës i thotë një gazetari. Unë jam këtu qe 28 vjet dhe duhet të them se BE-ja ka zëdhënës, të cilët nuk mund të thonë diçka thjesht sipas mendimit të tyre. Ajo që thotë zëdhënësi është e përpunuar mirë brenda strukturave të BE-së. Prandaj, shprehja e ‘shqetësimit të thellë’ nga zëdhënësi është qëndrim politik i BE-së dhe duhet të merret seriozisht. Ka pasur keqkuptime edhe nga krahasimi i deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian që ishte në Prishtinë me reagimin e zëdhënësit të BE-së. Ursula von der Leyen kishte dhënë një përgjigje parimore, duke thënë se i takon Kosovës të vendosë vetë. Edhe po të kishte dashur, ajo nuk do të mund të ndërhynte. Megjithatë, ajo theksoi se Kosova duhet ta ruajë pavarësinë e gjyqësorit. Von der Leyen foli para se të ndodhte votimi. BE-ja nuk mund të reagonte ndaj një akti që ende nuk kishte ndodhur. Pasi ndryshimet u votuan, BE-ja reagoi, duke rikujtuar atë që kishte thënë von der Leyen, se duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe të respektohen obligimet ndërkombëtare”, ka thënë Palokaj në “Interaktiv” të KTV-së

Palokaj ka vlerësuar se Kosova duhet ta nisë komunikimin me BE-në për këtë çështje në nivel të presidentes, sikurse ishte vepruar kur u themeluan Dhomat e Specializuara. Ai ka theksuar se Kosova duhet ta ketë parasysh që nga ajo kohë, në institucionet evropiane kanë ndryshuar shumë përfaqësues dhe zyrtarë, ndërsa njohuritë për historikun e themelimit të kësaj gjykate nuk janë të njëjta si më parë.

“BE-ja, përveçse është mbështetëse e Gjykatës Speciale, është edhe financuesja më e madhe e saj. Nuk do të jetë lehtë për Kosovën ta bindë BE-në për këto ndryshime”, ka thënë Palokaj.

Ai e ka cilësuar Gjykatën Speciale si një institucion me karakter hibrid, për të cilin, sipas tij, llogaridhënia ka qenë e kufizuar që nga themelimi. 

“E kam thënë se kjo gjykatë është shumë hibride, nuk i jep llogari askujt qysh prej kur është krijuar. Sikur nuk ishte lehtë kur u themelua gjykata, kur atëherë institucionet e Kosovës ranë në presion nga miqtë ndërkombëtarë, nuk do të jetë lehtë as për këto ndryshime”, shtoi Palokaj. 

Me ndryshimet në Ligjin për Specialen që janë miratuar në Kuvend me propozimin e PDK-së e që presin dekretimin e presidentes, parashihet që dënimi maksimal në Gjykatën Speciale të kufizohet në 15 vjet burgim, të lejohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales, dënimet të mund të vuhen në Kosovë, në vend që të vuhet domosdoshmërisht jashtë vendit dhe që presidenti i Kosovës të ketë mundësi të japë amnisti për persona të dënuar nga Dhomat e Specializuara.